Citizens.al

“Vrulli i ndërtimeve po kthen zonën e ish-Bllokut në një fjetore të madhe”

Katër vila në  zonën e ish-Bllokut në Tiranë po boshatisen; dritaret dhe dyert tashmë janë hequr, si hap i fundit para se të shemben për t’u zëvendësuar me pallate. Te rruga “Brigada VIII” dy ndërtesa njëra pas tjetrës janë çmontuar, ndërsa pak metra më tutje, një tjetër ndërtesë tipike e kësaj zone është në pritje të shembjes.

Që prej vitit 2020, të njëjtin fat kanë pasur të paktën pesë objekte të tjera. Dikur “Vila Ferdinand”, sot është kthyer në një kantier ndërtimi.

Gjatë komunizmit, ajo zonë njihej si “Blloku i Udhëheqjes” dhe askush tjetër përpos familjarëve të drejtuesve të lartë politikë të Partisë së Punës nuk mund të hynte. E gjithë zona ishte e rrethuar.

Pas viteve 1990 në mënyrë fare të natyrshme, sidomos pas prishjes së kioskave në zonën e parkut “Rinia” dhe përgjatë Lanës, Ish-Blloku mori një dimension përtej kulturor”, – shpjegon për Citizens Channel arkitektja Doriana Musai. “Dikur zonë e privilegjuar për udhëheqjen, tashmë ishte një zonë e privilegjuar për rininë”.

Zona e bllokut ka përjetuar disa valë ndërtimi, para dhe pas demokracisë. Citizens Channel ka bërë një vëzhgim të 23 njësive strukturore të Bllokut hartën e Agjencisë Kombëtare të Planfikimit të Territorit (AKPT), ku numërohet më shumë se 100 pallate, ndërsa banesat e vjetra stil 2-3 katesh janë më pak se 40. Gjithashtu, në bllok numërohen 14 objekte me status Monument Kulture.

Kemi vila dy-katesh, kemi vila një-katesh, kemi godina 3-4 kate, kemi godina 5-katëshe, të ndërtuara para vitit 1990. Më pas kemi bumin e parë të ndërtimeve të fillim 2000shit, që pikërisht agresionin e parë e pati në bllok”, – shton Musai, e cila tregon se Blloku i përmban të gjitha komponentët urbane të një zone të zhvilluar.

Duke iu kthyer rrugës “Brigada VIII”, Musai shpjegon se mjafton që harmonia e një njësie strukturore prishet në momentin që ndërtohet pallati i parë.

Zëvendësimi i qytetit ndodh pikërisht me futjen brenda një blloku të strukturuar të një objekti. Njëherazi i futur një objekt, siç është rasti konkret këtu, atëherë fati i të gjithë vilave aty është i njëjtë”.

Në mënyrë të pashmangshme, të gjitha objektet që janë në këtë rrugicë do të shkojnë drejt zhvillimit në këtë formë dhe vilat që aty ndodhen sot, pavarësisht me status apo pa status monument kulture, do të zhduken”.

Doriana Musai, arkitekte

Sipas të dhënave të publikuara nga AKPT-ja, nga 23 njësi strukturore në Bllok, shtatë prej tyre ofrojnë për qytetarët aktivitete sociale dhe rekreative. Pjesa dërrmuese e tyre janë zona që përdoren për banim.

Këto objekte nuk sjellin asgjë më shumë sesa një fjetore në qytet”, – shton arkitektja Musai. “Kjo do duhej të ishte shpallur si zonë në mbrojtje. Mund të ishte një nga komplekset më interesante për ta rigjeneruar më ato çfarë potencialesh ka”.

Krahas humbjes se një zone me vlerë, Musai shprehet se kemi një humbje të kontributit të arkitektëve shqiptare.

Të gjitha këto vila dhe këto objekte të ulëta në rrugën e Elbasanit, në bllok, kanë të gjitha autorë shqiptarë. Pra, këtu kemi zhdukje të arkitektëve shqiptarë”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW