Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protestë në ditën e punëtorëve: “Zgjohu, kërko të drejtën tënde”

Punëtorë të sektorit të pastrimit, fasonerisë, call center-ave si dhe përfaqësues të sindikatave të reja të infermierëve dhe policëve protestuan sot më shumë të drejta dhe siguri në punë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ata u mblodhën në pedonalen e Tiranës, ku bënëthirrje për paga të dinjitetshme dhe zbatimin e Kodit të Punës.

Kam që në fillim të kompanive të fasonerive që punoj pa shkëputje. Kam punuar në një firmë. Ajo firma nuk mi ka derdhur siguracionet, prej tetë vitesh. Nuk na njihen festat, nuk na njihen raportet. Kemi norma që na këpusin nga brinjët. Unë jam nënë me katër fëmijë dhe fëmijët i kanë sytë te unë. Çfarë përgjigje t’ju jap me një rrogë aq të ulët sa që edhe tallen pronarët. Kam 27 vjet punë dhe kategoria ime është me një punëtore që sa ka filluar në punë.  Më vjen shumë keq që më mohohet e drejta”,- u shpreh një nga zonjat punëtore në fasoneri.

Pagat e ulëta e bëjnë jetesën shumë të vështirë për punonjësit e sektorit të pastrimit në Elbasan, të cilët iu bashkuan protestës.

Nuk po kërkojmë diçka të madhe, po kërkojmë të drejtat tona. Ne me të vërtetë fshijmë rrugët, por të paktën mos të na fshihen të drejtat tona si punëtore që jemi. Kërkojmë rrogën që na takon neve. Pse unë mos ja plotësoj kushtet fëmijës tim, me 270 mijë lek që marr unë. Nuk na del rroga të laj qiranë, të laj dritat, të laj ujin, se qeveria këto I kërkon, dritat, ujin I kërkon. Por ti kur kërkon këto plotësoja kushtet punëtorit të lajë qiranë ë shtëpisë, të lajë dritat, të lajë ujin. Pse të dal në punë unë me përparësen time. Ma jep ti rrobën që më takon mua. Se unë dal në shi, në të ftohtë, në borë, në vapë, në diell. Na jep atë që na takon”,-tha një nga punonjëset e sektorit të pastrimit.

Protesta bëri bashkë sindikata të reja dhe organizata, nën umbrellën e Koalicionit për të Drejta në Punë. Përmes fjalës së tyre, përfaqësues të koalicionit sollën në vëmendje vdekjet në vendin e punës si pasojë e kushteve të vështira dhe pasigurisë.

Edison Hoxha CLR,AL

Në vitin 2022, a e dini se sa punonjës kanë humbur jetën në vendin e punës? Janë 31 punonjës. Janë 31 punonjës që kanë humbur jetën në vendin e punës në një ekonomi kaq të vogël si kjo e jona. Dhe kjo është e tepërt. Kjo nuk duhet të vazhdojë më në këtë mënyrë. Janë shumë që 10 punonjës të humbin jetën brenda një viti vetëm në sektorin e ndërtimit. Është shumë që të humbin jetën 5 minatorë në një ekonomi ku janë 2500-3000 minatorë, të humbin jetën 5 minatorë brenda një viti. Kjo është e tepërt, kjo nuk duhet të tolerohet nga askush”,-u shpreh Edison Hoxha, nga Qendra për të Drejtat në Punë (CLR.AL)

Punonjësit e call center-ave sollën histori personale të mos respektimit të kontratave në punë.

“Ishim 94 veta që po punonim prej dy muajsh e gjysmë dhe ndejtëm 10 ditë maksimumi pa rrogë dhe pa kontratë. Kjo punë u zgjidh vetëm duke shkuar pesë veta nga gjysma që ishim 40 e ca veta që u ngritëm kundër kësaj padrejtësie dhe prapë pasi u zgjidh me një vërejtje nga Inspektorati i Punës dhe firmosjen e kontratës ditën e hënë në fillim të javës. Dy ditë më pas jam hasur me një padrejtësi tjetër që pa asnjë lajmërim, pa asnjë ndërmjetësim apo bashkëbisedim me pronarët e kompanisë jam shkëputur nga marrëdhënia e punës me kompaninë me arsyetimin e performancës, tak-fak, pa asnjë vërejtje, pa asnjë ndihmë pa asgjë”,-u shpreh Jurgeni, punonjës prej pesë vitesh në një prej kompanive call-center në Tiranë.

Përfaqësues të Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë, ngritën shqetësimin e largimit të 10 mijë punonjësve nga ky sektor, si pasojë e pagave skllavëruese.

Pagat aktualisht në sektorin tonë janë paga skllavëruese.Ne jemi të rinj dhe të reja që punojmë në këtë sektor. Mbajmë familjet tona, paguajmë shkollat, paguajmë qiratë, paguajmë çdo gjë me këtë punë. Që nga koha e pandemisë ne kemi pasur shumë problematika. Sektori ka qenë 25 mijë punonjës, sot është 15 mijë punonjës. Ka 10 mijë të rinj dhe të reja që janë larguar dhe kanë ikur në Gjermani. Ne sot punojmë dy punë për të mbajtur familjet tona, ndërkohë që shteti shqiptar na takson me atë taksën e dyfishtë, ne paguajmë divën sot”,-artikuloi Ilir Xhemaliaj nga SKOT.

Mos pagesa e ditëve të festave zyrtare, të orëve shtesë të punës, dhënia e pagës pjesërisht në bankë dhe pjesa tjetër dorazi, mos pagesa e lejeve vjetore si dhe mos dhënia e pagës brenda afatit, ishin disa nga shqetësimet e ngritura nga punëtorët e sindikalistët.

Protestuesit kërkuan që 1 Maji të jetë një ditë përkujtese për të gjitha sfidat dhe pamundësitë që shoqërojnë punëtorët në Shqiëpëri

Gertjana Hasalla, Koalicioni për të Drejtat në Punë

“Është e rëndësishme që për 1 Maj të flitet për punën, të flitet për kushtet e mira, të flitet për punën e denjë mbi gjithçka. Sepse ajo çka ne duam si koalicion, si punonjës, si punëtorë është që të kemi punë të denjë, sepse pa pasur punë të denjë atëherë nuk mund të flasim realisht për paga të mira, nuk mund të flasim për një jetesë të mirë”,-përfundoi Gertjana Hasalla, përfaqësuese e Koalicionit për të Drejtat në Punë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *