Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistët i kërkojnë partive që programet e financuara nga taksapaguesit të jenë “open source”

Komuniteti Open Labs Albania, i është drejtuar të gjitha subjekteve politike në Shqipëri me një letër ku kërkojnë të informohen mbi qasjen e tyre për programet e hapura (open source).

Komuniteti i Open Labs kërkon një legjislacion ku të përcaktohet se programet që financohen nga taskapaguesit dhe nga fonde publike të jenë të lirë dhe të aksesueshme për të gjithë.

“Nëse janë para publike, atëherë edhe kodi duhet të jetë publik. Kodi i paguar nga taksapaguesit duhet të jetë i aksesueshëm dhe i përdorshëm nga të gjithë qytetarët”, sugjeron Open Labs.

Çfarë janë programet e hapura (open source)?

Programet falas i referohen lirisë së përodrimit pa vendosur çmime. Që një program të quhet “Open Source” duhet të plotësojë katër kritere:
1. Të jetë i përdorshëm falas për çdo qëllim, pa limitime të licencave apo kufijve gjeografike.
2. Kodi me të cilin programi është ndërtuar të jetë i aksesueshëm për t’u studiuar nga kushdo, pa pasur nevojë për marrëveshje.
3. Programi mund të përditësohet dhe modifikohet nga çdo përdorues, dhe ndryshimet duhet të shpërndahen publikisht.
4. Programet duhet të jenë falas dhe të mund të shpërndahen virualisht pa kosto.

Kërkesa drejtuar partive politike është pjesë e fushatës “Para Publike Kod Publik”, e cila ka nisur vite më parë në Berlin edhe më pas në vende të tjera si në Itali.

Fushata ka për synim të informojë partitë, deputetët apo vendimarrësit mbi rëndësinë e programeve të lira dhe të hapura.

Open Labs ka kontaktuar të gjithë partitë politike dhe kandidatët për zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri dhe u ka bërë thirrje që “t’i përgjigjen propozimit dhe kërkesës për lirinë e informacionit dhe të mbajnë qëndrim në lidhje me këtë çështje të rëndësishme”.

Qytetarët e Shqipërisë meritojnë të dinë se ku qëndrojnë kandidatët e tyre në çështjen e parave publike dhe kodit publik”, thuhet në njoftimin për shtyp të Open Labs.

Grigor Malo, anëtar i Open Labs rendit disa arsye pse institucionet publike duhet të përdorin programe të lira dhe të hapura.

Së pari, ai shprehet se kodi i hapur rrit transparencën dhe ofron mundësi auditimi nga publiku. Po ashtu ulet mundësia e tenderave korruptiv për programe softuerike.

“Ul kostot e prokurimeve, si dhe shmang prokurime të panevojshme. Institucionet mund të ripërdorin të njëjtin softuere apo të përshtatin pjesë të tij për nevojat e tyre”, shprehet Malo.

Një tjetër arsye pse programet falas janë të rëndësishme, shprehet ai, është se ndihmojnë dhe promovojnë komunitetin lokal të teknologjisë dhe bizneset IT vendase.

“Kodi i hapur mund të zhvillohet nga kompani vendase, si dhe të auditohet, modifikohet, përmirësohet nga kushdo. Nga kjo përfton si ekonomia lokale, ashtu dhe te pasionuarit pas kodimit që do mund të studiojnë praktikat më të mira përmes softuare-ëve të shtetit të tyre”, shprehet Malo.

Ai thekson se aplikacionet e paguara nga publiku duhet të jenë të disponueshme për të gjithë që dhe publiku i gjerë t’i përdorë ato, pasi janë financuar nga vetë taksapaguesit.

Malo shprehet se këto programe i shërbejnë transparencës mbi të gjitha.

Sa i përket sigurisë së tyre, Malo sqaron se programet e lirë dhe të hapur janë vazhdimisht në përmirësim.

“Ekspertët e fushës auditojnë përmbajtjen dhe sigurinë e këtyre programeve dhe përmirësimet mund të implementohen më shpejt dhe me më pak kosto krahasuar me rastin kur softuare-i i prokuruar mund të përditësohet vetëm nga kompania e kontraktuar”, thotë ai.

Malo thekson se këto softuere rrisin cilësinë e kodimit dhe minimizojnë mundësinë për vjedhje të dhënash.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *