Tre punëtorë u aksidentuan vetëm javën e fundit në sektorin e ndërtimit, nga ku dy persona humbën jetën.
Aksidenti i parë ndodhi në Vlorë, në zonën e Ujit të Ftohtë, ku një punonjës 60 vjeçar ra nga skela dhe humbi jetën.
Sipas njoftimit të policisë së Vlorës, për këtë aksident u arrestuan bashkëpronari i pallatit që po ndërtohej, administratori dhe drejtuesi teknik i firmës që po ndërtonte pallatin.
Pak ditë më pas, në Tiranë, në rrugën “Besa” një 50 vjeçar humbi jetën pasi ra nga skela e një pallati në ndërtim. Dje, në rrugën “Besnik Hidri”, një 26 vjeçar ra nga një pallat në ndërtim e sipër, ndërsa ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Megjithatë numrit të lartë të aksidenteve në punë, veçanërisht në sektorin e ndërtimin, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet shtetërore.
Përfaqësues të Lëvizjes Bashkë, e cila denoncon vazhdimisht neglizhencën shtetërore ndaj rasteve të tilla, shprehen se kushtet e punës vijojnë të jenë të mjerueshme.
Foto: Arbjona Çibuku
“Sektori i ndërtimit prej disa vitesh ia ka kaluar edhe minierave për aksidentet dhe vrasjet në vendin e punës, çka na thekson nevojën jetike për organizim sindikal dhe mbrojtje kolektive të të drejtave në punë. Disa herë kemi tentuar të ndihmojmë për të organizuar punëtorët e ndërtimit, por vështirësitë janë të shumta”, tha për Citizens Channel Xhuliano Bregasi, aktivist pranë Lëvizjes Bashkë.
Bregasi tregon se një nga pengesat për organizimin sindikal është fragmentarizimi i vendeve të punës.
“Nëse për ndërtimin e një pallati mund të punojnë qindra punëtorë, ata gjithmonë punojnë në grupe të vogla, procese dhe periudha të ndryshme, duke iu pamundësuar njohjen dhe organizimin. Në anën tjetër, presioni prej pronarit dhe institucioneve shtetërore po ashtu është faktor pengues.
Edhe raporti i treguesve të inspektimit në punë për vitin 2022, kryer nga Inspektoriati i Punës, konfirmon se në vitit 2022 sektori i ndërtimit ka numrin më të lartë të vdekjeve në punë krahasuar me fushat e tjera të punësimit.
Inspektoriati i Punës ka inspektuar 38 subjekte ndërtimi gjatë 2022, në të cilat janë aksidentuar 29 persona dhe 10 kanë humbur jetën. Kjo vjen si pasojë e kushteve të vështira të punës, sikurse mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe moszbatimi i sinjalistikës së duhur në vendet e punës.
Sipas Xhuliano Bregasit, vetë qeverisja këto vite nuk ka pasur në vëmendje punëtorët.
“Me të ardhur në pushtet në vitin 2013, shkriu Ministrinë e Punës dhe e zëvendësoi me atë të sipërmarrjes. Pas kësaj, me thirrjen “hajdeni se këtu nuk ka sindikata”, iu dha dorë të lirë pronarëve për të bërë ç’të donin me punëtorët. “Punë ka, por nuk ka profesionistë” ishte goditja e radhës për punëtorët, të cilët nuk qenkan në lartësinë e tregut shqiptar por ai gjerman i mirëpret krahëhapur”-,thekson Bregasi.
Kësisoj, nevoja për organizim sindikal në një sektor të tillë sikurse ai i ndërtimit është domosdoshmëri, thekson aktivisti Bregasi.
“Si aktivistë edhe të çështjeve punëtore, e shohim organizimin sindikal jo vetëm si domosdoshmëri për të mbrojtur jetët dhe siguruar të drejtat e punëtorëve, por edhe për të shmangur një kolaps në botën e punës dhe jetën shoqërore të vendit,”-përfundon ai.
Në një analizë për sindikalizmin në Shqipëri, përpos vështirësive që hasin punëtorët në Shqipëri për t’u organizuar, ekspertët dhe studiuesit e çështjeve të punëtorëve nuk e shohin të pamundur vijimin e krijimit të sindikatave të pavarura.
Ndërsa theksojnë se mungesa e përvojës së sukseshme të organizimit sindikal në Shqipëri, bën që t’ja nisim nga zeroja.
Lexo më shumë: Analizë: “Rizgjimi i vështirë i sindikalizmit shqiptar”
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).