Në Lin janë zbuluar vendbanimet palafite më të vjetra në Evropë. Arkeologë shqiptarë dhe zvicerianë prej vitit 2019 kanë gërmuar në zonën që ata e kanë quajtur Lin 3 dhe ekspertiza nga gjetjet e marra tregon se palafitet dhe objektet kulturore prej qeramike apo veglat e gjuetisë datojnë rreth 8000 vjet para lindjes së Krishtit.
Arkeologu Ardian Anastasi thotë se projekti ka nisur në vitin 2018, ku Instituti i Antropologjisë ka bashkëpunuar me Universitetin e Bernës dhe të Oksfordit, duke pasur një ide se ky sit arkeologjik i përkiste periudhës së neolitit.
“Vendosëm të punonim në Lin 3 pasi kishim marrë material kampion të qeramikës, të veglave të punës, kockave të cilat ishin në sipërfaqe, si dhe kishim bërë një vlerësim paraprak në Miçigan, në USA, të një kampioni C14 marrë mbi palafit”, – shtjellon Anastasi.
Javës së shkuar, arkeologë vijonin gërmimet në liqenin e Linit, ku përmes teknikës së “scuba diving”, nxirreshin palafite, pra materiale drusore, që emëroheshin secila me një kod personal.
“Palafitët kanë pasaportën e tyre në të cilat merret një sasi e caktuar, i cili paketohet dhe vetëm kampionët e drurit shkojnë jashtë për t’u analizuar”, – pohon më tej arkeologu Anastasi.
Me këtë detyrë merret studenti i arkeologjisë Alain Schaffner, i cili gjithashtu ngarkon të gjitha të dhënat e mbledhura në sistem hartëzimi me piketa të secilit palafit të zbuluar, që do të mundësojë pasjen e imazhi të plotë të këtij vendbanimi.
“Është gjithmonë i njëjti lloj druri dhe gjithmonë e njëjta masë, gjithmonë e njëjta shtyllë dhe pastaj është gjithnjë ky rresht i drejtë siç mund ta shihni ndaj ne e quajmë gardh”, – shpjegon Schaffner, duke iu referuar të koordinatave të hedhura në sistem, që tashmë janë mjaft të qarta dhe mund të krijohet një ide se ku ishin pozicionuar fshatrat.
Të dhënat do të përditësohen nga gërmimet që do të vijojnë edhe vitin e ardhshëm dhe do të gërshetohen me gjetje të ngjashme në Spili të Greqisë apo në Ploça të Maqedonisë së Veriut.
“Për shembull në qeramike ka disa zbukurime ose një lloj të njëjtë qeramike”, – vijon arkeologu Alain Schaffner, “këtu nuk kemi të bëjmë me të njëjtin grup etnik, por sigurisht disa lidhje ishin aty, mes njerëzve në Spili dhe njerëzve këtu në Lin dhe ndoshta më vonë në Ploça”.
Drejtuesja e misionit të gërmimit, Maria Kler nga Austria u shpreh se gjetjet janë të një rëndësie ndërkombëtare.
“Ne kemi të bëjmë me një sit arkeologjik të jashtëzakonshëm, jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Evropën. Qëllimi ynë kryesor është të gërshetojmë ndërveprimin njerëzor në shoqëritë bujqësore më të hershme në Evropë”, – citoi ajo për Citizens Channel.
Shoqëritë në epokën e gurit të ri
Pehistoriani Ilir Gjipali shpjegon se njeriu në periudhën e neolitit hyri në një fazë tjetër zhvillimi, që dokumentohet nga objektet arkeologjike të gjetura prej qeramike.
“Kemi zbuluar enë tryeze, ose enë luksi, enë fine. Sepse janë vërtetë shumë të holla, të arritura në forma, po edhe të zbukuruara, shpeshherë të lustruara deri në shkëlqim”.
Në këto objekte dominon figura e gruas. “Te figurinat antropomorfe, me forma njerëzore, dominon figura e femrave. Ne e quajmë e nënës, e mëmës së madhe sepse ata besonin që gruaja, gjyshja, mëma e madhe ishte ajo që si të thuash ripërtërinte brezat”, – shpjegon prehistoriani Gjipali.
Më tej ai shpjegon se në këtë periudhë, shoqëritë organizoheshin brenda komuniteteve të mëdha, ku u vendosën rregulla organizative që përjashtonin gjerat që mund të ndikonin negativisht në jetën e njerëzve ose për të shmangur epidemitë.
Gjipali sqaron se shkëputja nga varësia e gjetjet se ushqimit dhe prodhimi i tij, hodhi bazat e shoqërisë moderne.
“Duke lënë mbrapa varësinë nga natyra, tani krijohen mundësira që edhe të meditonte, të mendonte, të interpretonte fenomenet apo dukuritë e ndryshme të natyrës”, – përfundon ai.