Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Urdhri i Inxhinierit drejt miratimit pavarësisht kundërshtive nga profesionistët

Prej vitit 2022 në Kuvend është propozuar një projektligj për krijimin e Urdhrit të Inxhinierëve nga deputetja e Partisë Socialiste Luljeta Bozo.

Kjo nismë ligjore nisi të diskutohet që në 2019-ën, ndërsa të përfshirë në projektligj ishin edhe arkitektët, të cilët u shkëputën më pas.

“Nevoja e propozimit të këtij Projektligji vjen si pasojë direkte e boshllëkut ligjor krijuar që prej miratimit të ligjit nr.10171 “Për profesionet e rregulluara në RSH”, është një nga argumentet e paraqitura në relacionin e projektligjit për krijimin e Urdhrit të Inxhinierëve.

Relacioni sqaron se mes të tjerash projektligji synon të zhvendosë përgjegjësitë e shërbimeve dhe punëve inxhinierike nga administrata publike te mekanizmi i ri i Urdhrit Profesional të Inxhinierit, rregullimin e profesionit në funksion të interesit publik, korrektësinë dhe cilësinë e shërbimit si dhe lirinë e konkurrencës në këtë profesion.

Po ashtu, sipas relacionit me krijimin e Urdhrit i jepet fund opinioneve dhe ekspertizave të kryera nga institucione publike apo vetë subjektet private, duke e marrë si detyrë vetë urdhri për të dhënë opinione apo ekspertiza.

Ndërsa Urdhri, sipas relacionit do të shërbejë si një ent publik kombëtar, jo fitimprurës dhe me një autonomi të plotë financiare dhe funksionale.

Inxhinierët: “Urdhri krijon monopol”

Inxhinierë dhe profesionistë të fushës e kanë kundërshtuar këtë nismë, duke e konsideruar të panevojshëm për aq kohë sa profesioni i inxhinierit rregullohet me ligj.

“Profesioni i inxhinierit është një profesion i rregulluar me ligj. Ne operojmë sot, nuk jemi klandestinë, nuk jemi një profesion që operon fshehtas. Jemi një profesion që punon i licencuar nga ministritë përkatëse”,– u shpreh për Citizens Channel Deshira Mena, inxhiniere e njëkohësisht drejtuese e shoqatës “Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë”.

Sipas Dëshira Mena vendosja e licencave në duart e një grupi individësh është e tepërt.

Dëshira Mena, Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë

“Tani qëllimi i këtyre është që këto të gjithë këto licensa të mos menaxhohen më nga organet shtetërore por të vendosen nën duart e urdhrit dhe ti menaxhojë urdhri si një institucion i vetëm, i përbërë nga një grup njerëzish dhe individësh të cilët do të kenë në dorë fatin e të gjithë kategorive të inxhinierisë shqiptare nga çdo lloj disipline dhe fushe. Duket pak e tepërt ta mendosh që pretendimi i këtij grupi njerëzish të jetë i drejtë në raport me gjendjen aktuale që janë të organeve shtetërore që operojnë sot për kontrollin dhe disiplinimin e profesionit të inxhinierit”, -argumenton Mena.

Duke përfaqësuar edhe mendimin e Unionit të Inxhinierëve, Dëshira shprehet se inxhinieria është një aset kombëtar dhe si i tillë duhet trajtuar.

“Arsyeja që e kundërshtojmë është sepse qellimi i vetëm sic e ka shprehur zoja deputete në relacion: transferimi nga administrata shtetërore në duart e UPIt, këtë gjë ne nuk e duam sepse inxhinieria në arsyetimin tonë madhor, parimor është aset i shtetit. Ka të bëjë me kontrollin dhe menaxhimin e gati 60% të ekonomisë së vendit. Çdo gjë është inxhinierike në vend. Në rrugë, në hekurudha, ne miniera, në transport në ndërtime, në hidrocentrale, në termocentrale, në shfrytëzimin e energjisë diellore, ku të të shkojë syri ty, në det, në ajër. Ku të të shkojë syri ty ke inxhinierinë. Dhe inxhinieria punon me fonde publike”.

Më 13 qershor të 2023, shoqata Unoni i Inxhinierëve Shqiptarë iu drejtuan me një letër Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese dhe atij të ligjeve ku argumentonin pse ishin kundër këtij projektligji. Bashkëngjitur letrës, Unioni dorëzoi edhe 400 firma të njoma të inxhinierëve dhe 2939 të tjera të mbledhura online përmes platformës change.org që ishin kundër projektligjit.

“Projekt-Ligji i propozuar së pari është një iniciativë e cila ka të  prezantuar vetëm emrin e Deputetes Luljeta Bozo në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Shoqatës së Gjeoteknikëvë Shqiptarë bazuar në një marëveshje të  bërë midis 11 shoqatave, që në fakt nuk tregon aspak përfshirjen e tërë  komunitetit aktiv të inxhinierëve që veprojnë sot në tregun tone”,-thuhet në letrën dërguar Kuvendit dhe komisioneve parlamentare.

Në këtë letër, Unioni vë përballë të gjitha pikat që bien ndesh me njëra tjetrën, duke përfshirë këtu dhënien e provimit të shtetit, autonominë financiare, masat disiplinore dhe regjistrimi ne regjistrin e inxhinierëve.

“Regjistri është i vetmi burim referimi për të tretët që kërkojnë shërbime inxhinierike
ose ekspertiza dhe detyrat e tjera të lidhura me objektin e profesionit të inxhinierit. Duke qenë se UPI merr pjesë vetë në projekte të ndryshme a nuk ka konflikt interesi në këtë rast, pasi mund të përdoret kjo kompetencë e UPI‐t për të nxjerrë nga tregu profesionistët që i konsideron si konkurues?“-thuhet në letrën e inxhinierëve.

Sipas relacionit në hartimin e projektligjit është marrë në konsideratë eksperienca e urdhrave ekzistues të Italisë që daton 100 vite më parë dhe i Holandës. Sipas Dëshira Menas këto janë sisteme të ndryshme, teksa thekson se në Holandë nuk ka një urdhër, por është shoqatë që jep vlerësime honorifike për inxhinierët. Ndërsa në Itali të heqësh urdhrin do të thotë të ç’bësh sistemin, sipas Menas.

“Në fakt, po ti shohësh në përmbajtje propozimin që ka bërë me urdhrin e italianëve apo me qëllimin e krijimit të atij holandez nuk kanë asgjë të përbashkët. Janë tre sistem komplet të ndryshme, diellore”,-përfundon Dëshira Mena.

Bozo: Projektligji vjen 14 vjet me vonesë, mbush boshllëkun ligjor

Sipas propozueses së projektligjit, deputetes Luljeta Bozo, ky projektligj vjen si një nevojë për të rregulluar tregun e punës.

“Ngrihet për të rregulluar tregun e punës, Që do të thotë që në tregun e punës hyjnë vetëm profesionistë dhe publiku që mund të jetë shtet ose privat merr një shërbim që është brenda kushteve teknike, standardeve, brenda kushteve ose standardeve etike morale dhe ligjore. Pra publiku është i garantuar për shërbimin që ofron inxhinieri, i cili përfshihet në këtë urdhër të inxhinierit”,– u shpeh Lujleta Bozo për Citizens Channel.

Sipas Bozos ky projektligj vjen 14 vite me vonesë.

Luljeta Bozo

“Nëpërmjet këtij projektligji që është detyrim se ligji bazë ka dalë që në 2009-ën dhe mbi bazën e atij ligji të 2009 janë ngritur urdhri i mjekut, i farmacistit etj dhe ne jemi që nga 2009 deri në 2023, i thonë 14 vjet me vonesë, që duhet ta kishim realizuar. Pra kemi një boshllëk në legjislacion. Vitin e kaluar Këshilli i Evropës e kishe vërejtje që jeni mbrapa me urdhrin sidomos me urdhrin e inxhinierit”,-tha Luljeta Bozo, ndërsa theksoi se kështu funksionon në të gjithë botën, me urdhëra apo mekanizma të ngjashme me urdhërin.

Bozo sqaroi se gjithkush që ka përfunduar 5 vite shkollë apo ata që kanë licencën mund të bëhet pjesë e Urdhrit. Ndërsa për të rinjtë që nuk kanë licence ende, do ti nënshtrohen një provimi shteti.

“Këta të rinjtë janë të detyruar të japin një provim shteti siç e ka edhe gjithë bota, ku provimi i shtetit nuk bëhet nga urdhri. Provimi i shtetit bëhet nga Ministria e Arsimit e cila ka në juridiksion universitetet që i kanë zgjedhur si specialist dhe ata bëjnë pjesën teknike të testit dhe pjesa tjetër që është etiko-morale dhe juridike e bën urdhri me specialistët e vet dhe me juristët që do të ketë sepse kur thotë që do të mbash përgjegjësi ligjore ti duhet ta njohësh legjislacionin që vepron në fushën e ndërtimit se si do ta mbash përgjegjësinë nëse ti nuk njeh ligjet”,-sqaron Bozo.

Ndërsa nuk nguroi të saktësonte se nëse nuk janë të regjistruar në regjistrin elektronik të Urdhrit firma e tyre është e pavlefshme.

“Po e pavlefshme, ai le të punojë. Do të punojë, le të punojë pa firmosur, nuk ka asnjë problem”.

Sipas Bozos përfitues nga ky projektligj është publiku dhe inxhinieri.

“Përfituesi i parë është inxhinieri se jo të gjithë inxhinierët janë vlerësuar për punën e tyre shumë të madhe që bëjnë dhe e dyta që është më kryesorja është publiku ndaj edhe quhet Ent Publik Kombëtar. Është jo fitimprurës, nuk merr lek nga qeveria, nuk varet nga qeveria, por vetë rregullohet”.

Bozo shprehet se është në dijeni për argumentet kundër projektligjit, ndërsa thekson se nuk qendrojnë.

“Po e di, ata janë kundër, por jua thashë që ata thonë se urdhri është monopol, që ju e patë që nuk është monopol. Urdhri jep licensa. Urdhri nuk jep licensa. Urdhri merr pjesë në tendera. Urdhri nuk merr pjesë në tendera, absolutisht. Urdhri nuk bën projekte. Pra të tërë ato që kanë ngritur ky Unioni i Inxhinierëve nuk qendrojnë. Ne jua kemi sqaruar një herë, dy herë se kanë ardhur edhe në komision, por mesa duket ata kanë mendjen e tyre, është punë e tyre”,-përfundoi Bozo.

Ministritë kërkojnë rishikim të projektligjit 

Për projektligjin e propozuar, në vitin 2022 ministritë kanë dërguar mendimet përkatëse përmes shkresave zyrtare te Kryeministria apo Këshilli i Ministrave.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar rishikimin dhe strukturimit e projektligjit duke mos lejuar që Urdhri të marrë kompetenca licencimi për ushtrimin e profesionit, apo edhe për sa i takon zgjedhjes së këshillave drejtues dhe kompetencat e tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vuri në dukje se është në dijeni të diskutimeve dhe argumenteve pro dhe kundër, ndërsa u shpreh se do të vijojë takimet publike me aktorët e interesuar.

“MIE vlerëson se ligji i ri për urdhrin profesional të inxhinierit sjell si pasojë ndryshimin e bazës ligjore ekzistuese për këtë fushë dhe si e tillë del i nevojshëm parashikimi i një dispozite kalimtare në mënyrë që projektligji i ri të jetë jo vetëm efektiv, por dhe të minimizojë efektet negative që mund të ketë periudha kalimtare për çdo aktor të përfshirë”,-thuhet në mendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon të rishikohet statusi juridik dhe financiar për strukturën që do të krijohet dhe për mënyrën se si do të funksionojë kjo strukturë sidomos në aspektin financiar, ndërsa kërkon edhe rishikim e disa neneve që lidhen kryesisht me provimin e shtetit apo pjesëmarrjen e urdhrit në projekte.

Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka sugjeruar që inxhinierët për pyjet, pavarësisht se mbajnë titullin inxhinier të mos jenë pjesë e këtij ligji, pasi që ka një legjislacion në fuqi për pyjet që i pajis ata me certifikatën e ekspertit.

Mendimi i Ministrisë së Turizmit

Nismë e veçantë edhe për Urdhrin e Inxhinierëve hidroteknikë 

Bashkë me projektligjin për Urdhrin Profesional të Inxhinierëve, në Kuvend është depozituar edhe një tjetër projektligj që synon të krijojë një Urdhër të posaçëm për inxhinierët hidroteknikë.

Projektligji është propozuar nga deputetët Ismet Beqiraj dhe Andrea Marto. Sipas këtij projektligji, i takon Urdhrit të japë licenca, certifikim apo kategorizim të profesionistëve të fushës.

Sipas këtij projektligji asnjë inxhinier hidroteknik nuk mund të ushtrojë profesionin e tij pa qenë anëtar i Urdhrit.

Edhe ky projektligj është pritur me kundërshtime nga Unioni i Inxhinierëve. Përmes një letre dërguar Kuvendit dhe komisioneve parlamentare Unioni shprehet se Urdhri i jep të drejtën vetes të jetë i vetmi institucion për vlerësimin e inxhinierëve.

“Pra kuptojmë që Urdhëri i Hidroteknikut i jep të drejtën vetes si i vetmi institucion
për vlerësimin dhe ekspertizën teknike në fushën Hidroteknike. Në këtë mënyrë ai
përjashton cdo inxhinier Hidroteknik në vendin tonë të përfshihet në këto shërbime
duke mos patur asnjë konkurent në këtë drejtim dhe duke qënë kështu në shkelje të
ndalimeve të vendosura nga Neni 4/1 i Ligjit Nr.9121, datë 28.7.2003 PËR MBROJTJEN
E KONKURRENCËS”,-thuhet në letër.

Ashtu sikundër u shprehën edhe për Urdhrin Profesional të Inxhinierëve, Unioni tha se ky profesion është i rregulluar me ligjet aktuale, pa pasur nevojë për një urdhër.

“Profesioni i Inxhinierit Hidroteknik sipas Ligjit 8402 date 10.09.1998 dhe me vendimin
Nr 943 dt 28.12.2016 i rishikuar është tashmë i rregulluar nëpërmjet Licensimit të cilat administrohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës përfshirë këtu
edhe kategorinë e Kolauduesve”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *