Banorët e fshatrave të Thirrës, Hebës dhe Sangut në bashkinë Mirditë u mblodhën sërish sot pranë HEC-it rrëzë malit, kësaj here jo për të protestuar, por për të dëshmuar pezullimin e punimeve.
Zyra e përmbarimit në Lezhë zbatoi sot vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 15 qershor të 2023 për pezullimin e punimeve për HEC-in dhe për fabrikën e përpunimit të ujit që janë në proces ndërtimi nga kompania “Sang 1”.
Vendimi i Përmbarimit
“Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë ka marrë vendim për sigurimin e padisë që do të thotë pezullimin e punimeve që ka filluar shoqëria “Sang 1” në fshatin Thirrë. Sot derisa gjykata të vendosë ndryshe do të bëjmë pezullimin e punimeve dhe do të vëmë tabelat që janë gati, të shkruajtura nga Zyra e Përmbarimit për vendimin e Gjykatës “pezullim punimesh”,-u shpreh Liza Çuni, kryetare e Zyrës së Përmbarimit Lezhë.
Adriatik Lapaj, avokati i banorëve tha para tyre se ky vendim është një mesazh rezistence për çdo komunitet tjetër në Shqipëri.
Adriatik Lapaj, avokat i banorëve
“Banorët janë këtu sot për të ndalur bashkë me Përmbarimin vazhdimin e këtyre punimeve. Ky është një mesazh që i shkon çdo komuniteti në Shqipëri për të rezistuar dhe për tu përballur ndaj kujtdo që synon t’i marri jetën e përditshme. Ky ujë është jeta e banorëve të këtyre fshatrave dhe ju lutem fokusojeni për sa ujë bëhet fjalë. Ai uji aty kërkon të bëhet hidrocentral. Ai uji aty nuk del as për të vaditur apo për të mbajtur gjënë e gjallë të këtyre zonave e për të mbajtur me jetë këto zona e jo më për të vaditur. Ndaj çdo banor i Republikës në çdo cep të saj të mos lejojë ti vidhet jeta”,-u shpreh Lapaj.
Banorët kanë nisur betejën ligjore me kompaninë prej vitit 2021, ndërsa nuk u thirrën në dëgjesa publike asokohe nga kompania. Mes të tjerash ata denoncuan edhe faktin se kompania kishte falsifikuar firmat e tyre.
Besnik Paci
“Përfaqësuesit e kompanisë kanë paraqitur për leje vetëm 19 banorë siç e kemi cekur herën e parë dhe vazhdojnë punimet. Po të thuash këtu rreth 50% e punimeve më sipër janë bërë nga dita që është marrë vendimi I gjykatës për të mos vazhduar punimet. Kanë vazhduar përsëri edhe me vendimin e parë të zyrës përmbarimore kanë vazhduar punimet në të zezë. Edhe në vendimin e dytë të zyrës përmbarimore kanë vazhduar përsëri punimet… Pardje kanë larguar makineritë, pajisjet. Nuk e di ku do të shkojë kompani, nuk e di ku do të shkojnë këto ligjet e shtetit të cilat kanë vendosur ta shpopullojnë përfundimisht Mirditën”,-tha për mediat Besnik Paci, banor i zonës.
Për banorët e këtyre fshatrave të zonës së Mirditës, ky është i vetmi burim uji për nevojat e tyre jetësore dhe për bujqësinë e blegtorinë.
Marka Gjeta, banor
“Na dhatë të drejtën e ujit, se pa ujë nuk ka jetë. Si për bagëtitë si për njerëzit. Ka qenë për vaditje, për bagëtitë, edhe me pi besa kur binte njeri në hall. Në përrua uleshim e pinim ujë e iknim me bagëtitë”,-shprehet Marka Gjeta.
Ndërsa dëshmojnë se mungesa e ujit ka ndikuar edhe në largimin nga fshati të shumë banorëve, duke mos parë kësisoj perspektivë për jetesën në këto zona.
Ndue Prenga. banor
“Kjo mungesë e ujit ka ndikuar shumë. E para ka ndikuar me asimilimin e fshatit komplet, në fshat nuk do të ketë jetë nëse nuk ka ujë. Ne në mënyre të pabesë e morëm vesh në 2020 dhe fshati reagoi në organet drejtuese të shtetit tonë shqiptar. Ne I jemi drejtuar shtetit, institucioneve të drejtësisë, prokurorisë, të gjitha instancave, deputetëve dhe asnjë se ka venë ujin në zjarr. Këtu vjen një firmë fantazmë, shpiket nga qielli, me themele në Tiranë. Kjo garniturë e zhvatjes, e shpopullimit ,e masakrimit të zonës sonë, por edhe të gjithë zonës së Mirditës dhe të Qarkut Lezhë, kjo gatuhet në Tiranë”,-tha Ndue Prenga.
Banorët janë shpresëplotë se me rigjenerimin e natyrës dhe lënien e ujit të lirë do të ndalë edhe shpopullimi i fshatrave. Ndërsa urojnë për investime në fshatin e tyre me qëllim që të ketë mundësi për turizëm.
Prend Përkola, banor
“Llogaritë nuk bëhen, e pallogaritshme dëmtimet që janë. Duke marrë bujqësi e blegtori, turizëm e çfarë i përket. Ne të gjithë djemtë i kemi nëpër botë, në Europë. Të gjithë po punojnë një ditë të mirë që të vijnë e të investojnë këtu në fshatin tyre. Kjo zonë është e shenjtë. Ky vend është kopsht i zotit. Duket se i ka dhënë shenjat e para dhe institucionet e drejtësisë siç janë gjykatat, e kanë marrë një rrugë. Do zoti e mbajnë këtë rrugë edhe këtë popull e shpëtojnë nga të gjithë pasojat që i ka mbuluar”,-tha Prend Përkola.
Përpjekjet e banorëve kundër lejes së shfrytëzimit të burimeve ujore
Në shkurt të 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit dhe të fabrikës së ujit. Çështja kaloi në apel pas ankimimit nga pala e ndërtueseve të këtyre dy objekteve.
Edhe pse një çështje në proces gjykimi, punimet vijonin dhe si rrjedhojë edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës.
Banorët iu drejtuan Gjykatës Administrative për shfuqizimin e lejes për përdorim të burimeve ujore, të dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor lejet e shfrytëzimit të burimeve ujore e përfunduan afatin dhe gjykata arsyetoi se nuk mund të shfuqizonte një akt që nuk ka më fuqi.
Arsyetimi i Gjykatës për shfuqizimin e lejes së ujit
Në mars të vitit 2022, ata i drejtuan një kërkesë Prefektit të Qarkut Lezhë, Këshillit të Basenit Ujor Mat, Bashkisë Mirditë dhe Njësisë Administrative Fan, ku kërkuan pajisjen e Njësisë Administrative Fan me leje për përdorim të burimit ujor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për blegtori.
Kjo kërkesë sipas banorëve nuk u mor parasysh, pasi institucionet e rinovuan lejen e përdorimit të ujit ndaj shoqërisë “Sang 1 sh.p.k”, gjatë kohës që çështja ishte në gjykim.
“Zbatimi i lejes nuk duhet të pengojë prodhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm të popullatës, plotësimin e nevojave për ujitje, sipas kërkesave të organeve të vetëqeverisjes”,-thuhet në vendimin e Këshillit të Basenit Ujor Mat, për rinovimin e lejes për shoqërinë “Sang 1” sh.p.k.
Banorët e vijuan betejën e tyre duke iu drejtuar përfaqësuesve të pushteteve vendore dhe qëndore, përkatësisht kryeministrit Edi Rama, Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja. Prej të cilëve nuk morën asnjëherë përgjigje.
“Në mungesë të planit të menaxhimit të Basenit Ujor, në mungesë të një inventari lidhur me nevojat e zonës për ujë të pijshëm dhe ujë për bujqësi e blegtori, nga ana e organeve kompetente nuk duhet të jepet asnjë leje për përdorim të burimeve ujore për destinacione të tjera pa garantuar nevojat jetësore të banorëve të zonës ”,-theksojnë në letrën drejtuar përfaqësuesve shtetërore banorët e zonës.
Ndërsa, Bashkia Mirditë u shpreh se tokat bujqësore në fshatrat Thirrë, Sang dhe Hebë kryhen me rrjedhje të lirë nga përrenjtë, lumenjtë dhe burimet e ndryshme në afërsi të fshatrave, duke vënë në pah nevojën e banorëve të këtyre fshatrave për të shfrytëzuar këto burime ujore.
Dy vite rezistencë qytetare
Që prej prillit të vitit 2021, komuniteti i zonës u organizua kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe një fabrike uji.
Sipas banorëve kompania kishte filluar punën me firma të falsifikuara të banorëve. Ata rrëfyen se asokohe u ishte thënë se hidrocentrali do të ndërtohej poshtë zonës së tyre, duke mos u prekur drejtpërdrejt në veprimtarinë e tyre bujqësore dhe agrikulturore.
Pas protestës së banorëve, policia shoqëroi 33 protestues dhe arrestoi 4 prej tyre për shkak të protestës së paligjshme dhe bllokimit të lëvizjeve të mjeteve në aksin Milot-Morinë.
Kompania që po ndërton HEC-in në Thirrë të Mirditës, me një vendim të 26 qershorit 2019 ka marrë licencën për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.
Më 25 shkurt 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës. Ndërsa në qershor 2023 me një vendim të saj pezulloi edhe punimet deri në përfundim të gjykimit.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).