Universitetet shqiptare mbeten larg transparencës sa i përket shpenzimeve që ato kryejnë. Të mërkurën, Qëndresa Qytetare prezantoi të dhënat e monitorimit fiannciar në 7 universitete të vendit. Gjatë tryezës u ekspozuan shifrat si dhe shkeljet e universiteteve që nuk kanë pranuar të japin informacion.
Dhimitër Zguro, pjesë e grupit të monitoruesve, u shpreh gjatë diskutimit se ka hasur disa shkelje të se drejtës për informim.
“Një mungesë totale e transparencës dhe shkelje e ligjit për të drejtën e informimit. Më vjen keq kur kjo ndodh në Fakultetin e Drejtësisë dhe vet profesorët që na kanë mësuar mbi përgjegjësinë i shmangen asaj”, u shpreh Zguro.
Sipas monitorimit, universitetet kanë shpenzuar 2.4 milion euro vetëm për ruajtjen e godinave. Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 637,454 euro dhe Universiteti i Elbasanit 590 mijë euro për sigurimin e godinës me 19 roje.
Për kategorinë “Honorare dhe shpërblime” në të shtata universitetet janë shpenzuar 2,862, 663 euro, ku Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 391, 400 euro, i Elbasanit 555, 900 euro dhe dhe Politekniku me shifrën më të lartë prej 1,500,000 euro.
Kolindo Vjerdha në prezantimin e rezultateve u ndal tek shpenzimet kyçe të çdo universiteti, ku theksoi se Universiteti i Tiranës ka shpenzuar më shumë në detergjentë, plot 103 100 euro. Po ashtu, ky universitet ka shpenzuar 45,900 euro në flori dhe argjend për studentët dhe 160,000 euro bojë printeri dhe letra A4.
“Universiteti i Korçës është për udhëtimi që ja fokusuar këtij zëri 35 mijë euro. UPT për rikontruksionin e godinës, Universiteti i Shkodrës për shpoenzime për mirëmbajtjen e objekteve ndërtimore 187 mijë euro, Universiteti i Elbasanit për mirëmbajtje databazë 116 mijë euro dhe Aleksandër Mojsiu në Durrës për dixhitalizimin e arkivës 265 mijë euro.Këto janë ato që ne për t’i ironizuar i kemi cilësuar si shpenzimi i vitit”, u shpreh Vjerdha.
Ai nënvizoi se ka pasur një përmirësim të disa zërave. “Ne kemi vite që monitorojmë dhe kemi punuar në këtë aspekt dhe duhet thënë se ka pasur përmirësim të disa zërave ndër vite”, tha Vjerdha.
Krahasuar me vitin 2019 shtatë universitetet rritën buxhetin për “Studime dhe kërkime” dhe “Libra dhe publikime”.
Nga 18,290 euro në 2019 universitet shpenzuan 79,034 euro në 2023 për studime dhe kërkime. Po ashtu nga 20,128 euro në 2019 për libra dhe publikime, në 2023 kanë shpenzuar 225,122 euro.
Po ashtu kanë reduktuar shpenzimet që në monitorimet e mëparshme janë kategorizuar si jo prioritare, sikurse janë karburant makine dhe telefon apo internet stafi.
Në vitin 2019 universitet kishin shpenzuar 86,691euro për karburant, ndërsa në 2023 shifra ka rënë në 50,683 euro. Po kështu edhe me telefon dhe internet për stafin, shifra është reduktuar nga 66,001 në 2019 në 36,042 në 2023.
Monitoruesit kanë dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e situatës.
“Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë duhet të zbatojë VKM 781, duke përditësuar dhe plotësuar me kategoritë që mungojnë në portalin u-transparenca”, është një prej rekomandimeve.
Së dyti i kërkohet ministrisë të inspektojë buxhetet, transaksionet dhe ofrimin e shërbimeve të universiteteve publike sipas parashikimeve të ligjit për arsimin e lartë. Së treti rekomandohet ritja e transaprencës, po ashtu rritja e buxhetit për kërkim shkencor dhe pasurim të bibliotekave.
Qëndresa Qytetare rekomandon që këshillat studentorë dhe studentët aktivë të bëhen pjesë e vendimarrjës duke verifikuar çdo blerje dhe çdo kontratë.
Po ashtu rekomandojnë që këshillat studentore dhe studentët “të kërkojnë nga anëtarët e Bordit të Administrimit të zgjedhur prej tyre llogari periodike për çdo veprim financiar që ka ndërmarrë universiteti”.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.