Një grup organizatash të shoqërisë civile dhe aktivistë të të drejtave të njeriut i kanë drejtuar sot qeverisë shqiptare një thirrje për rishqyrtimin e marrëveshjes së imigracionit me Italinë.
Protokolli i nënshkruar mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni u publikua më 7 nëntor nga Këshilli i Ministrave. Nisma parashikon përdorimin e territorit shqiptar për krijimin e zonave të destinuara për pritjen dhe mbajtjen e refugjatëve azilkërkues.
Sipas marrëveshjes afati i qëndrimit të imigrantëve në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të jetë më i gjatë sesa periudha maksimale e lejuar nga legjislacioni përkatës italian. Por nuk ka parashikime se çfarë pasojash ka shkelja e këtij afati qëndrimi në raport edhe me kohëzgjatjen reale të shqyrtimit të kërkesave për azil.
“Duke patur në konsideratë të dhënat se Italia shqyrton kërkesat për azil në afate shumë të gjata (6 muaj deri në 1 vit) kjo mund të rezultojë në heqje të padrejtë të lirisë së lëvizjes për azilkërkuesit, duke cenuar parimin ndërkombëtar të “moskthimit të azilkërkuesit” me pasoja potencialisht ligjore për shtetin shqiptar”, – citohet në apelin e dërguar.
Në apel theksohet edhe mungesa e transparencës apo e konsultimit publik të marrëveshjes, si dhe mungesa e informimit zyrtarisht i institucioneve më të larta si Presdineti dhe Kuvendi, si edhe komunitetin lokal dhe publikun e gjerë duke përbërë një zhvillim shqetësues dhe devijim negativ nga praktika dhe standardet e vendeve demokratike.
“Duke marrë parasysh kompleksitetin e imigracionit në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të detyrimeve ndërkombëtare mbi mbrojtjen e personave në nevojë (Konventa e Gjenevës e 28 korrikut 1951 dhe Protokolli i 31 janarit 1967) dhe duke shpresuar se historia e dhimbshme e emigracionit shqiptar të tre dekadave të fundit të shërbejë si mësim,kërkojmë tërheqjen e Shqipërisë nga ky protokoll”, – përfundon apeli.
Kundërshtime nga Bashkimi Europian
Marrëveshja Rama-Meloni për procesimin e kërkesave për azil në Shqipëri të refugjatëve ka shqetësuar edhe organizatat ndërkombëtare.
“Masat e propozuara në protokoll rrisin në mënyrë të ndejshme rrezikun për të ekspozuar refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. Bartja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete stimulon shtetet e tjera që të veprojnë njësoj, gjë që rrezikon që të krijojë një efekt domino që të do minonte sistemin evropian dhe botëror për mbrojtje ndërkombëtare” – tha Dunja Mijatoviq, Komisionerja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës.
Ajo theksoi se garantimi që azili mund të kërkohet dhe vlerësohet në territoret e vetë shteteve anëtare mbetet një gur themeli i një sistemi që funksionon mirë, në përputhje me të drejtat e njeriut.
“Kjo marrëveshje është e paligjshme, e pafuqishme dhe duhet të anulohet” – u shpreh organizata ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut “Amnesty Italia”.
Në reagimin e organizatës analizohet se njerëzit e shpëtuar në det nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë strehim në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të transferohen në një shtet tjetër përpara se të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil dhe situata individuale.
“Italia pretendon se personat e ndaluar në Shqipëri do të mbeten nën juridiksionin italian, por realiteti është se marrëveshja do të përdoret për të anashkaluar rregullat italiane, evropiane dhe ndërkombëtare me pasoja potencialisht shkatërruese për njerëzit që kërkojnë azil, të cilët mund t’i nënshtrohen ndalimit automatik dhe të zgjatur“ – analizon Elisa de Pieri nga “Amnesty Italia”.
Studiuesja Elisa de Pieri përfundon se Komisioni Evropian tashmë e ka bërë të qartë se rregullat evropiane të azilit nuk mund të zbatohen jashtë Bashkimit Evropian.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.