Prej disa muajsh, banorët e fshatit Mezhgoran i kanë kërkuar Bashkisë Tepelenë informacion për projektin e ujësjellësit të ri që po ndërtohet në fshatin e tyre.
Pavarësisht protestave që vijojnë prej muajsh, ata ende nuk kanë arritur ta marrin këtë informacion. Në 6 nëntor ata u takuan me kryebashkiakun Tërmet Peçi, i cili në debat me një prej banorëve u shpreh se dokumentat “do i nxjerrë tani nga xhepi”.
Në të vërtetë, Bashkia përdori afatin maksimal që i garanton ligji (10 ditë pune), për ta kthyer mbrapsht kërkesën e banorëve, me një pretendim që nuk përfshin xhepin e kryetarit, por atë të banorëve.
“Lidhur me vënien në dispozicion të Projektit të miratuar, Vendimin e Këshillit Bashkiak si dhe me dokumentet e kompanive zbatues (kontraktorit), ju duhet të arkëtoni (nëpërmjet bankave të nivelit të dytë) në llogarinë bankare të Bashkisë Tepelenë, tarifën e përllogaritur të shërbimit 122.000 lekë sipas mandatit për arkëtim bashkëlidhur kësaj shkrese”,-thuhet në përgjigjen e bashkisë Tepelenë.
Sipas nenit 3 të ligjit për të drejtën për informim, çdo person gëzon te drejtën për informacion publik, pa u detyruar të shpjegoje motivet.
Në përgjigjen e bashkisë, ku kërkohet përcaktohet pagesa nuk nënvizohet në asnjë pikë një rregullore ku bazohet kjo tarifë. Ashtu sikurse sipas banorëve, kur kanë dorëzuar kërkesën për informacion nuk janë informuar për tarifën në mjediset pritëse për publikut.
“Kjo përgjigje qesharake na ka lënë pa fjalë! Në përgjigjen e tyre ata nuk përmendin ndonjë ligj të caktuar për të justifikuar këtë tarifë, biles, edhe në faturën për arkëtim, shuma prej 122.000 lekë cilësohet si “të tjera jo tatimore”,-shprehet për Citizens Channel Saimir Gjoni nga fshati Mezhgoran.
Ai e konsideron këtë komunikim të bashkisë si mungesë transparence, cila ka kohë që vijon.
“Për ne, kjo përgjigje joserioze nga ana e Bashkisë, tregon qartë se ata nuk disponojnë asnjë nga dokumentet dhe lejet e kërkuara. Kjo përgjigje tregon qartazi se mungesa e transparencës do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe se të gjitha këto dëshmojnë se punimet që po kryhen në fshatin tonë, po kryhen në mënyrë të jashtëligjshme”.
Sipas banorëve informacionet janë kërkuar disa herë nga bashkia Tepelenë, por nuk kanë marrë një përgjigje.
“Bashkia Tepelenë dhe Kryetari i saj, pasi kanë zvarritur dhënien e dokumentacionit të kërkuar nga ana jonë që prej datës 6 tetor, kur është dorëzuar kërkesa e parë nga Kryetari i fshatit, kanë vijuar të tregojnë mungesë transparence duke nxjerrë justifikime dhe pengesa të ndryshme. Kërkesës së parë të dorëzuar nga përfaqësuesi ynë ligjor, z. Zaçe Islami, ju përgjigjën në këtë mënyrë: “Ju duhet të specifikoni konkretisht dhe qartë se çfarë dokumentesh kërkoni.. Duke marrë parasysh këtë përgjigje, avokati ynë, në datën 26 tetor, dorëzoi në bashki një kërkesë tjetër me pesë pika të specifikuara.”
Banorët shprehen se do të vijojnë përpjekjen e tyre për të kundërshtuar projektin e ujësjellësit, i cili sipas banorëve do të dërgojë ujin e fshatit Mezhgoran në fshatin përballë, atë të Peshtanit, ku do të ndërtohet një kompleks turistik privat.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).