Në vitin 2019, 24 familjeve që banojnë në qendër të Fierit iu komunikua se do të shpronësohen për t’i hapur rrugë projektit ”Rehabilitimi i lumit Gjanicë”, “Rikonceptimi i qendrës së qytetit” dhe “Ndërtimi i Stadiumit të Lojërave me Dorë”,
“Në momentin e parë të takimit me kryetarin e bashkisë na u tha se do të ndërtoheshin pallate 20 katëshe dhe ne do të merrnim pjesën tonë aty. Madje e kemi të regjistruar”, – tha për Citizens Channel Valentina Skënderaj, një nga banoret e prekura nga projekti.
Në mars të vitin 2021, banorëve iu erdhi një shkresë që i lajmëroi se duhet të linin shtëpitë për t’u shpronësuar. Për shkak të proceseve gjyqësore dhe rezistencës së tyre, shembjet nisën më shumë se dy vjet më vonë, në tetor të këtij viti, ku u rrëzuan 12 objektet e para.
“Pse s’më tregon projektin urbanistik të zhvillimit? Unë dua të shoh, në shtëpinë time çfarë do ndërtohet? Projekti duhet të mbaj datën dhe firmën e asaj periudhe që na ka nxjerr nga shtëpia, projekti nuk duhet të mbaj datën e djeshme, pardjeshme, kur ne kemi dal prej vitesh jashtë”, – vijon Skënderaj.
Banorët pohojnë se Bashkia Fier i ka propozuar kompensimin me vlerë 60% të vlerës së pronës së tyre për mungesë buxheti.
“Ca do bëj me 15 milionë unë, ça do marr, hë ça do marr, më thuaj mua ça do marr! Merret shtëpia me aq lekë? ”, – thotë Fatbardha Laze, një tjetër banore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 124 395 382 (njëqind e njëzet e katër milionë e treqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e treqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, do të përballohet:
- 27 088 361 (njëzet e shtatë milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e një) lekë, nga buxheti i Bashkisë Fier;
- 97 307 021 (nëntëdhjetë e shtatë milionë e treqind e shtatë mijë e njëzet e një) lekë, nga shpenzimet e miratuara në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit “Planifikimi urban” në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2022.
Shembje shtëpiash pa projekt urbanistik
Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Fier për të mësuar konkretisht çfarë parashikohet të ndërtohet në hapësirën ku po shemben shtëpitë, por institucioni u përgjigj se kërkesa për shpronësim dhe vendimet janë bërë nga Këshilli i Ministrave, kështu që dhe projekti apo zbatimi i tij bëhet prej Qeverisë.
Më pas ju drejtuam Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e cila e delegoi sërish kërkesën tek Bashkia e Fierit.
“Lidhur me projektin Rehabilitimi i lumit Gjanicë”, “Rikonceptimi i qendrës së qytetit” dhe “Ndërtimi i Stadiumit të Lojërave me Dorë”, pala ankuese duhet të drejtohet pranë Bashkisë Fier, në cilësinë e vetë subjektit kërkues të shpronësimit dhe institucionit kompetent për ndjekjen, zbatimin dhe realizimin e këtij projekti“, është përgjigja e Ministrisë.
Në një kërkim të thjeshtë për çmimet e apartamenteve në qendër të Fierit, për të parë nëse banorët mund të përballojnë nëj apartament të ri, me 60% të kompensimit të parashikuar nga Bashkia Fier, duket se është pothuajse e pamundur.
Çmimet e tyre variojnë rreth 75 mijë euro, për apartamentet me dy dhoma dhe 120/140 mijë euro për apartamentet me tre dhoma.
Ndërkohë sipas vlerave të shpronësimit në VKM, dëmshpërblimi që do marrin banorët e mbetur tashmë të pastrehë (që varion nga 15 – 29 milionë lekë) nuk mjafton për të mbuluar gjysmën e kostove të një apartamenti në qytetin e Fierit.
“Bëra tetë muaj paguaja bonusin, më premtuan që do marrësh bonus, do marrësh bonus dhe sot e kësaj dite unë nuk e kam marrë”, – përfundon Myenvere Omeri, e cila pretendon se Bashkia Fier i kishte premtuar se do ti paguante edhe koston e qirasë.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.