Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bashkia Tepelenë kërkon 1,200 euro për informacion publik

Bashkia Tepelenë i kërkoi Citizens Channel 122,000 lekë për të dhënë informacion mbi projektin e ujësjellësit të ri që po ndërtohet në fshatin Mezhgoran.

Citizens Channel iu drejtua bashkisë Tepelenë me një kërkesë për informacion për të mësuar më shumë mbi procesin e ndjekur për të zbatuar projektin e ujësjellësit në Mezhgoran, që prej muajsh po kundërshtohet nga banorët.

Kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tepelenë

Në përgjigje të kërkesës bashkia u përgjigj se: “Lidhur me vënien në dispozicion të Projektit të miratuar, Vendimin e Këshillit Bashkiak si dhe me dokumentet e kompanive zbatuese (kontraktorit), ju duhet të arkëtoni (nëpërmjet bankave të nivelit të dytë) në llogarinë e Bashkisë Tepelenë, tarifën e përllogaritur të shërbimit 122.000 lekë, sipas mandatit për arkëtim bashkëlidhur kësaj shkrese”.

Të njëjtën përgjigje bashkia ka aplikuar edhe për banorët e fshatit Mezhgoran, të cilët përmes avokatit të tyre kërkuan informacion për projektin.  Në përgjigjen e bashkisë, ku  përcaktohet pagesa nuk nënvizohet në asnjë pikë një rregullore ku bazohet kjo tarifë.

Sipas nenit 3 të ligjit për të drejtën për informim, çdo person gëzon te drejtën për informacion publik. Edhe në rast se vendoset një rregullore për tarifat e shërbimit, në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë tarifat e referencës së Komisionerit që është pak a shumë 5 lekë për faqe.

Prej disa muajsh banorët janë ngritur në protesta, pasi kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit që merr ujin e Mezhgoranit për ta çuar në fshatin Peshtan, ku po ndërtohet një resort turistik privat.

Kontrata për projektin e ujësjellësit është lidhur që në vitin 2021, por nuk është zbatuar për shkak të rezistencës së banorëve. Sipas projektit, kohëzgjatja e punimeve do të ishte 4 muaj.

Por tanimë, sipas tabelës së vendosur në hyrje të fshatit projekti do të zgjasë 12 muaj që prej nisjes së punimeve.

Të përfshirë në projekt janë 3 kompani. JV “G.P.G Company” shpk dhe “2T” shpk për kryerjen e punimeve dhe “Invictus “sh.p.k për mbikëqyrjen e punimeve.

Sipas banorëve, pas protestës së datës 6 nëntor para bashkisë Tepelenë, punimet janë ndërprerë, ndërsa banorët janë në proces të nisjes së procesit gjyqësor kundër këtij projekti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *