Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ngritja e propagandës për rënien e zonave të mbrojtura

Autor: Artan Rama* | Citizens Channel

Deputeti socialist, Fadil Nasufi, i cili pati detyrën, në emër të një grupi prej dymbëdhjetë deputetësh, për të prezantuar ndryshimet e propozuara në ligjin “Për zonat e mbrojtura” pohoi dje në Kuvend, përpara Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, se ndryshimet në fjalë u hartuan “në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit”.

Ideja për të ndryshuar legjislacionin mjedisor që rregullon dhe kontrollon administrimin e zonave të mbrojtura të vendit, filloi të zhvillohej, në rrethe të ngushta brenda autoritetit shtetëror gjatë sezonit veror, por deri tani, roli i ministrisë nuk kishte rënë në sy të opinionit publik, pasi ndryshimet e propozuara u justifikuan me kërkesën e një numri kryetarësh bashkish, në emër të Shoqatës për Autonomi Vendore. Në fakt, kërkesa përmban firmat e kryetarëve dhe vulat respektive të vetëm trembëdhjetë bashkive të vendit, por jo vulën e shoqatës në fjalë.

Mbledhja u zhvillua online, pas një vendimi të paprecedentë në historinë e praktikës parlamentare shqiptare, të marrë nga shumica socialiste, të cilin juristja deputete Dhurata Çupi (PD), e ka quajtur një shkelje flagrante të Rregullores së Parlamentit, me të vetmin qëllim, shuarjen e zërit të opozitës.

Zhvillimi i seancave të mbyllura online i ndalon gazetarët për të qenë prezentë, fizikisht në sallë, duke i privuar ata dhe përfaqësuesit e popullit nga ballafaqimi me njëri-tjetrin dhe cenon llogaridhënien e drejtpërdrejtë të zyrtarëve publikë.

Mbledhja, e cila ishte lënë të mbahej të mërkurën në orën 12:00, filloi disa minuta me vonesë për shkak së nuk po arrihej numri i kërkuar i pjesëmarrjes (gjysma e deputetëve + 1) në mënyrë që takimi të mund të konsiderohej, ligjërisht, i vlefshëm. Ajo filloi vetëm pasi u sigurua minimumi i numrit të nevojshëm të deputetëve pjesëmarrës, por ra përsëri, nën minimumin e kërkuar, sapo nisi takimi. Dy prej deputetëve e ndoqën nga kabina e makinës së tyre, ndërsa ishin në udhëtim.

Arben Pëllumbi, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe të drejtuesit të takimit, informoi deputetët pjesëmarrës se grupe interesi, kryesisht organizata dhe individë të angazhuar në mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, kishin kundërshtuar projektligjin, duke komentuar në faqen e dedikuar online të Kuvendit, apo kishin kërkuar zhvillimin e seancave të drejtpërdrejta dëgjimore. Në orët e ardhshme pritet njoftimi nga Kuvendi se kur do të zhvillohen seancat në fjalë.

Një burim anonim nga administrata e Kryesisë së Kuvendit tregoi për “Citizens Channel” se të hënën (11 dhjetor), një përfaqësi e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë zhvilloi një takim informues mbi këto ndryshime, me përfaqësues të Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.

Prezantimi i djeshëm i ndryshimeve të ligjit “Për zonat e mbrojtura” në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ishte takimi i parë i cili çeli diskutimet publike, jo vetëm mes deputetëve, por edhe me takimet e pritshme me grupet e interesit, përpara se projektligji të kalojë në seancë plenare. Ndërkohë, “një draft i këtyre ndryshimeve, i ka kaluar, prej disa ditësh edhe Këshillit të Ministrave”, – pohoi Z. Pëllumbi.

Gjatë shqyrtimit, diskutimet në komision ishin të pakta (vetëm nga tre deputetë), ndërkohë që mungoi debati. Përfaqësuesit socialistë recituan dedikime për mjedisin, për habitatet dhe ekosistemet e egra dhe si gjithmonë, për ndryshimet e klimës. Kryetari Pëllumbi, komisioni i të cilit ka rënë dakord që të marrë në konsideratë miratimin e projektligjit që i heq zonave të mbrojtura mbrojtjen, u përbetua më shumë se një herë në emër të natyrës dhe gjelbërimit.

Në një moment, deputeti (Ismet) Beqiraj , kërkoi që të sqarohej më në detaj, në referencë të një prej amendimeve që lejonte zhvillimin e infrastrukturës së naftës dhe të gazit brenda territoreve të zonave të mbrojtura, por nuk mori përgjigje.

Fadil Nasufi, lideri i ndryshimeve, u shpreh se “Shqipëria nuk e ka luksin që të tkurret në pamundësitë e zhvillimit, duke mos shfrytëzuar 21,4 % të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura me politika ndalimi ose bllokimi, duke i konceptuar zonat e mbrojtura si ishuj të izoluar, ku mungon prezenca e turistëve…”.

Gjatë diskutimit, zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Almira Xhembulla, informoi deputetët se disa milionë turistë që vizituan vendin gjatë këtij viti, kishin treguar interes për turizmin e natyrës, ekoturizmin, apo turizmin rural.

Në relacionin që shoqëron ndryshimet (përgatitur nga deputetë me formim pa kurrfarë lidhje me ekspertizën apo përvojën mjedisore, CV-të e të cilëve u përkasin, kryesisht, biznesit dhe sigurisë fizike), theksohet nevoja për të krijuar vende pune dhe ekonomi, por pa përjashtuar mbrojtjen e biodiversitetit dhe të zonave të mbrojtura.

Në kontekstin e një trushplarje kombëtare të gjelbër, e shprehur veçanërisht me Vjosën, zhurma e së cilës ka si qëllim çorientimin e opinionit publik, hapja e parqeve kombëtare për zhvillim rrezikon të shënojë, jo thjesht humbjen e integritetit të zonave të mbrojtura, por fundin e burimeve natyrore të vendit.

Nuk janë ndryshimet e klimës që na rrezikojnë së pari, as mbrojtja e parqeve natyrore nga zhvillimi ekonomik, siç pretendojnë politikanët e paditur, por makutëria për hapje e një grupi që synon përfitime të mëdha, në emër të shumicës.

* Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *