Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Një zhvillim skandaloz” mjedisorët të shqetësuar për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura

Zonat e mbrojtura po rrezikohen nga ndryshimet ligjore që i hapin rrugë investimeve dhe aktivitetit industrial.

Të mërkurën, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi shqyrtimin e propozimit të ardhur nga 12 deputetë të Partisë Socialiste.

Deri më tani, 5 organizata dhe 1 individ kanë shprehur kundërshtitë e tyre mbi projektligjin, në platformën online të konsultimit publik. Ata e kanë cilësuar ligjin një “zhvillim skandaloz” që cenon natyrën.

“Kundërshtoj kalimin e këtij ligji, pa u kaluar në gjithë hapat e konsultimit me specialistët e zonave të mbrojtura dhe argumentin e qartë në publik, se si ndryshimet në ligj do ndihmojnë zonat e mbrojtura”, argumenton ekspertja Silvana Xhaka.

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), shprehet se “ndryshimet e propozuara duket se kanë synim të kundërt me Ligjin 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, frymën e tij por edhe të Direktivave Europiane të përafruara nga ky ligj”.

Sipas AOS qëllimi i shpalljes së zonave si “zona të mbrojtura” është ruajtja dhe mbrojtja e larmisë biologjike natyrore, ndërsa nisma e re është në kundërshtim me këtë.

“Tendenca e projekt-ligjit është shikimi dhe trajtimi i zonave të mbrojtura, thjesht dhe vetëm si zona ekonomike në brendësinë dhe zemrën e të cilave mund të zhvillohet çdo lloj aktiviteti ekonomik i paqendrueshëm dhe i papranueshëm për ruajtjen e integritetit ekologjik të tyre”, thuhet në argumentimin që AOS ka bërë.

Organizata thekson se ndryshimet i kthejnë zonat e mbrojtura në “lulishte bashkiake” jo natyrore, të cilat pavarësisht funksioneve që kryejnë për komunitetin, nuk kanë asnjë vlerë dhe funksion natyror nga pikëpamja e habitateve.

Edhe organizata ILIRIA ka shprehur shqetësimin për këto ndryshime. Sipas kësaj organizate nëse Neni 1 miratohet i gjithë sistemi i zonave të mbrojtura bie.

Ky nen përcakton se“Kategoria e një zone të mbrojtur duhet të ndryshohet nëse nga vlerësimi në një kohë të dhënë rezulton se objektivat e përcaktuara dhe menaxhimi afatgjatë nuk përputhen me ato të kategorisë së përcaktuar”.

Projektligji i cilëson këtë si parimi i përshtatshmërisë, çka për shoqatën ILIRIA është në kundërshtim me parimin themelor të mbrojtjes së zonave të mbrojtura.

“Një vlerësim krejtësisht subjektiv i bazuar në këtë nen të propozuar, do bënte që ne të mos kemi më asnjë Park Kombëtar”, thuhet në argumentimin e organizatës ILIRIA.

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) po ashtu shprehu shqetësimin ndaj amendamenteve të propozuara. Sipas INCA, amendamentet synojnë të sigurojnë bazë ligjore për ndërhyrjet e zhvillimit brenda territorit të zonave të mbrojtura.

“Qëllimi i ndryshimeve është kundër qëllimit dhe fushëveprimit të përgjithshëm të ligjit”, argumenton INCA.

Por pavarësisht argumenteve dhe kundërshtive të organizatave, deputetët e PS e konsiderojnë këtë një zhvillim të nevojshëm, të nxitur nga rritja e turizmit.

Deputetët nënshkrues janë: Fadil Nasufi, Florenc Sapho, Arkent Balla, Edona Bilali, Bujar Çela, Anduel Tahiraj, Shpresa Marnoj, Mirela Pitushi,  Denis Deliu,  Klodjana Spahiu, Eselvera Zake dhe Eduart Ndresa.

Në diskutimin e së mërkurës deputeti Fadil Nasufi  u shpreh se administratorët vendor të bashkive kërkojnë marrjen në konsideratë të ndryshimeve ligjore pasi sipas tyre ligji është i cunguar dhe konservator.

Kryefjala e diskutimit ishte zhvillimi dhe turizmi. Nasufi u shpreh ndër të tjera se Shqipëria nuk e ka luksin ti konceptojë Zonat e Mbrojtura si ishuj të izoluar, duke nënkuptuar kështu atë që organizatat kanë shprehur si shqetësim, pra hapjen e këtyre zonave për zhvillim.

Ligji aktual përjashton mundësitë e shfrytëzimit të këtyre zonave, pasi qëllimi i tij është mbrojta e tyre, ndërsa për deputetët socialsitë kjo është kufizuese. Prandaj gjatë mbledhjes së të mërkurës theksuan se ndryshimet janë  një mundësi ekonomike për qeverisjen vendore dhe turizmin.

Kjo u përsërit si nga deputeti Nasufi, po ashtu nga deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Laert Duraj.

Së fundmi, kryetari i komisionit, Arben Pëllumbi përmendi kundërshtitë dhe shqetësimet e shprehura nga organizatat dhe shtoi se komisioni do të zhvillojë dëgjesa publike me palët e interesuara.

Tentativat për ndërhyrje në zonat e mbrojtura kanë nisur që para këtij propozimi.

Ligji i shumë debatuar për Investimet Strategjike një nga elementët problematik të tij ka pikërisht ndërhyrjen në zona të mbrojtura. Në 2 vitet e fundit që ky ligj është shtyrë, janë miratuar 5 projekte brenda territorit të Zonave të Mbrojtura ose pranë Monumenteve  Natyrore.

Qeveria e ka mbështetur hapur këtë propozim të deputetëve. Ishte kryeministri Edi Rama ai që gjatë një aktiviteti për Vjosën u shpreh se “Leksionet morale sesi duhet të sillemi me natyrën qeveria jonë nuk i pranon dot”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *