Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Jo kampeve burg”, aktivistët kërkojnë shfuqizimin e marrëveshjes me Italinë

Në një seancë me dyer të mbyllura të mbajtur të enjten, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi marrëveshjen e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për strehimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm në zonën e Lezhës.

Ky proces erdhi si rezultat i një kërkese të bërë nga 30 deputetë të opozitës, të cilët e konsideruan marrëveshjen anti-kushtetuese.

Në këtë kontekst, deputetët kërkuan përfshirjen e opinionit nga Gjykata e Strasburgut për vlerësimin e marrëveshjes me Italinë. Duke nisur nga sot, gjykatësit kanë një afat 30-ditor për të marrë një vendim përfundimtar.

Gjatë seancës, një grup qytetarësh dhe aktivistësh mbajtën një protestë për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj kësaj marrëveshjeje. Ata argumentuan se ajo shkel Kushtetutën dhe abuzon me parimin e ekstra-territorialitetit.

Aktivistja Arilda Lleshi nga Lezha, zona ku parashikohet të ndërtohet kampi, theksoi se zgjidhja e çështjes së emigracionit botëror nuk duhet të jetë përgjegjësi e shtetit shqiptar.

“Komuniteti është kundër kësaj marrëveshjeje, precedenti është i rrezikshëm dhe marrëveshja nuk është e dejtë as për vetë emigrantët që do vijnë këtu”, u shpreh Arilda Lleshi.

Në anën tjetër, protestuesit theksuan se thirrja e tyre nuk është kundër emigrantëve, por kundër mënyrës se si është arritur kjo marrëveshje që sipas tyre shkel sovranitetin. Jesmina Sengla theksoi se mungesa e konsultimit me qytetarët e Republikës së Shqipërisë është shqetësuese dhe ndikon modelin e zhvillimit të vendit.

Emilajando Kita vendosi theksin tek trajtimi i emigrantëve. “Diskriminon masivisht emigrantët të cilët kanë gjetur çdolloj rrugë mënyrë për të shkuar në vende si Italia”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan marrëveshjen më 6 nëntor në Romë, duke përcaktuar që porti do të jetë në Shëngjin dhe kampi në Gjadër. Ekspertët e ligjit e konsiderojnë këtë marrëveshje si një abuzim me parimin e ekstra-territorialitetit.

Dorian Matlija, jurist dhe drejtues i qendrës ligjore “Res Publica”, shprehet problemi kryesor është sovraniteti.

“Me atë marrëveshje Shqipëria po i jep Italisë një territor, i cili nuk do jetë një territor që do përdoret si diçka me qira por po i jep një territor ku do aplikohet juridiksioni italian”, thotë Matlija.

Kështu i gjithë sistemi ligjor që do të aplikohet aty është sistemi italian. Matlija shprehet se ka rregulla se si ky parim funksionon dhe mori si shembull rastin e ambasadave, që sipas tij nuk mund të aplikohet në një rast si ky.

“Në rast se do të ketë një ngjarje kriminale, cili shtet do ta hetojë?”, është pyetja që ngre Matlija, duke shtuar se nëse ngjarja ndodh brenda kampit do jetë e autoriteteve italiane dhe shqiptarët nuk bëjnë dot asgjë.

Kriza e emigrantëve në Evropë është duke u thelluar dhe për ekspertët kjo marrëveshje mund të shërbejë edhe si një precedent i rrezikshëm për të ardhmen.

“Refugjatët gjithnjë e më shumë do të shtohen dhe jo vetëm Italia do të ketë nevojë por edhe vende të tjera do duan ta përdorin këtë lloj mekanizmi”, thotë Matlija.

31 organizata kanë nënshkruan një opinion miqësor për gjykimin e kësaj marrëveshje, duke renditur disa pika ku shkelet Kushtetuta.

Së pari, mos marrja e plotfuqisë nga presidenti për miratimin e kësaj marrëveshje bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës, duke e bërë këtë marrëveshje antikushtetuese.

Së dyti, papajtueshmëria me Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare.

Së treti, pavarësia dhe tërësia territoriale.

Organizatat përmendin se marrëveshja është bërë pa konsultim publik, ka mungesë qartësie si dhe cenon standardet europiane në fushën e azilit dhe të drejtat e njeriut.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *