Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ligji “i përkohshëm” për investime strategjike shtyhet në 2027

Ligji “Për investimet strategjike” i prezantuar si i përkohshëm nga qeveria në vitin 2015 po kthehet në një ligj të përhershëm. Qeveria propozoi shtyrjen e katërt të afatit, këtë herë deri në vitin 2027.

Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financave, Eduard Shalsi dorëzoi një propozim ku së bashku me shtyrjen e afatit ka propozuar dhe disa ndryshime në vlerat e investimit dhe punësimit.

Kështu, me ndryshimet ligjore vlera e investimit do të rritet në 100 milionë euro. Ndërsa parashikohet t’i jepet më shumë rol ministrive të linjës për përgatitjen e kontratave dhe studimeve.

Sipas relacionit, nga viti 2016 deri më tani janë trajtuar 88 projekte investimi, nga të cilat 44 kanë përfituar statusin dhe 34 janë në fazë vlerësimi, ndërsa 14 janë refuzuar.

Citizens Channel ka raportuar më herët për problematikat që ka sjellë ligji për investimet strategjike. Një analizë e vendimeve të agjencisë që mbikëqyr propozimet, zbuloi se pjesa më e madhe e investimeve janë dhënë në fushën e turizmit dhe u fituan nga kompani vendase edhe pse qëllimi kryesor i këtij ligji ishte thithja e investimeve të huaja.

Dhënien e investimeve në fushën e turizmit e konfirmon dhe relacioni. “Pjesa me e madhe e këtyre projekteve janë në sektorin e turizmit ose turizëm i integruar”, thuhet në relacion.

Më tej, shtyrja e afatit arsyetohet me argumentin se “fluksi dhe stoku i investimeve te huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 31 dhjetor 2027”.

Por në fakt vetëm 4 investime kanë kompani të huaja nga të cilat 2 janë në bashkëpunim me investitor vendas.

Edhe ekspertët kanë theksuar se ky ligj ka dështuar në thithjen e investitorëve të huaj dhe se është ligj klientelist që është përdorur për të “kënaqur njerëzit e afërt me pushtetin”.

Qeveria shqiptare i ka dhënë 5.8 milionë metër katror tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin, nga të cilat 23 milionë m2 në bregdet, përmes ligjit për Investimet Strategjike.

Vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike, tregojnë se bregdeti i jugut mbetet zona më e lakmuar për investitorët strategjikë.

Investimet nga kompanitë vendase dhe njerëzit e afërt me pushtetin, kanë krijuar kantiere masive ndërtimi në kodrat e gjelbëruara të jugut, të cilat po kthehen në resorte ekskluzive vilash.

Referuar të dhënave të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), 23 projekte janë miratuar për investime strategjike në fushën e turizmit vetëm në bregdet.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *