Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pa status, mijëra punonjës të call-centerave kërkojnë njohjen e profesionit

Prej 10 ditësh, punonjësit e sektorit call-center pasi përfundojnë orarin e punës, ndërrojnë turnet pranë stendës së vendosur para Bibliotekës Kombëtare, për njohjen ligjore të profesionit.

Tavolina e vogël me lista emërorë mbledh pranë vetes çdo ditë qytetarë për të nënshkruar për miratimin e statusit për operatorin telefonik. Kjo nismë, e ndërmarrë nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë (SKOT) tenton të adresojë disa nga shqetësimet kryesore të këtij sektori, ku më kryesori mbetet njohja ligjërisht e profesionit.

Problematika kryesore që ne hasim është se ky profesioni ynë nuk njihet ligjërisht. Të njihen sëmundjet profesionale. Të ulet mosha e pensionit, kemi parashtruar në status që të jetë me 20 vite punë në sektor, të kemi mundësi të dalim në pension të parakohshëm ose të bëhet një pension i posaçëm për këta që punojnë në sektor”,– shprehet për Citizens Channel, Ilir Xhemalaj nga SKOT.

Po ashtu, ata kërkojnë edhe njohjen e vjetërsisë së punës dhe pagesën në bazë të saj.

“Një operator i vjetër me 10 vite eksperiencë paguhet njëlloj me një operator që hyn sot në vendin e punës”,– sheh me shqetësim Xhemalaj.

Sektori i call-centerave ka qenë opsion premtues për shumë të rinj për tu punësuar gjatë studimeve të tyre. Mirëpo, pas pandemisë edhe ky sektor ka pësuar tkurrje si pasojë e emigrimit dhe ndryshimeve të preferencave sa i takon gjuhëve të huaja.

“Shumë të rinj kanë emigruar. Ata që kanë ngelur këtu janë kryesisht mosha pak më të mëdha. Ne si sektor punojmë në gjuhën italiane, 90%  dhe gjuha italiane është rrudhur, pra nuk ka më të rinj që mësojnë italishten. Janë vetëm ata breza, të cilët e kanë mësuar në njëfarë mënyre dhe ata breza janë që vazhdojnë punojnë. Nuk kemi prurje të reja të gjuhës italiane”,– tha Iliri Xhemalaj.

Që propozimi për miratimin e statusit të kalojë për diskutim në Kuvend, duhet që të mblidhen 20 mijë firma nga qytetarët.

“Pasi ne të mbledhim 20 mijë firmat, rruga që do të ndiqet është procedurë ligjore, pra do paraqitet në komisionet parlamentare dhe më pas do të çohet në parlament për miratim. Ne e dimë që rruga nuk është e lehtë, por jemi të vendosur ta çojmë përpara procesin dhe pastaj të shohim ditë pas dite, hap pas hapi për realizimin e këtij statusi”, -përfundon Xhemalaj.


Momentalisht ky sektor ka vetëm dy organizime punonjësish në formë sindikatash, sikurse SKOT dhe Sindikata e Punonjësve Post-Telekomit Shqiptar. Ndërsa është përballur me një sërë problematikash sikurse mos pagesa e festave zyrtare, shkelje të Kodit të Punës, si dhe presione nga kompanitë drejt punonjësve për shkak të përfshirjes në angazhim sindikal.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *