Citizens.al

Tkurrja e hapësirave kulturore, artistët po vetorganizohen për të mbijetuar

“Skena artistike vendase dhe hapësira ku ajo u zhvillua gjatë dy dekadave, janë përshtatur për të siguruar mbijetesën“ – citohet në esenë e arkitektit dhe hulumtuesit artistik, Elian Stefa.

Punimi  “Ndërtimi i një skene, platforma ekspozimi dhe arti bashkëkohor në Shqipërinë e tranzicionit” nxiti dje një diskutim mes qytetarësh artdashës. Fokusi i diskutimit ishte mungesa e hapësirave për ekspozim dhe sesi paqëndrueshmëria ndër vite mund të çoj drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për grupimet e vetorganizuara artistike.

“Në praktikën kulturore të Shqipërisë, nuk është aspak e rrallë të hasen zgjidhje të llojit “bëje vetë“ apo marifete të tjera, zgjidhje kjo e lindur nga nevoja, apo në mungesë alternativash “- thekson Stefa.

Stefa gjithashtu sjell në vëmendje sesi ndërtesat e rrënuara dhe të përshtatura në Tiranë shërbyen si formë ekspozimi.

“Bienalja shndërroi fasada të tëra blloqesh banimi, përmes ftesës që u bëri artistëve ndërkombëtarë, për ti përdorur si kanavaca të tyre“- citohet në ese.

Ekosistemi artistik mbijetoi përmes investimit personal në të, përmendim këtu artistë që drejtonin dyqane me qira, apo depo të braktisura të shndërruar në hapësira kulturore të pavarura.

 “Uzina është themeluar në korrik të 2019 dhe ky model ka funksionuar në qytetet e tjera, fakti që Tirana s’diti ta mbante … “- tha Aurora Birbilaj dje gjatë takimit, duke kujtuar sesi qyteti ka humbur tashmë një vetorganizimi kulturor të mirëfilltë siç ishte qendra “Uzina“.’

Ndërsa artistja vizuale Donika Cina solli në vëmendje gjatë diskutimit sesi organizatat kulturore kanë vështirësi financiare të thella, deri në mbajtjen e hapësirës.

“Shumica e organizatave të artit, duke përfshirë edhe Galerinë e Bregdetit funksionojnë sepse janë pronarët e hapësirës.  Hapësirat që kemi, kanë qenë investim personal i atyre që ja kanë lejuar vetes ta bëjnë këtë investim“- analizoj Cina.

Në punimin e tij Elian Stefa ka renditur një sërë hapësirash që kanë funksionuar një periudhë kohe dhe më pas për shkak të xhentrikimit kanë vdekur, por edhe ato që janë operacionale në ditët e sotme. Përmendim këtu: Qendra për Art Bashkëkohor ZETA, Tirana Ekspres, MIZA Galeri, Tirana Art Lab, Galeria Kalo, etj.

“Duhet një vetorganizim i skenës në tërësi, n.q.s. do ta ngremë nivelin nga këto shkëndija të vogla që të marr zjarri situata, duhet të ketë më shumë shkëndija që të ndizen njëra pas tjetrës “- përfundon Stefa.

Kjo ese është pjesë e serisë së shkrimeve mbi kulturën dhe artin e quajtur “Harta’’, komisionar nga UNAA dhe botuar në platformën ARCA.

Citizens Channel ka raportuar edhe më përpara për mungesën e hapësirave artistike në vend, por edhe për lëvizjen e vazhdueshme të qendrave kulturore – sociale  në Tiranë, si pasojë e shkatërrimit të vilave të vjetra.

Kujtojmë këtu rastin e piktorit Helidon Haliti i cili shfrytëzoi hapësirën e banjës së tij për të sjellë një ekspozitë, pas refuzimit të kërkesës së tij nga Galeria e Arteve, Tiranë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW