Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”, Erilda Duzha mes shkencës dhe sipërrmarjes inovative

Erilda Duzha ka dhënë një kontribut të veçantë në fushën e shkencës dhe inovacionit. Ajo ka krijuar një sipërmarrje të suksesshme dhe ka ndërmarrë hapa të guximshëm nga studimet universitare deri tek sipërmarrjet inovative.

Rrugëtimi i Erildës në fushën e shkencës nisi rastësisht, si një përgjigje ndaj sugjerimit të një mësueses së matematikës në gjimnaz. E përballur fillimisht me dyshime për zgjedhjen e degës Informatikë-Ekonomike, Erilda tregon se ky ka qenë një vendim që do ta rimerrte sërish pa hezitim.

Si shumica e të rinjve në kërkim të karrierës së tyre pas mbarimit të gjimnazit, Erilda u përball me mungesën e informacionit për tregun e punës dhe vështirësitë e zgjedhjes së një fushe studimi. Megjithatë, ajo ndoqi rrugën e Informatikës-ekonomike me përkushtim, duke kapur çdo mundësi për të përparuar në fushën e saj.

“Ishte një degë e re, nuk kishim shumë njohuri kjo t’i shtonte dhe më shumë dilemat, por na thuhej që do të gjenim punë sepse ishte degë që kërkohej dhe kështu e vendosa që ta merrja përsipër si hap”, rrëfen Erilda  e cila është pjesë e një serie bisedash me gratë në STEM (Shkencë, Matematikë, Inxhinieri dhe Teknologji), te realizuar nga SCiDEV.

Studimet në këtë degë ishin një sfidë, veçanërisht për një fushë të re me pak eksperiencë. Pas diplomimit, Erilda përballet me realitetin e tregut të punës, duke treguar se kalimi nga universiteti në jetën profesionale ishte më i vështirë se sa e kishte pritur. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi Erildën të sfidonte veten dhe të arrinte sukses në Tiranë, para se të vendoste të kthehej në qytetin e lindjes, Berat.

Ajo ka krijuar një sipërmarrje inovative në fushën e turizmit, fillimisht duke prezantuar një projekt audio-guide në Berat. Ky koncept i ri ka sjellë një ndryshim në mënyrën se si vizitorët përjetojnë qytetin, duke i ofruar atyre një eksperiencë më autonome dhe unike.

Gjithashtu, një nga pjesët më frymëzuese të rrugëtimit të Erildës është angazhimi i saj në bashkëpunim me vajza dhe gra të tjera nga rajoni në fushën e STEM. Përmes aktiviteteve të ndryshme, Erilda ka inkurajuar vajzat e reja të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të zgjedhin fusha shkencore. Ajo thotë se “shpërthimi i vajzave në këto fusha ka ndikuar në ndryshimin e mendësive, duke shembur stereotipet gjinore”.

Përveç sfidave në karrierë, Erilda përmend ndikimin e familjes dhe kulturës në vendimet e vajzave për të ndjekur fushat shkencore. Megjithatë, ajo vë në dukje se fuqizimi dhe promovimi i historive të ndryshme janë thelbësore në inkurajimin e vajzave për të shembur barrierat dhe stereotipat gjinore.

“Promovimi i historive të ndryshme dhe fuqizimi i grave në këto fusha janë kyç për të inkurajuar vajzat të ndjekin pasionin e tyre dhe të shembin barrierat dhe stereotipet gjinore“, – thotë me vendosmëri Erilda Duzha, një histori frymëzuese për gratë që shohin një të ardhme në botën e shkencës dhe inovacionit.

Podcast: Erilda Duzha në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *