Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”-Julita Bimbli, mes mësimdhënies dhe teknologjisë

Ishte viti 1996, kur Julita Bimbli, mësuese matematike në një prej gjimnazeve të Korçës, u përfshi në një degë të re si teknologjia e informacionit.

“Unë si mësuese e re atëherë, u përfshiva dhe u trajnova për të qenë edhe mësuese e teknologjisë së informacionit. Për mua kanë qenë vite shumë të bukura, vite të kaluara pranë të rinjve”,-rrëfen Julita si pjesë e një serie bisedash të realizuara me gratë në STEM (Shkencë, Matematikë, Inxhinieri dhe Teknologji) nga SCiDEV.

Sot, Julita është nëndrejtoreshë e shkollës profesionale teknike në Korçë, ku dhjetëra të rinj studiojnë në profile teknike, të teknologjisë dhe shkencave ekzakte.

Sfidat në profesion kanë qenë të shumta, megjithatë, Julita thekson se mbi të gjitha ka qenë pasioni për punën dhe dashuria mësimdhënien tek të rinjtë që e ka shtyrë të vijojë profesionin e saj.

“Të them të drejtën në vitet që ne mbaruam unë nuk e kam pasur dëshirë mësuesinë dhe kjo më ka ardhur gati-gati si e sforcuar. Kur erdhi koha për në tregun e punës, siç ishte edhe koha atëherë, do bëheshe mësuese në fshatra, të kalonim një përvojë pune në këto pozicione. Por për mua ishte shumë e rëndësishme që të bëja një stazh në mjedise të veçanta, edhe në fshat më bëri që unë të njoh edhe një komunitet më të gjerë”, -kujton Julita, ndërsa kthehet pas në kohë.

Eksperienca e gjatw si arsimtare nw kohwt e zhvillimeve tw vrullshme teknologjike, i ka mwsuar Julitws se edhe mwsimdhwnia duhet tw ndryshojw e tw pwrshtatet.

“Aktualisht që flasim, metodat e vjetra dhe tradicionale duhet t’jua lenë vendin metodave të reja. Dhe ne aktualisht implementojmë metoda të tilla që quhen të mësimit të kombinuar. Që nxënësit mësojnë edhe në mënyrë tradicionale, por edhe nëpërmjet pajisjeve digjitale, videove, metodave të reja të mësimdhënies, të punës me projekte me nxënësit, të krijimit të grupeve, ku nxënësit të mos mësojnë më në mënyrë individuale, por në grupe”, –shprehet Julita.

Megjithatë, mësuese Julita shprehet se sfidat në këtë sektor janë të shumta, sa i takon infrastrukturës shkollore më së shumti.

“Do të kisha dashur që mundësitë laboratorike dhe infrastruktura kompjuterike të kish qenë edhe më e mirë nga c’ka qenë. Sepse mund të them me plot gojë që gjatë 10 viteve jemi përballur me mungesën e infrastrukturës. Shumë e ndjeshme për të dhënë atë cilësi që do të donim që t’ju jepnim nxënësve tanë”, –ndan ajo nga eksperienca e saj.

Sipas mësuese Julita Bimbli, mundësitë për ta bërë mësimin sa më tërheqës për të rinjtë janë të shumta dhe ky është tanimë një qëllim kryesor.

Stereotipet që shpesh kanë shoqëruar shkencat ekzakte në aspekt gjinor duket se janë ende të pranishme, megjithë punën e përditshme të mësuesve në ndërgjegjësim.

“Në profile të tjera teknike, shumë profesionale absolutisht që ndjehet që djemtë janë më afër këtyre profesioneve. Aktualisht në shkollën e teknologjisë së informacionit, mund të themi që raporti vajza-djem lëviz nga 1 me 3, ose në raport 1 me 4 në favor të djemve”, -rrëgen Julita.

Megjithatë, ajo thekson se futja e degëve të reja sikurse programimi, ka ofruar së fundmi edhe vajzat, duke e zhbërë këtë raport.

“Por, pas një promovimi të vazhdueshëm, të përvitshëm dhe pas edukimit të karrierës, e cila po fillon që në klasat e shkollës 9 vjeçare po ndihet që edhe vajzat po afrohen drejt profesionit”.

Edukimi i karrierës është shumë i rëndësishëm në këtë proces, duke i afruar vajzat drejt degëve të shkencave ekzakte dhe kompjuterike. Sipas Julitës, në këtë proces është e rëndësishme të përfshihen edhe prindërit.

“Ne kemi pasur raste që na është dashur që të thyejmë stereotipin e prindërve për të zgjedhur për vajzat e tyre kur ato e kanë dëshirë që të zgjedhin profesione teknike. Dhe kur pastaj janë bërë bashkë prindërit dhe vajzat çdo gjë ka shkuar shumë mirë, secili të zgjedhë atë që do”.

Ndaj, dëshira e saj në punën e përditshme është ti shikojë vajzat dhe djemtë pa dallim njësoj të integruar në tregun e punës në fushën e STEM.

“Në qoftë se unë shikoj një vajzë në karrierë, një vajzë profesioniste, ajo është vajza që i thotë po së ardhmes së saj. Çdo vajzë duhet të investojë sot, në mënyrë që nesër të jetë e suksesshme në jetë, të jetë jo e varur nga burri, nga bashkëshorti, nga vëllai, nga babai, por të jetë zonja e jetës së vet”,-përfundon Julita.

Podcast: Julita Bimbli në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *