Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Stereotipet gjinore pengojnë gratë në zonat rurale të formalizojnë bizneset e tyre

Më shumë se 10 vite më parë, Beruze Çakalli nga Shirgjani i Elbasanit punët e përditshme në tokën e saj i materializoi duke krijuar një serë. Pas kësaj një vreshtari, ullinj dhe kivi duke punësuar edhe dhjetëra banorë të fshatit dhe zonave përreth.

“Ne kemi vreshta, kemi kivi, kemi ullinj, kemi edhe serë. Po sera një dynym është, pak është, po nga pak të gjitha”,-tregon Beruzja.

Mendësia për ta parë fshatin si një “fatkeqësi” ndryshoi për Beruzen, duke e konsideruar tanimë si një burim të ardhurash. Falë edhe mbështetjes së organizatave që punojnë në sektorin bujqësor e blegtoral, ajo organizoi edhe vajzat dhe gratë e tjera të zonave rurale.

“Mblidheshim, bënim takime. Jemi te 10-15 gra që jemi një grup në fshatin tonë. Flasim për punët e serave, të vreshtave, si ta luftojmë këtë insektin më mirë etj”.

Ky bashkim i grave në zonat rurale u shoqërua me paragjykime nga komuniteti ku ato jetonin, të cilat me kalimin e viteve kanë tendencë të zbehjes.

Beruze Çakalli

“Komuniteti ishte shumë paragjykues. Në fillimet tona, vinin në takim vetëm se isha unë grua. Po mos të isha unë nuk vinin, pasi thonin që gratë do punojnë arat dhe të rrinë në shtëpi. Kurse tani është më ndryshe”,-shprehet Beruzja, për Citizens Channel.

Ledina Mici, nga Kuqani i Elbasanit, është pjesë e grupimit të grave të Shirgjanit. Ashtu sikurse shoqet e saj, edhe ajo zotëron një serë ku kultivon perime të ndryshme.

“Na pëlqejnë këto takime, njihemi me njerëz të rinj, marrim eksperienca, njihemi edhe më shumë me njëra tjetrën. Kemi shkuar, kemi parë mollën në Korçë, kemi parë frigoriferat që mbledhin frutat. Nga gratë, dikush ka parcela me qershi, dikush ka parcelat me ullinj”.

Bizneset bujqësore në emrat e burrave

Përpos rritjes së angazhimit të grave në zonat rurale, sërish nuk ka një vetëdije sa i takon çështjes së pagesave të kontributeve. Kjo edhe për faktin se sipërmarrjet e tyre ekonomike në zonat rurale janë në emrin e bashkëshortëve.

“Jo, jo s’kemi fare. Nuk janë të paguara. Ne nuk kemi nxjerrë nipt fermeri. Edhe po e patën nxjerrë e ka nxjerrë burri. Siç kam edhe një rast në Kuqan për shembull nuk e ka vetë personi, gruaja, por e ka burri. Ka që nuk kanë hiç, pra nuk kanë nxjerrë gratë nipt. Është lënë pas dore. Janë kryefamiljarë prandaj, me atë traditën e zakonit”,– rrëfen Beruze Çakalli.

Sipas Beruzes edhe në grupin e grave të Shirgjanit, kjo mungesë është për të dyja palët, ndërsa shoqërohet edhe me mungesë besimi në sistem.

“Këto gratë që kemi ne te grupi, dy që kanë i kanë në emër të burrave, kurse pjesa tjetër nuk kanë nipt fare. Edhe sigurimet jo të gjitha i kanë, këto që i paguajnë vetë për shembull, shoqëroret dhe shëndetësoret nuk i kanë paguar. Më shumë për shkak të pamundësisë financiare, se thonë kur nuk ke lekun për ca ti paguaj kot. Nuk e di a e marr a se marr pensionin pastaj deri atëherë”,-argumenton Beruzja.

Edhe për Ledinën të pasurit emrin në këtë ndërmarrje të vogël familjare nuk është shumë e rëndësishme, për aq kohë sa të dy, burrë edhe grua janë kontribuues. Ndërsa sipas saj, mos pasja e emrit fillon që te prona.

Ledina Mici

“Në fshatin tim, pjesën time unë e kam mbledhur ullinj, thjesht pjesën që më ka takuar, por nuk është se kam bërë letrat, apo ta kem në emrin tim, por e kam mbjellë, e kam shfrytëzuar, e kam mbjellë për të mos e lenë të bëhet me ferra, për të mos e lenë kot. Por nuk është se ke çfarë të kërkosh tokë, për shembull me bashkëshortin që ti ke 400 metra dhe hajde i ndajmë të dy, nuk ia vlen. Nuk ke çfarë të kërkosh tokë. Kaq tokë kishte familja, nuk e kemi menduar që këtë e ka bashkëshorti dhe këtë e kam unë, po e punojmë bashkë”, – rrëfen Ledina.

Rreth 40%  vajzave dhe grave në Shqipëri janë të punësuar në sektorin e bujqësisë. Megjithatë, ekziston ende një qasje e pabarabartë e tyre në këtë sektor sa i takon zhvillimit të formalizimit të bizneseve të tyre.

Këto shqetësime u pasqyruan edhe në deklaratën e grave dhe vajzave nga zonat rurale të hartuar pas edicionit të pestë të Parlamentit Rural në 2023. Sipas deklaratës steriotipet gjinore kufizojnë aksesin e vajzave dhe grave në kredi e investime, duke penguar formalizimin e bizneseve të tyre.

“Pavarësisht se vajzat dhe gratë japin kontributin më të madh në sektor, vetëm 10% e tyre kanë aplikuar për kredi. Është alarmant fakti që shumica e grave në zonat rurale nuk kanë llogari bankare dhe as njohuritë bazë të financave personale, elementët themelorë të gjithëpërfshirjes financiare. Pjesa më e madhe e tyre ndihen të privuara nga burimet financiare për shkak se dokumenti mbi pronësinë e tokës apo pronës në përgjithësi është në emrin e bashkëshortëve dhe institucionet financiare nuk ofrojnë produkte të përshtatshme me nevojat e grave dhe vajzave në zonat rurale”,-thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas një studimi të UN Women 80% e titujve të tokës janë në emër të kryefamiljarit ose të ish-kryefamiljarit.

Edvin Zhllima

“Studimi tregoi se afërsisht 70% e anëtarëve gjithsej me emrin në titull janë meshkuj. Duke menduar që 50 përqind e familjeve bujqësore nuk kanë akoma tituj pronësore përfundimtare, mbetet mundësia që gratë të përfshihen në këto tituj e kështu numri i grave që kanë bashkëpronësi toke të rritet në të ardhmen”, – shprehet Edvin Zhllima, studiues i ekonomisë bujqësore në Shqipëri.

Sipas deklaratës së grave rurale duke qenë se pronësia e tokës është zakonisht në emër të bashkëshortit apo babait, gratë në zonat rurale përballen me pabarazi në pagesën e kontributeve.

“Ato paguajnë kontribute duke përdorur pronën që nuk është në emrin e tyre. Kjo është mungesë e drejtësisë financiare. Ky realitet reflekton nevojën për një përmirësim të përfshirjes financiare të grave dhe vajzave në zonat rurale, duke siguruar qasje të barabartë në burime, asete dhe informacion si dhe duke inkurajuar trajtimin e tyre si pjesëmarrëse kyçe në zhvillimin ekonomik vendor”,-thuhet në deklaratë.

Evelina Azizaj, koordinatore e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural tha se mirëqenia e grave në zonat rurale duhet të vendoset në prioritet.

Evelina Azizaj, ANRD

“Kur flitet për gruan rurale është si një medalje me dy anë të kundërta. Ato përfaqësojnë pjesën më vitale të zhvillimit bujqësor dhe rural në një kohë kur  gruaja rurale është e varfër, dhe në krahasim me burrat në zonat rurale dhe gratë në ato urbane është më e varfër. Ndërsa është shtylla e familjes, e komunitetit, e shoqërisë, ajo ka akses të ulët në shërbime publike bazë, instrastrukturë, tregje, teknologji dhe informacion. Ndërsa është e përfshirë në punët e fermë, ajo ka akses shumë më të ulët në pronësi dhe menaxhimin e fermës; është më pak e arsimuar dhe e papërfaqësuar në jetën sociale, ekonomike dhe politike”,- shprehet Azizaj.

Sipas deklaratës së grave rurale lehtësimi i vetësigurimit do të mundësonte gratë në zonat rurale të kenë akses në lejen e lindjes.

“Mungesa e një këndvështrimi gjinor në këtë proces lë jashtë sistemit shumë gra të angazhuara në bujqësi dhe zhvillim rural. Është e domosdoshme që të zhvillohen politika dhe masa që lehtësojnë qasjen tonë në këto shërbime të rëndësishme sociale dhe shëndetësore dhe njohja e punës tonë të papaguar, duke rishikuar legjislacionin që parashikon vetëpagesën për kontributet e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor për personat e vetëpunësuar në bujqësi, veçanërisht për gratë dhe vajzat e angazhuara në bujqësi”,-thuhet më tej në deklaratë.

Roli i grave të zonave rurale në mjedisin tregtar

Mukadez Gjona, nga Leshnica e Pogradecit e mban mend fillimin e saj si shitëse në autostradë.

Mukadez Gjona

Mora prodhimet e mia, petka, trahana, fasule, c’kisha prodhime të miat i mora dhe i nxora në rrugë për të shitur. Shisja me orë të tëra gjatë gjithë ditës, ku aty kapa tregun. Vinin merrnin për të provuar. Më thonin do ti provojmë lokalet, këto petkat. Në qoftë se do të na pëlqejnë, do të vijmë”, – rrëfen Mukadezi.

Prej 10 vitesh ajo merret me prodhimin dhe shitjen e prodhimeve të fshatit, ndërsa me sezone, punëson edhe gra të tjera të zonës. Megjithatë, kjo “kurajo” për të shitur produktet vetë, nuk është për të gjitha gratë.

“Ka edhe raste të rralla që thonë mos ik ti, mos të shkojë gruaja në pazar. Por, po nuk vajti ajo s’ka kush të shesë. Ose gruaja, ose burri ose fëmija, s’ka kush shet tjetër. Prodhimi do shitur se do ushqehen”,– rrëfen Beruzja nga Elbasani.

Sipas Edvin Zhllimës, gratë përjashtohen nga mjedisi tregtar i produkteve.

“Nga një studim i kryer për GIZ në vitin 2021 u vu re se në zonat me sera intensive gratë janë punëtoret brenda serës, por i gjithë mjedisi tregtar është i mbajtur nga burrat. Gjithashtu në sektorët e bimëve mjekësore gratë punojnë në parcela, por kalimi i produktit nga parcelat tek përpunuesit e më pas në eksport bëhen nga një mori burrash”.

Megjithatë, gratë në zonat rurale tregojnë se një arsye që i ka nxjerrë ato jashtë, përpos punës së sera është edhe emigrimi kohët e fundit.

“Të shumtit janë emigrantë burrat. Vetëm gratë janë këtu. Të shumtat këtu janë gra, shumë pak mund të gjesh burra, ose që janë çift. Janë të gjithë të ikur në emigrim. Punojnë dy-tre muaj. Ikin e vijnë, por të shumtën e herës janë andej”,- shprehet për Citizens Channel, Beruze Çakalli.

Përceptimet për stereotipet me bazë gjinore

Sipas një raporti të kryer nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural duke pasur në fokus gratë nga zonat rurale në Elbasan dhe Kolonjë, roli tradicional i gruas vijon ende të jetë i definuar.

“17% e të pyeturve ende besojnë se dallimet biologjike janë përgjegëse për pabarazitë gjinore në shoqëri”,-thuhet në gjetjet e testimit të kryer pas punës ndërgjegjësuese të organizatës.

Para realizimit të testit matës, 13% e shohin kontributin e grave në ekonominë rurale si të parëndësishëm. Ndërkohë që pas punës ndërgjegjësuese kjo masë bie, por sërish 3.8% e grupit beson ende se ky kontribut i grave është i parëndësishëm.

Situatë kjo e ndryshueshme edhe për sa i takon aftësive drejtuese të grave në zonat rurale.

Në të dhënat bazë, 11% e të anketuarve besojnë se një grua nuk mund të jetë kurrë e aftë të drejtojë një fermë apo biznes e vetme. Në rezultatet e post-test, pothuajse 85% e grupit të ndërhyrjes nuk pajtohen plotësisht me një deklaratë të tillë në krahasim me 72% të grupit të kontrollit”, – thuhet në raport.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *