Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Punimet për HEC-in në Thirrë vijojnë edhe pas pezullimit nga Bashkia Mirditë

Bashkia Mirditë pezulloi për dy muaj punimet në HEC-in që po ndërtohet në Thirrë, por  makineritë e kompanisë “Sang 1” vijojnë të pa shqetësuara punën.

Banorët e fshatit Thirrë, të njësisë administrative Fan të Mirditës, vijojnë të denoncojnë  punimet në mënyrë të paligjshme për ndërtimin e HEC-it.

Sipas avokatit të banorëve, Elton Laska, ata kanë kërkuar përmes shkresave dërguar institucioneve vënien në lëvizje të strukturave përgjegjëse.

Elton Laska, Përfaqësues ligjor i banorëve

“I kam bërë shkresë Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Drejtorit të Policisë së Qarkut dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke i venë në dijeni me të gjitha vendimet, qoftë vendimin e gjykatës ashtu edhe vendimin e bashkisë për pezullim punimesh. Të gjitha këto shkresa unë ia kam bashkëngjit kërkesës për informacion që ju kam dërguar këtyre institucioneve duke iu kërkuar që të venë në lëvizje strukturat për të penguar vazhdimin e punimeve në mënyrë të paligjshme”,- shprehet Laska për Citizens Channel.

Në 28 shkurt 2024, bashkia Mirditë gjobiti kompaninë “Lajthiza Invest sh.p.k” me 300 mijë lek dhe pezulloi punimet për dy muaj, pasi kishin nisur punën në terren pa dorëzuar dokumentacioni ligjor pranë bashkisë.

Institucionet luajnë “ping pong” me përgjegjësitë, ndërsa puna vijon

I pyetur nga Citizens Channel, Albert Mëlyshi, kreu i bashkisë Mirditë u shpreh se janë në dijeni të ankesave të banorëve të Thirrës se aty po punohet, pavërësisht vendimit të bashkisë për pezullim punimesh. Por, sipas tij bashkia nuk ka mundur të kapë punonjësit në proces pune.

Albert Mëlyshi, kreu i bashkisë Mirditë

“Patjetër që kemi shkuar, por në momentin që shkon institucioni jonë, nuk i gjen në punë. Ata largohen, mjetet i kanë të bllokuara, sikurse i kanë lenë. Gjithsesi në çdo moment që është kërkuar nga banorët, ne kemi qenë atje, sepse është larg nga qendra e qytetit dhe në momentin që janë shprehur qytetarët për vazhdim të punimeve, kemi ngritur grupin dhe i kemi dërguar atje”, – shprehet kreu i bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi.

Sipas tij, është kërkuar edhe bashkëpunim i policisë lokale.

“Ne pas pezullimit normalisht që kemi kërkuar edhe bashkëpunimin e autoriteteve të policisë lokale. Dhe kështu që në këtë kontekst presim edhe bashkëpunimin e tyre për të parë”,-shprehet Mëlyshi.

Mirëpo, drejtuesi i Komisariatit të Mirditës, Klodian Kondi, tha për Citizens Channel se kjo nuk është kompetencë e policisë, pasi policia është thjesht organ mbështetës.

“Bashkia që ka nxjerrë këtë vendim të shkojë ta ekzekutojë. Bashkia ka IMT-në e vet në varësi të saj. Policia është thjesht organ mbështetës. Megjithatë, unë mora dijeni nga ti dhe tani do të çoj grupin hetimor atje”,- tha Klodian Kondi në bisedën me Citizens Channel.

Sipas kreut të bashkisë Mirditë ende nuk ka një komunikim me kompaninë që po ndërton HEC-in dhe fabrikën e ujit, ndërsa presin dorëzimin e dokumentacionit.

“Ne po presim që firma të sjellë dokumentacionin, ato presupozohet ti ketë të mangëta në dosje. Gjë për të cilën i kemi dërguar edhe shkresë dhe presim që ata ti sjellin. Nëse i sjellin është gjithçka e ligjshme dhe ata vazhdojnë punimet. Në të kundërt do të vazhdojmë me veprime të tjera”,- deklaroi Mëlyshi.

Sipas Elton Laskës, hapi i radhës do të jetë në Gjykatën Administrative.

“Ne i kemi dërguar dje shkresat me postë të gjitha këtyre institucioneve, dhe ne do ti drejtohemi prapë Gjykatës Administrative me kërkesë për sigurim padie duke pasur si prova shtesë vendimin e bashkisë për pezullim punimesh”,- përfundon Laska.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *