Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e Laknasit në mbrojtje të pyllit që u dha për thertore

Prej muajit shkurt të vitit 2019, banorët e Laknasit po protestojnë kundër vendimit të Bashkisë Kamëz për t’i dhënë me qira pa konkurrim 12,400 m2 të sipërfaqes të zonës së quajtur “Plepat e Brukës”, kompanisë “Bioproducts” për të ndërtuar thertore. Banorët e konsiderojnë këtë zonë si të vetmen hapësirë të gjelbër të mbetur.

Laknasi përshkruhet nga lumi i Tiranës, degë e lumit Ishëm, i cili bashkë me rrjedhën sjell qindra kilogram plastikë në vit dhe ujë të ndotur me inerte.

Zona e quajtur “Plepat e Brukës” është mirëmbajtur nga banorët prej 30 vitesh, duke mbjellë në të pemë frutore e dekorative, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga erozioni dhe cilësia e keqe e ajrit, shkaktuar nga ndotja e madhe e lumit.

Aty ke ne, ke zona jonë, e mbrojmë për këtë punë, se gjithë mbetje urbane vijnë aty. Era, shkalla e ndotjes… nuk ka aparat ta masë. Motivi i kësaj është erozioni dhe pastrimi i ajrit. Ne jemi rreth 40-50 familje aty”, – u shpreh për Citizens Channel Xhemal Tatoshi, i lindur dhe rritur në Laknas.

Majtas Xhemal Tatoshi, Laknas/ Foto: Entenela Ndrevataj

Nga ana tjetër, pylli ku është dhënë leja për të ndërtuar thertoren parashikon edhe një sere aktivitetesh të tjera, si: mbarështim të kafshëve, shitje blerje lëkurash, tregti e kafshëve të gjalla, tregtim të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe turizëm rural.

Banorët janë skeptikë lidhur me fatin e pyllit pasi projekti të fillojë zbatimin.

Te shkresa nuk thotë që do e presin pyllin, por që të ndërtosh duhet të presh, se nuk ke ku ndërton. Do krijojë erozion lumi, se vetëm pemët e mbajnë. Do na shpërbëjnë si lagje se nuk rri më njeri aty. U bë një vit e ca që bëjmë protesta”, – tha Avni Balliu, një tjetër banor i Laknasit.

Avni Balliu, Laknas/ Foto: Entenela Ndrevataj

Njëkohësisht, ata pohojnë se nuk janë përfshirë në konsultime.

Unë jam autokton dhe jam brezi i katërt, prej 400 vitesh jemi autoktonë në atë vend. Rreth dy vite, po bahen dy vite që një person fizik pa farë dijenie nga ne, pa asnjë konsulte me asnjë person fizik të atij komuniteti, ka ardh me ba një ndërhyrje, atje ne zonën tonë që është zonë e pyllëzuar po prej banorëve, për ta shpronësuar dhe për të bërë një aktivitet thertore”, – rrëfen në vijim Tatoshi.

Paralelisht, banorët e Laknasit e kanë ndjekur çështjen dhe në Gjykatë. Fillimisht, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e pranoi padinë e banorëve dhe ndaloi fillimin e punimeve.

Ky vendim u apelua dhe Gjykata i dha të drejtë kompanisë “Bioproducts” për të zhvilluar biznesin në “Plepat e Brukës”. Punimet nuk kanë filluar ende pasi kompanisë i ka skaduar leja e ndërtimit.

https://www.facebook.com/nyje.al/posts/860728324504387

Kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës padit në SPAK ish-Kryetarin Xhelal Mziun për dhënien e lejes

Në vazhdën e aksioneve të 50 familjeve të Laknasit për ta shpëtuar pyllin, sot disa përfaqësues të komunitetit u takuan me Kryetarin aktual të Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Lejë për të ndërtuar thertore është dhënë nga ish-kryetari Xhelal Mziu, të cilën Suli e konsideron në shkelje të plotë të ligjit, e për këtë arsye ai i njoftoi banorët se e ka paditur Mziun për shpërdorim detyre në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Më pengon ana ligjore për ta zhbërë atë si leje ndërtimi. Duke parë të gjithë procedurat, kam marrë hapin tim brenda atyre që unë isha mundësi, për një kallëzim penal për ish-kryetarin e Bashkisë së Kamzës në SPAK”, – u tha ai banorëve gjatë takimit.

Suli u shpreh se përfaqësues të Bashkisë do të jenë të pranishëm kur të zhvillohen seancat në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për të mbështetur banorët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *