Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pas Poçemit edhe naftëtarët e Ballshit hyjnë në grevë për pagat e prapambetura

Nga ky moment u bëj me dije të gjithë punonjësve të rafinerisë, do ndërmarrim aktin ekstrem, duke përkrahur shokët tanë të Poçemit dhe ne vendosim sot, hyrjen në një grevë urie, grevë pa afat“.

Kështu u shpreh ditën e djeshme Sokol Dautaj, i cili bashkë me dhjetë naftëtarë të tjerë, tashmë janë në ditën e dytë të grevës së urisë pasi kanë prej muajit shtator të papunë. Grevistët i drejtohen instancave më të larta shtetërore dhe kërkojnë t’i japin drejtim situatës ku ata ndodhen, pasi janë zhytur në borxhe dhe situata ekonomike u është rënduar.

Dy kërkesat kryesore dhe të panegociueshme të naftëtarëve janë: shlyerja e pesë pagave të prapambetura dhe rifillimi i punës.

Kompania që administron rafinerinë e Ballshit ka ndaluar së funksionuari që në muajin shtator, 2019. Ajo menaxhohet nga “Tosk Energji”, ku mbi 800 të punësuar, prej muajsh, nuk vijojnë procesin normal të punës. Punëtorët bëjnë me dije se gjatë kësaj periudhe janë derdhur sigurimet shoqërore por jo pagat.

“Në momentin që flasim, kompania që ka operuar qiramarrëse, në dijeninë tonë, nuk ka shpall akoma falimentin. Ata thonë jemi të ligjshëm. Ka një pyetje të thjeshtë këtu. Janë mbajtur tatime, detyrimet shëndetësore, shoqërore… mbi cilën pagë? Ne nuk kemi marrë gjë dhe shqetësimi jonë është i ligjshëm. Kërkojmë ato çfarë thotë ligji!”, shpjegon më tej Dautaj, i mbështetur edhe nga naftëtarët e tjerë të pranishëm.

Mungesa e pagave ka lindur për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy kompanive, “Tosk Energji” dhe “Bankers Petroleum” për çështje që lidhen me furnizimin me naftë bruto.

Punonjësit e rafinerisë kanë refuzuar propozimin nga përfaqësues të kompanisë kryesore për të rifilluar punën në datën 1 të muajit mars. Kjo për arsye se ata janë shprehur se nuk mbajnë përgjegjësi për pesë pagat e prapambetura nga kompania e nënkontraktuar “Tosk Energji”.

Naftëtarët shprehen se nuk kërkojnë lëmoshë por investimin e tyre në atë sektor dhe pagën e merituar.

“Ne kërkojmë pagat e prapambetura dhe vazhdimësinë e punës. Në të kundërt, ne nuk dalim gjallë që këtej, pa u plotësuar këto kushte tona”, u shpreh një nga naftëtarët.

“Ne jemi të vendosur për këtë grevë dhe nuk e lemë derisa të vdesim, flijim, derisa të plotësohen komplet kushtet tona, lekët dhe vazhdimësi e punës, lekët edhe të vazhdojë puna“, thekson më tej një tjetër grevist i Ballshit.

Naftëtarët i janë bashkuar punëtorëve të stacionit të pompimit të ujit dhe nënstacionit elektrik të Poçemit të Mallakastrës, të cilët kanë hyrë tashmë në ditën e gjashtë të grevës së urisë sepse kanë 27 rroga të prapambetura nga kompania në administrim.

*Citizens Channel /E.N

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *