Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Konviktet e amortizuara e pa kapacitet i shtyjnë studentët drejt periferisë

Silvi Nasufi jeton prej tre vitesh në godinën numër 14 në Qytet Studenti (QS). Ai ndjek studimet e larta në degën “Pikturë Kavalet”, në Universitetin e Arteve. Imazhi i parë që Silvi ndesh kur futet në dhomën e konviktit është portreti i tij përballë pasqyrës, të cilën e ka përjetësuar në një pikturë.

Fragmente të tjera të përditshmërisë së tij në Qytet Studenti po ashtu janë pjesë e veprave të Silvit.

Disa nga pikturat janë interiore, pra ajo që ndodh brenda konviktit, ajo që ndodh brenda dhomës time apo ato momentet e vogla që mua më kanë bërë përshtypje”, – thotë Nasufi për Citizens Channel.

Studenti i Universitetit të Arteve nuk është i vetmi i cili “frymëzohet” nga kushtet e konviktit. Citizens Channel mblodhi të dhëna nga thirrja e publikuar gjatë muajit tetor, ku përmes mjetit ECR (Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar) 64 studentë ndanë problematikat e strehimit në Tiranë.

13 prej tyre janë banues në konviktet e Qytet Studentit, të cilët i konsiderojnë skandaloze kushtet aktuale të godinave të parikonstruktuara.

Te QS studentët jetojnë në kushte kafshërore”, – thotë një prej studentëve i cili ka plotësuar pyetësorin rreth strehimit të studentëve gjatë viteve akademike në Tiranë.

Kushtet nuk janë të mira fare, pikon uji i rubinetit. Dyshekët janë skandalozë, të dhemb rruaza prapa”, – pohon Sabina Allajbej, një tjetër studente e akomoduar ne konvikt.

Referuar përgjigjes zyrtare nga Bashkia Tiranë, Rezidenca Studentore Universitare Numër 1 (RSU1) ka në administrimin e saj 29 konvikte, ku 22 janë funksionale, katër janë në rikonstruksion dhe tre në ndërtim. Ndërkohë, ka përfunduar rikonstruksioni i tre godinave; godina numër gjashtë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë.

Rikonstruksioni ka kushtuar në total 386,702,588 lekë.

Pranë konvikteve në administrim të shoqërisë RSU1 janë të akomoduar 3745 studentë. Kapaciteti akomodues është 4384 studentë”, – shkruhet në kthim-përgjigjen zyrtare të Bashkisë Tiranë.

Silvi Nasufi tregon se kushtet e dhomës të cilën ai e ndan së bashku me një student tjetër, nuk janë përmirësuar gjatë tre viteve të studimit.

Ngrohja thuajse nuk ekziston në asnjë konvikt. Mensat që ndodhen këtu në qytet studenti që të gjitha janë private, nuk ka mensa publike, të gjitha dushet janë me orar, uji i ngrohtë nuk ekziston”, – liston ai.

Silvi Nasufi, student në Universitetin e Arteve

Nasufi sqaron se po ashtu është i detyruar të paguajë vetë shërbimin e internetit, pasi lidhja që ofron rezidenca nuk funksionon përtej katit të parë të godinës.

Problematikë tjetër edhe pjesa e lavanderive. Është një lavanderi shtetërore por edhe aty funksionon me pagesë. Shumica e studentëve detyrohen që rrobat t’i lajnë në lavanderi private edhe të paguajnë akoma më shumë për to”, – përmbyll studenti Nasufi.

Kampusi universitar, premtim i kahershëm dhe i parealizuar

Brenda pak kohësh, studentët do të kenë një kamp universitar me 11 godina të reja, salla leximi dhe mjedise moderne”, – shkruhet në një postim në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë. Ky premtim erdhi në janar të vitit 2019, fill pas shpërthimit të protestave studentore përballë Ministrisë së Arsimit.

Punimet priteshin, në fakt, të fillonin në vitin 2020, premtim i cili ishte bërë edhe më herët në vitin 2015. Sipas Kryeministrit Edi Rama këto premtime nuk u mbajtën sepse Qytet Studenti ishte zaptuar nga politikanët për interesa private.

Kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi në vitin 2019 se kampusi i ri universitar do të përfshijë një mega-bibliotekë, mensë, terrene sportive dhe hapësira çlodhëse për studentët, por punimet për kampusin e ri ende nuk kanë filluar.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare shpjegon se Qytet Studenti, përtej premtimeve të pambajtura, ka pësuar regres të vazhdueshëm infrastrukturor dhe intelektual pas rënies së komunizmit.

Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare

Pra gjatë 30 viteve ka humbur numër godinash, ka humbur territor, diku te 7000 metra katrorë, ka humbur parqet rekreative dhe ato që janë terrene sportive, ka humbur kinoklubin”, – thotë Qiraxhi.

Nuk ka dilemë, studentët zgjedhin shtëpitë me qira krahas konvikteve

Migen Qiraxhi shpjegon se gjithsej, të gjitha rezidencat studentore në Tiranë, nuk mbulojnë më shumë se 5-7% të numrit total të studentëve.

Pavarësisht numrit të limituar të shtretërve, të dhënat nga Bashkia Tiranë vetëm për konviktet e Qytet Studentit, na tregojnë se aktualisht ka 639 shtretër të lirë. Nga 64 studentë të cilët iu përgjigjën formularit të Citizens Channel, pjesa dërrmuese jetonin në shtëpi me qira.

Konkretisht, 42 prej tyre jetojnë në shtëpi me qira, 13 në konvikte, 2 prej tyre e bëjnë vajtje-ardhje në rrethet përkatëse dhe 7 studentë të tjerë jetojnë në shtëpi të të afërmve apo në shtëpi private.

15 prej të anketuarve pohojnë se paguajnë një qira mujore prej 15.000-20.000 lekësh, 13 prej tyre paguajnë më shumë se 20.000 lekë dhe 10 studentë u përgjigjen se paguajnë 30.000-40.000 lekë në muaj për qiranë.

Unë jetoj me një kushërirën time. E kemi 21.000 lekë qiranë, na bie të paguajmë diku te 10.500 lekë për person, pa përfshirë ujë dhe drita që diku-diku mua në muajt e dimrit më shkon 15.000 lekë vetëm qira, ujë, drita”, – tregon për Citizens Channel Geraldina Mançka, studente e Infermierisë së Përgjithshme.

Geraldina Mançka, studente e Infermierisë së Përgjithshme

Për tre vite të qëndrimit në Tiranë ajo ka ndërruar tre shtëpi pasi përvojat nuk kanë qenë të mira.

Te shtëpia e parë që kam qenë vitin e parë, ne jetonim në katin e tretë edhe duhet të kalonim gjithmonë te kati i dytë që qëndronte dera hapur ku jetonte pronari. Duhet të kishim pak a shumë një orar, mos të kalonim orën nëntë, le më të çonim njerëz”, – kujton Geraldina Mançka.

Në vitin e dytë, Geraldina ndërroi shtëpinë, por përvoja la sërish për të dëshiruar.

Shtëpia ime e dytë ishte më e lirë, ishte 15.000 lekë por ne kishim një problem shumë të madh që ishte lagështia”.

“Paguaja më pak nga xhepi im, ama u largova me disa infeksione. Kam pasur për një kohë edhe një problem nga bronkiti për arsye të lagështisë”, – rrëfen ajo.

Pas marrjes së shtëpisë së tretë që ndodhet në Allias, Geraldina Mançka pohon se problem mbetet largësia nga universiteti dhe transporti publik.

Vendet e tjera i mbajnë studentët e tyre në bibliotekë, studentët këtu na qëndrojnë dy orë në autobus”, – thotë me ironi në vijim Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, teksa tregon se marrja e shtëpisë me qira e largon studentin nga zhvillimi akademik dhe jeta studentore.

Unë e them shpesh herë, mënyra si jetojnë studentët në Shqipëri është në kufi të emigrantit, ku ata bëhen pjesë e një konteksti urban jashtëzakonisht të zhurmshëm dhe kaotik. Gjithë ky kompleksitet i jep pak mundësi studentëve të aksesojnë bibliotekat, libraritë, kinematë”, – përfundon ai.

Sa kushton një shtëpi me qira?

Agjenti i shitjes, Klevis Oshafi tregon se ka një rritje të çmimit të qirave në Tiranë, çka i ka nxitur studentët të marrin shtëpi në periferi, çmimi dysheme i të cilit është rritur po ashtu.

Një apartament sot në Fresk, një plus një, mund të jepet 20.000 – 25.000 lekë minimalisht, më poshtë nuk ka më, në atë zonë që është ndër zonat më periferike të Tiranës”, – thotë Oshafi për Citizens Channel.

Sa më shumë afrohesh, aq më shumë rritet çmimi. Mund të arrish në një plus një, 600 apo 700 euro te rruga e Kosovarëve, Garda, apo zonat rreth qendrës”, –  tregon në vijim Oshafi.

Rritja e çmimeve bën që të ndahet hapësira mes disa studentëve, por kjo bie ndesh me interesat e qiradhënësve, çka ua vështirëson atyre gjetjen e banesës.

Sot e ka shumë të lehtë të gjejë një çift apartament apo një person i vetëm sesa dy apo tre studentë, qofshin djem, qofshin vajza”, – përmbyll Klevis Oshafi.

Janë pikërisht çmimet e “kripura” që e kanë detyruar Egla Elezin, studente e Gjuhë-Letërsisë, t’i ndjekë leksionet duke bërë në bazë ditore vajtje – ardhje Shijak – Tiranë. Gjatë bachelor-it, transporti ishte më pak problematik rrëfen ajo, pasi leksionet zhvilloheshin paradite, ndryshe nga studimet e nivelit master.

Egla pohon se ka kërkuar për shtëpi me qira, por zgjidhja më e mirë për të mbeti transporti ditor.

Egla Elezi, studente e Gjuhë – Letërsisë, Universiteti i Tiranës

Gjatë ditëve kur gjen fugon për të shkuar në Shijak, ajo shpenzon në ditë 340 lekë me transport publik, por ditëve që ajo mbaron vonë, detyrohet të kthehet me makinë private në shtëpi.

Dhe po ta llogarisim, si transporti publik ashtu edhe privat, është një kosto shumë e lartë”, – pohon Egla Elezi për Citizens Channel. Penalizimet e mos gjetjes së një shtëpie me qira, rrëfen Egla, janë të shumta, duke filluar nga shkëputja nga aktivitetet e përditshme me miqtë.

Më duhet të nisem shumë herët nga Shijaku, që në orën 10 dhe arrij në shkollë në orën 11. E gjithë paraditja është e zënë. Shkollën e mbaroj shumë vonë, e mbaroj në orën 9 të darkës dhe në shtëpi do të kthehem vonë. Koha ime për të studiuar është shumë, shumë e limituar”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *