Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrugëtim në Grykën e Rugovës/Pushime patriotike apo të njohim më mirë veten?

Nga Mira Tuci*

Debati publik në Shqipëri dhe në Kosovë është thelluar në një kënetë ku gjallojnë mushkonjat, pa kurrfarë argumenti dinjitoz të shtrimit të një çështjeje për diskutim.

Nga njëra anë kemi pyetjen “T’i lejojmë apo tua mbyllim derën vllazënve nga Kosova?”, nga ana tjetër pyetja artikulohet me zë të lartë (nga ana tjetër e kufirit që na kanë vënë të huajt), “Po ne pse duhet të vijojmë të shkojmë në Shqipëri për pushime patriotike?”.

Në kulm të këtij diskutimi shterpë unë vendosa t’i bëj dhuratë vetes një udhëtim në Kosovë.

Nëse ka diçka që na bën të mbyllemi edhe më shumë brenda burgjeve tona është mosnjohja e vetvetes dhe tjetrit, ndalesa tek gardhi i paragjykimeve dhe stereotipeve me të cilat kemi ushqyer vetveten ose na kanë ushqyer të tjerët. Ndaj vendosa ta kapërcej këtë gardh dhe të nisem për në Grykën e Rugovës.

Nga Tirana, Peja ndodhet larg rreth 270 km dhe përveçse me makinë mund të shkosh atje edhe me transport publik. Së paku tri herë në ditë gjatë sezonit të verës ka autobusë që lidhin Tiranën me Prishtinën dhe me destinacionet e ndërmjetme dhe e gjitha kjo ju kushton 15 euro vajtje-ardhje.

Para se të hysh në rrugën që të con për në Grykën e Rugovës, duhet të përballesh me telat me gjemba dhe barrikadat që supozohet që ruajnë Manastirin e Pejës. Ose e njohur ndryshe si Patriarkana e Pejës e cila që 13 Korrikut 2003 është vënë nga UNESCO  në listën e pasurive të mbrojtura botërore, si trashëgimi historike serbe edhe pse kontestimet e këtij monumenti janë të vazhdueshme nga Shqiptarët.

Gryka e Rugovës. Foto: Amarildo Topi / Citizens Channel

Ndonëse data e saktë e ndërtimit të Patriarkanës është e panjohur rindërtimi i saj mendohet se ka ndodhur nga patriarku Makarie Sokoloviq në vitin 1557. Por studiues të ndryshëm ngulmojnë që kisha bart ende dëshmi se ishte kishë e vjetër katolike shqiptare, përtej tjetërsimit të qëllimshëm për t’i ndërruar identitetin. Disa foto të shpëtuara rrefëjnë nga ikonografia që figuron krahas meshtarëve edhe malësorët me plis të këtyre anëve por edhe gurët e vjetër të navatës flasin me një stil tjetër nga ortodoksia.

Manastiri dedikohet Shën Savës dhe në Mesjetën e hershme kur kriptokatolicizmi dhe ortodoksia nuk kishin kufij të mirëpërcaktuar lutej nga Arbnorët e këtyre viseve. Ndonëse e rrethuar me tela me gjemba dhe e ruajtur nga ushtarët e KFOR-it, Manastiri mund të vizitohet edhe pse në kushte të rrepta sigurie. Shumë prej dëshmive të përkatësisë shqiptare të këtij monumenti janë fshirë si më të rënë të lapsit por gjithësesi ky manastir i shtrirë përgjatë Lumëbardhës është një kënaqësi estetike më vete ta vizitosh.

Në kufirin e Manastirit të Pejës vijon rruga përgjatë hyrjes në Grykën e Rugovës ku në fundjavë gjithnjë gjen trafik të ngarkuar pasi shumë prej banorëve të Pejës dhe rrethinave pushojnë duke u larë në ujin e akullt apo vrapojnë në natyrën e egër dhe madhështore të Rugovës.

Ndërsa shkëmbinjtë ofrojnë një spektakël natyror me formacionet mijëravjeçare më shpella dhe gjysmë shpella mund ta gjesh veten tek Ujëvara që në dimër ngrin e gjitha duke u shndërruar në një instalacion gjigand natyror prej akulli. Ujëvara nga ku buron Drini i Bardhë përveçse është shumë e pasur me troftë gjithashtu përmendet për cilësinë e ujit të certifikuar nga strukturat europiane të cilësisë së ujit. Uji i Drinit të Bardhë konsumohet nga Ushtria Amerikane në bazën e Bond Still-it, teksa Ujëvara cilësohet si një nga Ujëvarat më të bukura të Kosovës.

Taracat e restoranteve që ofrojnë gatim tradicional janë një kënd parajse larg nga zhurma urbane. Ndërsa pyjet e dendura përreth numërojnë një biodiversitet për tu lakmuar pasi deri më tani natyra për shkak të terrenit të vështirë është ruajtur e paprekur. Ndërsa në shtigjet e shenjuara mund të bësh hiking dhe ecje të gjata e të rivendosësh kontaktin me natyrën me një qiell që tregohet bujar me spektaklin që krijon mes majash imponuese.

Teksa ngjitesh në lartësi pamja shndërrohet në një amfiteatër natyror rrethuar nga pyjet dhe majat e bjeshkëve.

Hapësira rreth shtratit të Lumëbardhit ka pamje grykore në gjatësi prej 20km, ndërsa pjesa më e bukur e tij, Gryka e Rugovës, është e gjatë 10 kilometra. Ajo është e thellë rreth 1000 metra dhe është e klasifikuar në rendin e kanioneve më të thella në Kosovë dhe në Evropë. Para se të hysh në këtë kanion në kilometrin e 6-të ndodhet ujëvara e gjatë 25m që buron në shkëmb nga ana jugore dhe derdhet në lumë.

Rugova dhe demarkacioni

Rugova apo bukuria natyrore e Kosovës shtrihet në veriperëndim të qytetit të Pejës me sipërfaqe prej 32.492.96 hektarë, në të cilën shtrihen 16 fshatra është njëra nga rajonet malore që përfshijnë Bjeshkët e Namuna me pasuri të mëdha natyrore.

Është Gryka e Rugovës që ndryshe njihet edhe si perla e këtij rajoni malor. Pothuajse në gjithë hapësirën e Bjeshkëve të Rugovës mund të hasësh në mrekullitë që gjenden të fshehura nën egërsinë malore të florës.

Karakteristikë e këtij vendi është mikpritja që bëhet nga banorët dhe diçka të tillë do ta përjetoni sapo të takoni banorin i parë që do të hasni. Treva e Rugovës ka një pamje të amfiteatrit të zgjatur i rrethuar me male të larta, me anët e malit dhe fundin që prek në rrafshin e lumit të Pejës, i cili herë-herë ngushtohet në formë të kanionit, sidomos në dalje të lumit në fushë.

Klima e kësaj treve është malore, me dimra të ftohtë e me borë, vera të freskëta, me reshje mbi 1100 mm gjatë vitit. Dikur kjo trevë ishte dukshëm më e banuar, mirëpo nga vitet e 60-ta popullsia e kësaj treve fillon të emigrojë. Por vitet e fundit rajoni është duke përjetuar një rikthim të banorëve ndonëse ende sezonalë.

Bjeshkët e Namuna. Foto: Amarildo Topi / Citizens Channel

Kullotat sugjestionuese në atë që dikur konsiderohej qendra e Rugovës kanë filluar të popullohen nga shtëpiza prej druri dhe guri ku respektohet harmonia me natyrën. Por ka edhe hotele dhe bujtina të cilat zakonisht në fundjavë gëlojnë nga banorët që duan t’i shpëtojnë zhurmave urbane jo vetëm nga Prishtina, Peja, por edhe nga Tirana.

Restorantet ofrojnë gatime tradicionale ku mbizotëron menuja e mishit por edhe trofta që rritet në Lumëbardhë dhe ku një vakt i bollshëm mund tju kushtojë nga 7 deri në10 Euro për person, ndërsa mund të marrësh me qira një shtëpizë për më pak se 50 Euro nata.

Investimet nuk vijnë vetëm nga banorë të zonës por edhe nga të tjerë, që pasi kanë punuar për dekada në Perëndim kanë ndërruar tërësisht drejtimin e jetës duke krijuar oazin pikërisht mes këtyre maleve. I tillë është kompleksi Magra Austria që edhe pse mban emrin austriak, në hyrje të tij qëndron një statujë e Gjergj Kastriotit. Dy flamuj, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, të ftojnë të hysh brenda.

Nëse jeni në kërkim të aventurës do të bëni një pushim të shkurtër sa për freskim brenda këtyre ambjenteve  dhe mund të niseni për eksplorim më tej ku majat për tu ngjitur kanë bukuri fatale dhe nuk do tju mungojë vështirësia e zgjedhjes e përveçse këpucë të mira ju duhen dhe këmbë të forta.

E kur vështron madhështinë e këtyre kepave dhe bukurinë e kullotave të cilat dita ditës po mbushen me banorë të rinj, nuk mund të mos vijë ndër mend “demarkacioni i famshëm”. Një marrëveshje që sipas shumë gjasave do të shkëpusë llokma toke, pllajash dhe pyjesh nga kjo perlë e Bjeshkëve të Namuna.

A ishte ky një rrugëtim patriotik? Ndoshta po, ndoshta jo, ajo që mund të them është se pas këtij rrugëtimi në zemër të Bjeshkëve e njoh më mirë veten dhe i ndjej thelle vargjet e një poeti të madh të këtyre viseve Azem Shkrelit kur kumton në poezinë:

Kronikë Ilire

Në fillim ishin zogjet, lumenjt, Ilirët
Hanin ilirisht dhe punonin ilirisht tokën
Lindnin dhe vdisnin lire, shlirshëm, ilirisht

Pastaj erdhën turre nga perëndimi
Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir
U thane: i paskeni të artë gurët, të bukët tokën

Pastaj erdhën turre turre nga lindja
Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir
U than: i paskeni këngët dhe kafkat e bukura

Deshën t’i venë në një turmë, deshën

T’u japin balsemin e luleve

*Autorja është gazetare pranë Radio Televizioni Publik Shqiptar

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *