Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkencëtarët ndërkombëtarë: Jo hidrocentrale mbi Vjosë, do të zhduken shumë gjallesa

Nëse do të ndërtohen hidrocentralet e Poçemit dhe Kalivaçit mbi lumin Vjosë siç janë planifikuar, shumë prej gjallesave do të zhduken si pasojë e ndryshimit radikal të kushteve biologjike.

Ky është alarmi që grupi i shkencëtarëve ndërkombëtarë kanë ngritur paraditen e së martës(19.09), gjatë prezantimit të gjetjeve të studimeve të tyre në lumin Vjosë.

Midis 23 dhe 29 prillit 2017, shkencëtarët nga Shqipëria, Austria, Gjermania dhe Sllovenia kanë hulumtuar zonën rreth HEC-it të Poçemit në lumin Vjosë. Në vetëm një javë, janë gjetur 300 lloje gjallesash, prej tyre dhe 2 lloje të reja të panjohura më parë për shkencën: një lloj i ri peshku dhe insekti.

Ky insekt i ri do të marrë emerin e mbajtësit të tij, Isoperla vjosae. Ndërsa lloji i ri i peshkut ende nuk është emëruar nga shkencëtari që e ka zbuluar. Duhet të kryhen disa teste krahasuese për të qenë plotësisht të sigurtë se është me të vërtetë një specie e re e peshqve. Ndërsa 40 lloje të tjera speciesh janë gjetur për herë të parë në Shqipëri.

Përveç gjetjeve të mësiperme ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve ka arritur në konkluzionin se Vjosa është një lumë me rëndësi mbarë Evropiane për sa i përket biodiversitetit. Ajo përbën habitiat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh të cilat janë shumë të rralla ose janë zhdukur plotësisht në lumenjtë e tjerë të Evropës.

Sipas shkencëtarëve nëse hidrocentralet në Vjosë (ai i Poçemit dhe  ai i Kalivaçit) do të ndërtohen siç janë planifikuar, shumë prej këtyre gjallesave do të zhduken si pasojë e ndryshimit radikal të kushteve biologjike.

Matjet e para të transportit të sedimenteve (zhavorr dhe rërë) të kryera nga ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike i hidrocentralit të Poçemit do të pësonte një ndalesë brenda 25-30 viteve, pasi rezervuari do të mbushej tërësisht me sedimente.

Ata sugjerojnë se është e domosdoshme që të bëhet një program gjithëpërfshirës kërkimi para se të merren vendimet për dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë. Përveç florës dhe faunës, një studim i tillë duhet të përfshijë gjithashtu një ekzaminim të detajuar të transportit të sedimenteve, si dhe një vlerësim të ndikimeve në ujërat nëntokësore.

Sipas Prof. Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës dhe koordinator i studimeve në Vjosë, vlerësimi i parë mund të shikohet vetëm si fillimi i një studimi më të thelluar: “Është e pabesueshme çfarë kemi zbuluar për vetëm një javë. Rezultatet tona tregojnë se një studim i vazhdueshëm i biodiversitetit dhe i transportit të sedimenteve është absolutisht i domosdoshëm”, tha Prof. Schiemer.

“Bashkëpunimi me kolegët tanë nga Austria dhe Gjermania është një fillim shumë i mirë për studime të mëtejshme në Vjosë.  Duam të zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar për të ruajtur këtë lumë të rrallë në Evropë. Qeveria duhet të krijojë një Park Kombëtar në vend të ndërtimit të digave “, u shpreh Prof. Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës.

Dr. Christoph Hauer nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) në Vjenë ka kryer për herë të parë matjet e profilit të shtratit të lumit deri në dy kilometra në gjerësi. “Vlerësimet tona konfirmuan një situatë ku shpejt të gjithë do të dalin të humbur nëse do ndërtohet hidrocentrali i Poçemit. Përveç zhdukjes së specieve, prodhimi i energjisë do të reduktohet në mënyrë drastike, meqenëse transporti masiv i sedimenteve të Vjosës do të mbushë rezervuarin e projektuar me zhavorr dhe rërë brenda vetëm 25-30 viteve. Matjet shtesë janë të domosdoshme dhe të detyrueshme sipas standardeve ndërkombëtare”, deklaroi Dr. Christoph Hauer.

Në maj 2017, Gjykata Administrative në Tiranë vendosi në favor të padisë së ngritur nga OJQ-të dhe banorët e prekur duke shpallur të pavlefshme kontratën për hidrocentralin e Poçemit. Qeveria shqiptare e ka apeluar këtë vendim. Si një alternativë, OJQ-të dhe banorët kërkojnë ngritjen e një parku kombëtar të lumit të egër i cili do të përbënte parkun e parë të një lumi të egër në Evropë.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *