Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dibër dhe Bulqizë, situatë alarmante nga mbetjet (Video)

“Mbeturinat që hidhen këtu në rrugë po na marrin shpirtin prej vitesh. Kur digjen lëshojnë një tym që të zë fytin. Lëre pastaj të hapesh dritaret që nuk rrihet brenda.” Këto janë fjalët e një 55-vjeçarje që banon në hyrje të Maqellarës, në afërsi të rrugës nacionale Tiranë – Peshkopi.

Rrethuar nga bukuritë natyrore që i ka falur Zoti kësaj zone, përbri saj, si një panoramë tjetër, qëndrojnë hijerëndë mbeturinat që digjen duke mbuluar me tym zonën përreth.

Këto pirgje me plehra që të urojnë mirë se ardhje në Maqellarë nuk janë grumbulluar për një ditë, por është një problem i krijuar ndër vite. Ish-Komuna Maqellarë, sot njësia administrative Maqellarë pjesë e bashkisë së Dibrës, e kishte kthyer këtë vend në pikë depozitimi të mbetjeve urbane dhe inerteve.

Djegia e mbeturinave në Maqellarë. Foto: Sami Curri / Citizens Channel

Sasia e mbetjeve në Dibër dhe Bulqizë

Sipas një studimi kryer nga ALCDF (Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale) në vitin 2015-të qarku i Dibrës gjeneronte rreth 17,136 ton në vit. Pjesa e më e madhe e mbetjeve në këtë qark gjeneroheshin nga bashkia e Dibrës (qyteti) me rreth 8,300 ton mbetje urbane dhe inerte në vit, ose 49% e gjithë sasisë.

Po sipas këtij studimi çdo banor në qarkun e Dibrës gjeneron afërsisht 0,6 kg mbeturina në ditë ose 215 kg mbeturina në vit. Kjo shifër në qytetin e Peshkopisë është më e lartë, ajo varion rreth 415 kg mbeturina në vit për çdo banor.

Ndërsa për bashkinë e Bulqizës, vetëm qyteti, sasia e mbetjeve e prodhuar për banor është afërsisht 182.5 kg, ndërsa sasia totale vjetore për qytetin arrin në 3650 ton në vit. Sipas ekspertëve të fushës, studimi i sasisë së mbetjeve në Bulqizë ka përcaktuar se më shumë se 50 % e mbetjeve bashkiake është aktualisht e biodegradueshme.

Pushteti vendor “ngre duart lart” përballë mbetjeve

Citizens Channel u interesua pranë bashkive Dibër dhe Bulqizë për të mësuar se si bëhet prej tyre menaxhimi i mbetjeve në territorin që ato administrojnë.

Të dyja bashkistë u përgjigjën duke thënë se kanë një plan për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Por çfarë ndodh në të vërtetë? Ne shkuam dhe pamë gjendjen në terren.

Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, njësitë e qeverisjes vendore, duke filluar që prej fillimit të vitit 2016-të duhet të kishin filluar diferencimin e mbetjeve që në burim. Por në Dibër dhe Bulqizë një gjë e tillë nuk ka filluar të ndodhë.

Bashkia Dibër na informon se diferencimi i mbetjeve në burim nuk ka filluar as në qytet dhe as në njësitë e tjera vendore nën administrimin e saj. Gjithashtu edhe në Bulqizë nuk mund të flitet për diferencimin e mbetjeve në burim. Në të dyja bashkitë, administrimi dhe pastrimi i qytetit bëhet me mjetet dhe personelin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të bashkisë.

Venddepozitimi i mbetjeve

Shumica e njësive administrative të bashkisë Dibër nuk e ofrojnë shërbimin e pastrimit të territorit. Ndërsa njësitë administrative si ajo e Maqellarës, Selishtës, Sllovës dhe Muhurrit kanë një pikë depozitimi buzë lumit, jashtë çdo kushti dhe standardi teknik.

Fusha e depozitimit në Peshkopi e ndërtuar në vitin 2003, ndodhet 2 kilometra larg nga qyteti dhe është planifikuar të jetë funksionale për një periudhë 25-vjeçare, me një kapacitet deri në 1000 ton mbetje në muaj.

Era e rëndë që shkaktohet nga ky venddepozitim, por edhe nga ujërat nën-tokësore janë një burim i madh ndotjesh për banorët e zonës afër fushës së depozitimit dhe ujërat e përroit të Dohoshishtit.

Aktualisht në venddepozitimin e mbetjeve në Peshkopi po kryhen punime për sistemimin dhe rrethimin, por që është ende larg parametrave që kërkohen për administrimin e mbetjeve.

Bashkia Dibër thotë për Citizens Channel se kostoja për të ndërhyrë në rehabilitimin e situatës së mbetjeve në njësitë administrative është e pa mundur, kjo për shkak të kostos financiare të pa përballueshme për buxhetin e saj.

Në bashkinë Bulqizë gjithashtu situata është shumë e rëndë përsa i përket venddepozitimit të mbetjeve. Prej shumë vitesh mbetjet urbane dhe inertet hidhen në Qafë të Buallit, vetëm tre kilometra larg qytetit.

Mbetjet digjen, duke shkaktuar një ndotje shumë të madhe për luginën e Bulqizë. Kjo bashki nuk ka një leje mjedisore për një venddepozitim të tillë dhe jashtë çdo standardi.

Nga vëzhgimi i Citizens Channel rezultoi gjithashtu se në këto venddepozitime mbetjesh hidhen edhe mbetje spitalore, çka mund të jetë mjaft e rrezikshme.

Në të tillë kushte të administrimit të mbetjeve në territorin e Dibrës dhe Bulqizës, duket se do të jetë e largët dita kur do të kemi një diferencim të mbetjeve që në burim dhe më pas riciklimin e tyre.

Kjo gjendje nuk tremb vetëm personat e varfër, të cilët të shtyrë nga gjendja e vështirë dhe mungesa e një pune, detyrohen të nxjerrin të ardhura duke rrëmuar në plehra.

“Vijmë për një kore bukë. Kam burrin me një pension të vogël dhe dy djemtë të pa punë, e halli më detyron të vij këtu. Jam operuar një herë prej kinokokut që e mora nga puna në plehra, por zori dhe halli më sollën sërish këtu”, na thotë një grua që ishte duke mbledhur shishe plastike.

“Kam ardhur nga Laçi, bashkë me djalin e vëllait për të mbledhur plastikë, qelq dhe kanaçe. I mbledhim dhe i shesim tek këto firmat e riciklimit. Fitojmë s’fitojmë 10 mijë lekë të vjetra në ditë, këtu mes tymit dhe helmeve. Por çfarë të bëjmë, nga halli e kemi dhe jo nga qejfi”, shprehet një burrë për Citizens Channel. 

[wpvideo j8XjkW1g]

Autor: Sami Curri

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *