Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shërbimet, sektori që mban në këmbë familjet shqiptare dhe ekonominë

“Merrem me tregti se nuk di çfarë të bëj tjetër. Edhe ndonjë gjë del, aq sa të jetoj. Në mos rrjedh, pikon”. Fatosi, 40 vjeç ka një dyqan të vogël ushqimor në rrugën e Qelqit në Kombinat. Prej 3 vitesh ai shet produkte të ndryshme, kryesisht banorëve të lagjes.

Si dyqani i tij ka shumë të tillë në çdo lagje të kryeqytetit dhe në të gjithë Shqipërinë. Janë me mijëra ata që merren sot me shërbime dhe jo vetëm në tregti, edhe në transport e turizëm. Shumë të tjerë janë të punësuar në sistemin bankar dhe në kompanitë e sigurimit. Janë këto degë, që përbëjnë atë që ne e njohim si sektori i shërbimeve dhe që i sigurojnë ekonomisë shqiptare miliona euro e mijëra vende pune, duke kompensuar edhe mungesën e prodhimit.

“Llogaria e shërbimeve, regjistroi një balancë pozitive prej rreth 380 milionë eurosh, rreth 111 milionë euro më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë në një vit më parë. Kontributi kryesor në këtë zhvillim rezultoi nga zgjerimi i sufiçiteve përkatës në zërat ‘shërbime të tjera biznesi’, ‘shërbime udhëtimi’”, evidenton Banka e Shqipërisë në Bilancin e Pagesave për tremujorin e tretë të vitit 2017.

Deklarata teknike e institucionit mbikëqyrës bankar qartazi lë të kuptohet se shërbimet janë ato që po performojnë më mirë në ekonominë shqiptare, çka paralajmëron se ajo do të jetë një ndër shtyllat edhe për të ardhmen.

“Sektori i shërbimeve nga vetëm 10 -15% në periudhën 1960-1990, tashmë zë rreth 75-80% të sipërmarrjeve shqiptare. Vendin kryesor në këtë sektor e zë transporti, tregtia me shumicë dhe pakicë, si dhe bankingu e siguracionet. Më i suksesshëm brenda sektorit të shërbimeve është transporti që ka shtuar dhjetëra herë flotën e mjeteve të transportit dhe ka rritur pagat e personelit më shumë se në çdo degë të ekonomisë. Dhe pas tij, bankingu dhe sigurimet. Sektori i shërbimeve do të vazhdojë të mbajë rol kryesor në ekonominë shqiptare për një kohë të gjatë, edhe pse nuk mund të shërbejë si motorri i saj (sepse nuk është sektor që krijon vlerë nga prodhimi)”, shpjegon për Citizens Channel Enriko Ceko, ekspert për ekonominë.

Shërbimet vlerësohen si një sektor bazë edhe nga Arbër Agalliu, ekspert për ekonominë. Por ai vlerëson se problem kryesor mbetet niveli i ulët i kualifikimit të punonjësve në këtë sektor, çka duket dukshëm veçanërisht në turizëm.

“Ekonomia shqiptare është një ekonomi, e cila përqëndrohet më tepër tek sektori i shërbimeve. Për vetë karakteristikat e saj, në Shqipëri, sektorët e tjerë e kanë të vështirë zhvillimin, duke qenë që mungojnë në mënyrë të theksuar avantazhet krahasuese. Sektori i shërbimit, megjithëse ka përfaqësues të rëndësishëm, si ai i sistemit bankar, kompanitë e sigurimeve apo dhe ato të telekomunikacionit, ka mjaft problematika, ku më të rëndësishmen mund të përmend atë të kualifikimit të kapitalit human. Këtu mund të përmendet sektori i turizmit”, thotë Agalliu për Citizens Channel.

Turizmi, dilemat e sektorit prioritar

Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar mjaft të mirë ecurinë e sektorit të turizmit. Falë verës që lamë pas, shërbimet e udhëtimit u mbyllën në tremujorin e tretë të 2017-ës me bilanc pozitiv prej 181 milionë euro ose 18% më i lartë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Ajo që konstatohet është një rritje e numrit të turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë dhe parave që ata kanë shpenzuar. “Gjatë tremujorit të tretë të 2017-ës, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 588 milionë euro. Rritja vjetore e të ardhurave u ndikua nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj (jo rezidentë) në vend (rreth 3%), sëbashku me rritjen e shpenzimeve mesatare të këtij grupimi (me 16%)”, thotë Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, edhe numri i shqiptarëve që i kanë kaluar pushimet jashtë vendit është rritur. Të dhënat zyrtare tregojnë se udhëtarët rezidentë (shqiptarë dhe të huaj) kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 407 milionë euro. Numri i tyre është rritur me 5% në harkun kohor të një viti. Në rritje është edhe ditëqëndrimi, ndërsa shpenzimet që ata kanë bërë janë ulur.

Ekspertët vlerësojnë ecurinë e deritanishme të sektorit, por sipas tyre ka ende probleme të forta dhe të mbartura në vite që kanë çuar edhe në mungesë të shërbimeve bazë që turizmi duhet t’i ofrojë.

“Turizmi në Shqipëri ka pasur një zhvillim të segmentuar për shumë arsye, duke filluar nga problematika, si situata jo e qëndrueshme politike gjatë këtyre viteve, mungesë e infrastrukturës, sigurisë fizike dhe asaj rrugore, qendrave të shëndetësore dhe deri tek kushtet jo të përshtatshme, të cilat shiten shumë shtrenjtë. Tjetër element është mos kualifikimi i kapitalit human në sektorin e turizmit, ku shërbimi i ofruar në të gjitha drejtimet lë për të dëshiruar”, shprehet Arbër Agalliu, ekspert për ekonominë.

Për Enriko Cekon, qeveria është ende në kohë për ta orientuar zhvillimin e turizmit në një lidhje të fortë me bujqësinë dhe për të dhënë kështu një ofertë të plotë për turistët. 

“Turizmi përbën rreth 10-12% të GDP-së, por ka premisë, nëse bujqësia bëhet motorri i ekonomisë shqiptare që të furnizojë agropërpunimin dhe turizmin me produkte të freskëta bujqësore dhe blegtorale”, deklaron Ceko për Citizens Channel.

Masat e qeverisë për turizmin

Qeveria e ka përcaktuar turizmin si një sektor prioritar. Një politikë që po reflektohet kryesisht tek lehtësitë fiskale. Gjatë vitit 2017, u ul TVSH-ja për turizmin në 6%, më pak se mesatarja e rajonit, në përpjekje për ta bërë vendin tonë atraktiv për turistët e huaj. Pa kaluar viti, Ministria e Financave solli një tjetër projektligj për këtë sektor. Duke filluar nga 1 janari 2018, hotelet me 4 dhe 5 yje do të përjashtohen për 10 vjet nga tatim fitimi (15% aktualisht) dhe për hotelet me 5 yje edhe nga taksa mbi infrastrukturën.

“Ulja e TVSH-së me 6% konvertohet vetëm në rreth 5 milionë euro në vit në total sepse është vetëm për shërbimin e dhomave të hoteleve. Por si fillim nuk është keq. Sa i përket hoteleve me 5 yje është një ëndërr shumë e madhe. Taksa 0 për këtë lloj shërbimi do të sjellë një konfuzion shumë të madh sepse në vend nuk ka ende asnjë hotel të tillë dhe në vend nuk ka një agjenci të akredituar që certifikon hotelet. Kush i cakton yjet e hoteleve? Askush. Kjo mund të krijojë problem edhe me tregun e hoteleve të zakonshme”, shpjegon eksperti e ekonomisë Ceko.

Me apo pa turizëm elitar Shqipëria ka potencial për këtë sektor, përderisa Zoti i ka falur detin dhe rërën. Për të tjerat, shumë më shumë duhet bërë. Ulja e taksave ndihmon, por duhen edhe rrugë, ushqime të kontrolluara, siguri e pastërti. Mbi të gjitha duhet shërbim i mirë, e këtu, të gjithë jemi dakord: Është problem i madh!

Autor: Aurora Sulçe*

Autorja e shkrimit është autore dhe moderatore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para e pasuri” në TV “Ora News”

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *