Citizens.al

Kur media shkel kufrin mes interesit publik dhe privatësisë

Nga Amarildo Topi

Teksa po ngjisja një nga rrugicat e kalldrëmta të lagjes Mangalem në Berat, u shkëmbeva me gazetaren e Top Channel e cila ishte me flokë të shpupurisur, fytyrë të trembur dhe logon e mikrofonait të thyer.

Ishte fillim marsi i vitit 2008, vetëm pak orë pas tragjedisë ku 16 persona u mbytën në Liqenin e Farkës. Me urdhër të drejtorit të televizionit ku punoja isha nisur për tek familja beratase së cilës i kishte ndodhur gjëma.

Të afërmit e viktimave kishin nxjerrë me pahir kolegen e Top Channel sapo kish vënë këmbë në oborrin e shtëpisë. Ata donin vetëm t’i qanin në privatësi njerëzit e tyre të zemrës.

Duke ndjekur këshillën e saj, kameramanin e lashë pak metra larg nga shtëpia, ndërsa  bashkë me një kolege të Gazetës Shqiptare ecëm drejt oborrit. Na ishte thënë 100 herë në telefon nga shefat e redaktorët të përcillnim atmosferën nga shtëpia e viktimave. Por çfarë pret të thonë të afërmit pas një fatkeqësie të tillë përveç dhimbjes dhe pikëllimit?

Natyrisht që të njëjtin fat me kolegen e Top Channel e pësuam edhe ne dy ‘trimat’. Ajo ishte hera e parë dhe fundit që tentova të fusja hundët në privatësinë e dikujt, pavarësisht urdhrave të redaktorëve, kryeredaktorëve apo drejtorëve që janë katapultuar në ato pozicione pa u përballur asnjë ditë me terrenin. Çfarë interesi publik ka paraqitja drejtpërdrejt në ekran e dhimbjes e familjarëve të viktimave?

Një nga leksionet e para që kam marrë në gazetari është ÇFARË PËRBËN LAJM dhe një nga elementet kryesorë është INTERESI PUBLIK. Ç’interes publik ka një vrasje për xhelozi ku autori dhe viktima nuk janë persona publikë? Ku qendron interesi publik tek zënka për një vijë uji e dy fshatarëve në një fshat të thellë të Gramshit? Ku qendron interesi publik në publikimin e menjëhershëm të emrave të viktimave të një aksidenti rrugor?

Televizionet ‘përtypin’ dhe ‘pështyjnë’ gjithçka që del përpara objektivit të kamerave dhe celularëve, pas asnjë lloj filtri, vetëm e vetëm për të mbushur programacionin. Akoma më keq janë faqet online, që jo vetëm publikojnë gjithçka që gjejnë në rrjetet sociale, por shkelin me të dyja këmbët çdo etikë gazetareske. Pavarësisht se një pjesë të mirë të tyre nuk dua t’i klikoj pikërisht për shkak të kësaj situate, sërish më dalin në feed-in e Facebook-ut apo Twitter-it se ka nga ata që i pëlqejnë apo i shpërndajnë.

Mediat shqiptare po bëjnë një gabim të madh në kurriz etikës profesionale duke tentuar të konkurojnë shpejtësinë e rrjeteve sociale. Por ky është një gabim shumë i madh! Janë dy gjëra krejt të ndryshme, pavarësisht të përbashkëtave. Video apo fotografi nga ngjarje të ndryshme mund të ngarkohen menjëherë në rrjetet sociale, çka ka rritur më shumë se asnjëherë privatësinë e viktimave.

Pothuajse të gjitha këto fotografi apo video më pas përfundojnë edhe në edicione lajmesh apo në ballinat e portaleve online. Roli filtrues i mediave duket se ka marrë fund.

Të nderuar kolegë, fakti se ka mjaftueshëm informacion për të mbushur disa sekonda në transmetim apo disa radhë në faqe gazetash e portale online, nuk do të thotë se ky informacion duhet të përcillet për publikun.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *