Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ndërhyrje e huaj”, deputetët socialistë miratojnë Komision të Posaçëm për dezinformimin

Nën petkun e hetimeve për dezinformim, socialistët miratuan ngritjen e një komisioni parlamentar që do të luftojë “ndërhyrjen e huaj” në lajmet apo informacionet që do të shpërndahet në vendin tonë.

“Kërkojmë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për të koordinuar dhe mbikqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, – është kërkesa e shtatë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm.

Sipas kërkesës së deputetëve Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Damian Gjiknuri, Klevis Xhoxhi dhe Petro Koçi përmes këtij komisioni do të adresohen problematikat që kanë të bëjnë me përmbajtje të shpërndara në platforma sociale të karakterit dezinformues, kryesisht nga ndërhyrjet e huaja apo financimet e huaja. Ndërsa do të propozojë edhe ndryshime ligjore për këto problematika.

“…për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet me qëllim bërjen sa më transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t’i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajten e lajmit/informacionit, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes”,-thuhet në kërkesën e deputetëve.

Ngritja e komisionit të posaçëm për Dezinformimin, është miratuar gjatë ditës së djeshme nga Konferenca e Kryetarëve vetëm me votat e shumicës. Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ka refuzuar ta votojë dhe ka kërkuar më shumë kohë pasi sipas tij, kanë nevojë për siguri që nuk do të tentohet ndërhyrja në lirinë e medias.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, deputeti Bledar Çuçi u shpreh se është besimplotë që këtij komisioni do të bashkohet edhe opozita “për të parandaluar cënimin e vlerave tona demokratike nga çdo ndërhyrje e mundshme e huaj”.

Për Kryeministrin Rama, kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të cilën duhet ecur me shpejtësi, ndërsa shpërndau deklaratën e deputetit Çuçi.

10-të JO-të për Komisionin Parlamentar të Dezinformimit

Por ndryshe nga optimizmi i qeverisë, Këshilli Shqiptar i Medias e sheh me shqetësim ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Dezinformim. Sipas tyre, kjo ndërhyrje ngre dyshime që objektivi i punës së këtij komisioni do të jetë kontrolli i mediave gjatë kësaj periudhe dhe jo i dizinformimit. Ata rendisin edhe dhjetë arsye se pse nuk duhet krijuar ky Komision.

Sipas Këshillit, Komisioni nuk ka një objekt të qartë të hetimit duke lenë hapësirë për abuzime në dëm të lirisë së medias. Po ashtu sipas Këshillit “ është e pakuptueshme sesi Parlamenti shqiptar që nuk ka bërë asnjë hap e nuk ka treguar asnjë vullnet për të përmirësuar situatën e informimit mediatik, del i shqetësuar për të kundërtën, atë të dizinformimit”.

Këshilli përmend faktin se në kushtet kur në Shqipëri ka probleme të mëdha të lirisë së medias, për të cilat ka nevojë për ndërhyrje urgjente sikurse lidhjet e politikanëve apo qeveritarëve me pronarët e medias, transparenca me fondet shtetërore dhe mos aplikimi i ligjit për të drejtën për informim, dezinformimi mund të zgjidhet pas këtyre.

Sipas Blerjana Binos, përfaqësuese e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt”, formimi i këtij komisioni të posaçëm me kaq shpejtësi dhe pa analizë të mirëfilltë për nevojën e tij, por vetëm me iniciativën e Partisë Socialiste është shqetësues.

Blerjana Bino- Safe Journalists Network

“Patjetër që çështjet e dizinformimit, i cili në fakt është më shumë produkt i brendshëm në Shqipëri sesa ndikim i jashtëm sipas disa studimeve të pavarura, duhet të adresohet. Mënyrat sesi adresohen janë të ndryshme që nga elementet e vetë-rregullimit, tek edukimi për median dhe informacionin, tek verifikimi i fakteve dhe narrativave”.

Sipas Binos, në këtë rast nuk është e qartë se çfarë synon të realizojë ky komision.

“…duke mbuluar fushat e 4 komisioneve të tjera ekzistuese në parlament, duke parashikuar ndryshime ligjore e deri në heqje të përmbajtjes mediatike. Kështu rrezikojmë të kthehet në një instrument për të heshtur kundërshtarët, kritikët, zërat e pavarur një vit para zgjedhjeve parlamentare. Për më tepër, jemi të vetëdijshëm për proceset formale konsultuese që realizohen dhe rolin e dobët mbikëqyrës të parlamentit ndaj qeverisë, kështu që ka pak premisa për të besuar në një proces të mirëfilltë”,-përfundon Bino.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *