Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta e fermerëve zhvendoset para ministrisë: “Kërkojmë djersën tonë, asgjë më tepër”

Protesta e fermerëve të rrethit të Mallakastrës, Fierit dhe Lushnjës u zhvendos sot para Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në vazhdimësi të protestave të njëpasnjëshme, fermerët kanë vendosur ta përshkallëzojnë atë në mënyrë që pesë kërkesat e tyre të plotësohen.

Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Enea Hoti, kërkoi që të zhvillojë një takim me kryesinë e fermerëve. Ata njoftuan se nuk janë në dijeni të kërkesave të parashtruar, ndonëse fermerët prej javësh i kanë artikuluar problemet e tyre duke bllokuar, në shenjë simbolike, akset kryesore të Fierit dhe kanë derdhur shumë prodhime në rrugë.  

Protestuesit pohojnë se kërkesat e tyre në fakt janë bërë publike në formë të vazhdueshme duke i shpalosur në 4 protestat e organizuara gjatë këtyre dy muajve të fundit.  

Ata deklaruan se nuk i dinë kërkesat tona pavarësisht se ne i kemi afishuar në media, i kemi shkruar nëpër pankarta, po ndoshta nuk i kanë lexuar. Si duket janë marrë me numrimin, duke numëruar sa protestues jemi“, shprehet një nga fermerët gjatë protestës para ministrisë.  

Fokusi kryesor është subvencionimi nga qeveria duke kërkuar që situata të ndryshojë dhe të jetë në nivelet e shteteve fqinje si Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Kërkojmë djersën tonë, asgjë më tepër nuk po kërkojmë“, thotë një tjetër protestues teksa ishin në pritje të një përgjigjeje nga institucionet përkatëse.

Citizens Channel ka raportuar edhe më parë situatën në të cilën gjendet fermerët e qarkut të Fierit. Ata janë shprehur se janë në prag të falimentimit, në mungesë të tregut dhe mbështetjes nga institucionet në rast të dëmtimeve të prodhimit nga kushtet atmosferike.

Duke u ndalur konkretisht në kërkesat e tyre, shoqata “Fermerët e Myzeqesë” ka publikuar një njoftim në datën 21.10.2019 ku bëri me dije se do zhvillohej tubimi i radhës lidhur me pakënaqësitë e tyre rreth situatës aktuale të cilat u përkthyen në pesë pika drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në letrën e bërë publike fermerët shprehen se situata në të cilën ata ndodhen është produkt i politikave të këqija dhe si rrjedhojë duhen ndërruar.

Nuk janë kërkesa për shtesë fondesh, janë kërkesa për rregullim ligji. Janë kërkesa minimale“, tregon më tej një nga protestuesit para godinës së Ministrisë së Bujqësisë.

Konkretisht, pesë kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mbështetjen financiare dhe subvencion të çdo njësie produkti të hedhur në treg; kompensim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore; rregullim në paketën fiskale 2020 të shkallës së TVSH-së për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale; garantim në shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë, laborator për analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore, kontroll dhe monitorim të cilësisë së produkteve tona nëpërmjet një laboratori të akredituar dhe rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e palëve në këtë treg.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *