Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zall Gjoçaj: Gjykata rrëzon banorët, ata i kthehen ngujimit në çadër

Gjykata Administrative e Shkallës së parë në Tiranë ka rrëzuar të mërkurën kërkesën e banorëve për ndalimin e punimeve të ndërtimit të hidrocentralit të Sekës, në lumin Zall Gjocaj. Seanca gjyqësore është zhvilluar me tensione nga prania e banorëve të cilët nuk e kanë mirëpritur këtë vendim.


Brenda ambjenteve të gjykatës janë pranuar vetëm banorët që kanë firmosur padinë, ndërsa të tjerë kanë qëndruar jashtë. Banorë të fshatrave Zall Gjoicaj, Melth, Gjocaj, Derjan, Urxall të pranishëm në ambjentet e jashtme të gjykatës, u shprehën se do të vazhdojnë revoltën dhe do ta mbrojnë me gjak ujin e tyre.

Unë sot jam për mbrojtjen e fshatit tim, kam ardh për të mbrojt vendin. Aty ku kam qenë unë, s’ka burrë none që vjen ne vendin tonë e na shkel neve “, -shprehet njëra nga banoret e pranishme.

Para nisjes së seancës gjyqësore banorët u shprehën besimplotë në autoritetin e gjykatës për të marrë një vendim pozitiv në favor të tyre.

“Gjykatës i kërkojmë të vendosë pezullimin e punimeve në atë vend dhe uji të shkojë aty ku ka shkuar gjithë jetën. Aty është një vatër zjarri dhe këtë vatër zjarri mund ta shuajë vetëm gjykata me anullimin e atij projekti dhe atyre punimeve”, -shprehet njëri prej banorëve, ndërsa vazhdon më tej se rezistenca e tyre do të vazhdojë. “Prandaj kemi ardhur ketu, dhe do jemi ketu, kemi ngrit dhe fshatin atje, po rezistojmë atje deri sa të zgjidhet ky problem,  të verifikohet kush ka të drejtë. Ne s’po shkelim ligjin, s’po i kërkojmë gjo shtetit as kurrkujt, po kërkojmë të drejtën tonë, të fëmijëve tonë, të parëve tonë, që na i ka dhënë natyra. Do luftojmë deri në pikë të fundit”.


Banorët fajësojnë për këtë vendim edhe kryetarin e bashkisë Mat, i cili sipas tyre ka nënshkruar në favor të ndërtimit të HEC-eve gjatë këtij viti.

“Do ta mbrojmë me gjak, me gjak do ta mbrojmë, ujin e pijshëm do ta mbrojme me gjak. Jane bërë letrat në 2017, ndërsa firmën nga kryetari i bashkise e ka marrë në 4 mars 2019. Edhe kryetari i bashkisë së Matit ka marrë thesin. Edhe ai duhet të jetë para gjykatës “.

Prej ditësh banorët e fshatit Zall Gjocaj janë duke qëndruar në një çadër të ngritur në kanionin e Melsit, në shenjë revolte kundër grabitjes së ujit. Të prekur nga kjo situatë janë edhe banorë të fshatrave të tjerë si Melth, Zajs, Urakë dhe Kaçinar.


Cila është kompania që do të ndërtojë hidrocentralin në Zall Gjocaj?

Kompania koncensionare për ndërtimin e HEC-eve është Seka HYDROPOWER shpk.. Sipas të dhënave të paraqitura në OpenCorporates.al, Seka Hydropower është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, kryesisht me fushë të veprimtarisë në energji dhe gaz. Ajo administrohet nga Fabio Scuero dhe Sokol Muceku.

SEKA HYDROPOWER shpk. është një shoqëri konçesionare e krijuar nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “GENER 2” shpk dhe HYDRO-PROJECT shpk për zbatimin e kontratës konçesionare të lidhur me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, datë 12.06.2012, për financimin, projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentralit “Sekë” dhe transferimin e tij në përfundim të kontratës tek Autoriteti Kontraktues.

Pas miratimit të koncensionit në shtator të vitit 2013, kompania “Gener 2” është shkëputur duke i shitur aksionet te “Hydro-project”, e cila është një kompani me investitorë italianë të cilët punojnë në fushën e energjisë.

Mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive private janë lidhur 185 kontrata dhe është miratuar ndërtimi i 466 hidrocentraleve.  Pjesa tjetër e hidrocentraleve, sipas një investigimi të realizuar nga Porta Vendore, gjenden në listën e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, të cilat nuk janë objekt koncesioni.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *