Jetojmë në kohët kur jemi të mbytur në propagandë, kur hapësira e mediatizuar është shumë e polarizuar dhe kufijtë mes raportimit dhe avokacisë janë zbehur.
Sot kemi raportime nga protesta e lëvizje si Black Lives Matter, Parkland Students, #MeToo dhe debati nëse reporterët mund dhe duhet apo jo të shprehin mendimet jashtë redaksisë, si në rrjetet sociale, apo të marrin pjesë nëpër marshime, është më i nxehtë se kurrë.
Sot kemi gazetarë që bëjnë aktivizëm, por kemi dhe aktivistë që kanë filluar të bëjnë gazetari (ACLU, Human Rights Watch, Greenpeace, në Shqipëri EcoAlbania dhe të tjerë)
Në shumë redaksi sot besohet se nuk ekzistojnë dy këndvështrime për çështje të caktuara si racizmi, përjashtimi, pabarazia, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Kur gratë protestojnë dhe gazetari del me ta në protestë, a e ka kapërcyer cakun profesional?
Kur studentët, ambientalistët, punëtorët apo komunitetet e margjinalizuara (romët, egjiptianët, LGBTI+) zbresin në rrugë, a është një gazetar i njëanshëm nëse mbron të drejtat e tyre?
Redaksitë e sotme janë objektivisht më të larmishme, a mundet të ketë objektivitet në redaksi me pikëpamje shumë diverese?
Po mediat e mbështetura në forma filantropike me axhenda parësore, a duhet të jenë objektive në kuptimin standard të fjalës?
Përthyerjen e mesazhit drejt kahjeve të caktuara, e bën vetëm media, apo audienca ka rol të forcuar në receptimin e tyre?
Ekziston një ndarje brezash mes gazetarëve të vjetër që ruajnë idenë klasike të ndarjes së lajmit nga opinioni dhe gazetarëve të e rinj; më të zellshëm për puqjen e personit publik me atë privat.
Citizens Channel përqafon vërejtjen e Yochai Benkler se: objektivitetin nuk duhet ta kuptojmë thjesht si neutralitet, por si aksion i përhershmen drejt së vërtetës. Kur hapësira është e mbushur me propagandë, të jesh neutral, mund të ndihmosh përhapjen e saj.
“Çdo gazetar i mirë është një aktivist i së vërtetës, në favor të transparencës e në emër të llogaridhënies”
Drejtor Ekzekutiv
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës dhe një sërë trajnimesh mbi gazetarinë inovative dhe menaxhimin e medias në rajon, BE dhe SHBA. Veç eksperiencës 10-vjeçare si gazetar, kryeredaktor dhe producent i podcasteve dhe dokumentarëve, ai është angazhuar si konsulent dhe trajnues i metodave inovative të gazetarisë dhe edukimit mediatik me organizata vendase dhe ndërkombëtare si Thomson Foundation, IREX World, OSCE, EULEX dhe CRD . Prej vitit 2018 është drejtor ekzekutiv i Citizens.al ku udhëheq punën editoriale dhe strategjike të medias.