Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protestë para Bashkisë Mat: “Futja e ujit në tuba do të shterojë natyrën dhe jetën tonë”

Banorë të Matit dhe të rretheve të tjera u mblodhën dje para bashkisë Mat për kundërshtuar edhe një herë hidrocentralet e miratuara në lumin Flim dhe Urakë. Ata i kërkuan përfaqësuesve të këtij institucionit të mbrojnë mjedisin dhe vetë banorët e zonës, të cilët prej muajsh janë organizuar ne protestë.

I kërkojmë Bashkisë Mat të jetë në lartësinë e detyrës dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve të vet. Të ndërhyjë, mos të bëjë syrin qorr teksa klane të caktuara vjedhin pasuritë  e vendit dhe pasuritë e matjanëve. Të mos ngrejë supet sa herë që pyetet për Zall-Gjoçaj, por të kërkojë llogari se çfarë pasojash i vinë zonës nga ndërtimi i këtyre HEC-eve “, u shpreh Dhimitër Koleci teksa protestuesit ishin mbledhur para institucionit.

Dhimitër Koleci, protestues

Në shenjë simbolike, ata sollën një arkivol, për t’i treguar Bashkisë se miratimi i lejes për hidrocentralet në lumin Flim, që rrjedh në Zall-Gjoçaj dhe Urakë në Zais, nënkupton vdekjen e mjedisit dhe të gjallesave në zonat përreth.

HEC-et që po ndërtohen nën hundën e kësaj Bashkie do të na shterojnë natyrën dhe jetën tonë, duke e dënuar në mënyrë të pakthyeshme me thatësi dhe shkatërrim total të zonës“, vijoi më tej Dhimitër Koleci. Protesta u pasua më pas nga fjalime të banorëve dhe aktivistëve mbështetës të kauzës së ngritur.

Dorëzimi i aktit simbolik u pasua më përplasje me policinë

Banorët morën në krahë arkivolin dhe iu drejtuan Bashkisë Mat, e rrethuar nga policët. Protestuesit u përplasën me policinë, pasi këta të fundit nuk lejuan që arkivoli të dorëzohet në hyrje të institucionit.

Përplasja ka zgjatur disa minuta dhe si pasojë një protestueseje i ka rënë të fikët, të cilës i është ofruar ndihmë nga të pranishmit.

Banorë të tjerë akuzojnë Policinë  e Shtetit se ka ushtruar dhunë ndaj tyre. Abdi Toçi tregon për Citizens Channel se një polic e ka goditur por shprehet se nuk arrin ta identifikojë cili prej tyre ka ushtruar dhunë ndaj tij.

Abdi Toçi – Banor i Matit

Tashi sot, policia me gjuan në grusht, më gjun grusht tek dhëmbët. Ç’faj i kam policisë unë? Kisha flamurin që ka mbrojt Shahin Toçi, që ka dhanë jetën për atë flamur. Unë atë flamur nuk e lëshoj, se jam pasardhës i Shahin Toçit”, rrëfen ai.

Javën e shkuar një nga kamionët në brendësi të Zall-Gjoçaj është djegur. Nuk dihet se kush e ka ndërmarrë veprimin. Banorët pohojnë se në polici janë shoqëruar dy nga rojet e sigurisë së firmës private.

Investim në turizëm, jo në hidrocentrale

Banorët e tjerë tregojnë se zona në të cilën është planifikuar të merret uji është zonë turistike dhe Park Komëtar. Shkurte Lala, 81 vjeç kujton si dikur, në ato anë, kullosnin mijëra bagëti dhe jetonin me qindra familje. Ajo shpjegon se futja e ujit nëpër tuba e kthen zonën në të pabanueshme.

Shkurte Lala, protestuese

Ne na shqetëson se na marrin pasurinë krejt. Si të na marrin qat ujë na kanë marrë shpirtin. Shtatë faqe qatje kemi jetu, e me fëmijë e me krejt. Është vend turistik si Tropoja, si Zvicra. Këto vijnë e na e marrin pronën”, tregon Lala për Citizens Channel. Ajo shton se devijimi i rrjedhës natyrale dhe ndërtimi i këtyre hidrocentraleve është dënim jo vetëm për njerëzit, por edhe për bimësinë dhe gjallësat.

Si të na marrin ujin, ka mbaru gjaja, s’ka jetë. Ka mbaru toka, ka mbaru nëntoka, lulja, pjella, egërsirat- ene mbet fishek. Të vijë e të na marrë pikën e ujit, atëherë ku do të rrojmë ne? Çka do të hamë ne? Çka do bajë fëmija jem?”

Shaqir Gjata, banor i fshatit Shqefen, shpjegon se banorët dëshirojnë ta zhvillojnë zonën nëpërmjet turizmit dhe nuk kanë asnjë përfitim nga kjo industri që i merr ujin.

Ajo zonë ku vjen ai ujë, është një zonë turistike që shteti të ketë e të vejë dorë në atë ujë, do bëhej një vend turistik që do na kishin zili, jo Shqipëria, po do të na kishte zili edhe Zvicra”.

Shaqir Gjata, protestues

Gjata rrëfen se si pasojë mos investimit dhe lënies në harresë nga ana e institucioneve, ka bërë që banorët të braktisin vendlindjen dhe të zhvendosen. Ai pohon se ndërtimi i hidrocentraleve do jetë vendimtare ne ikjen e banorëve të cilët jetojnë ende atje.

Po ikin njerëzit. Është krimi më i madh të devijosh këtë ujë. Është krimi më i madh që i bahet këtij vendi. Prandaj po ikin, e janë shkatërru fshatrat e kanë ik dhe shumica po ikin. Jemi në proces për të ik. Se s’kena ku rrimë”, thotë ai për Citizens Channel.

Organizimi i banorëve të Matit

Prej disa muajsh, banorët e Matit janë organizuar për të mos lejuar tjetërsimin e lumenjve Flim dhe Urakë. Ata kanë ngritur çadrën e rezistencës e cila është e pozicionuar në Zall-Gjoçaj.

Prej disa javësh, banorët kanë ngritur padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Dy seancat e para nuk u zhvilluan pasi mungoi pala e komapnisë private e cila ka marrë leje për të vijuar punimet.  Në seancën pasuese, nuk u mor asnjë vendim i ndërmjetëm për shkak të mungesës së një gjyqtari të tretë.

Banorët shprehen të vendosur se nuk do të lejojnë që të përparojnë punimet dhe t’u marrin ujin, të cilin e konsiderojnë burim kryesor jetese.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *