Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kursimet janë shteruar”, izolimi thellon varfërinë për komunitetit Rom dhe Egjiptian

Anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian në zonën e Selitës, nëpërmjet një videoje të realizuar në formë proteste, kërkojnë nga institucionet shtetërore që të ndërhyjnë dhe t’u japin ndihmesat e nevojshme ushqimore, pasi gjendja ekonomike e tyre është rënduar si pasojë e COVID-19.

Ata shpjegojnë se është e pamundur që aktivitetet e tyre në këtë zonë si shitja e rrobave të përdorura tek tregu apo mbledhja e materialeve të riciklueshme, të vijonë me ritmet e një ditë të zakonshme, si rrjedhojë e masave të marra nga qeveria. Kjo nënkupton zero të ardhura për të përballuar ditët e karantinës.

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja, tregon për Citizens Channel se banorët, të shqetësuar nga situata dhe thellimi i vështirësive ekonomike, kanë kërkuar të protestojnë, duke zgjedhur pikërisht këtë formë.

Gjatë këtyre ditëve njerëzit na kanë kërkuar ndihmë sepse nuk kanë mundur të punojnë. Të gjendur në këtë situatë, kanë kërkuar të protestojnë duke zbatuar rregullat dhe masat që duhen për të mbrojtur veten dhe pjesën tjetër të shoqërise. Ndaj, në vend të grumbullimit, vendosën të realizojnë një video duke përcjellë historinë e tyre personale”, shpjegon Tare.

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja

Ajo apelon që nevojat e komunitetit rom dhe egjiptian të mos stigmatizohen por të adresohen në mënyrën e duhur.

Është  e rëndësishme të theksohet që njerëzit mos t’i konsiderojnë si “lypsarë” dhe përfitues për shkak të situatës. Gjatë gjithë kësaj kohe kanë siguruar jetesën nëpërmjet punës informale, por ne kushtet e izolimit kjo eshte e pamundur”, përfundon Ola Tare.

Të gjithë zërat e përfshirë në videon e realizuar kërkojnë ushqim. Ata tregojnë se i kanë respektuar masat e qeverisë, por tashmë kursimet janë shteruar.

I bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama. Ju lutemi shumë, e respektuam ligjin, ligjin e atij edhe po mbyllemi në shtëpi. Jam nënë e shtatë fëmijëve. Po na qan fëmija vetëm për të ngrënë”, shprehet një banore në video.

Kryeministri Rama, në datën 20 mars, nëpërmjet një komunikimi në rrjetin social “Facebook” lajmëroi si lëvizja e qytetarëve do të jetë e lejueshme nga ora 5.00 deri në 13.00. Pas atij orari, çdo gjë do të jetë e mbyllur, njoftoi ai.

Si lindi nevoja për t’u organizuar në këtë mënyrë?

Ilir Jashari, banor i Selitës, tregon për Citizens Channel se anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian në Selitë, jetesa e të cilëve varet nga shitja e rrobave tek tregu dhe mbledhja e materialeve plastike, të gjendur para urisë dhe politikave të pamjaftueshme, u organizuan.

Tek kjo zona këtu, jam banor i kësaj zone, tek tregu ku shiten rroba të përdorme, edhe romët po nuk kanë shit gjatë ditës, në darkë nuk kanë ça të hanë. 20 lekë rroba shesin, se nuk shesin noj gjë të madhe. Ca mbledhim bidona, ca mbledhin kanaçe, që i shesin. Edhe erdhi njoni e më tha: ‘O Ilir, a do vish pak, bëjmë naj diçka se nuk po na pyt fare shteti’. Ishte copë copë s’kishte bukë me hongër, tani që po ta them më vjen shumë keq”, rrëfen Jashari.

Ai shpjegon se ndihmat e marra deri tani janë të pamjaftueshme dhe i kanë detyruar anëtarët e komunitetit të mbështeten tek njeri-tjetrit.

Ilir Jashari, aktivist

Kishte sjellë [shteti] para një jave, kishte sjellë dy pakë makarona, naj vaj, edhe dy oriz. Ndihma janë ato? Vetë i teti në shtëpi, i shkreti. Unë që kam pas pak ato rezervat, na kanë mbaru. Kena ndihmu njëri-tjetrin. Tani kena ngel edhe ne që kena pas ato rezervat”.

Jashari, ashtu sikurse dhe qytetarët e tjerë kërkon që shteti t’i ndihmojë dhe t’i furnizojë me ushqime, deri në normalizimin e situatës.

Qeveria kujton se i presim lekët me gërshërë. I lutem shtetit, kaq, vetëm bukë me ngrënë. Asnjë gjo tjetër nuk du nga shteti”. Gjendja e vështirë në të cilët ndodhen, tregon Ilir Jashari, ka detyruar disa banorë të rikthehen në aktivitetet e mëparshme, kundrejt rrezikut që këto punë mbartin.

Disa kanë dalë edhe me punu. Nga ora 5.00 deri në orën 13.00 kanë dalë për kanaçe, se s’kishin me hangër. Dolën fshehtas. Edhe prandaj po të them, është emergjente”, përmbyll ai.

Në datë 17 të këtij muaji, anëtarët e këtyre dy komuniteve protestuan në qytetin e Tiranës, Fierit, Elbasanit, Durrësit, Sarandës dhe Shkodrës. Ata ngritën problemin e mungesës së ushqimeve për të përballuar ditët në izolim, ku procesi i punës është ndërprerë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *