Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Daniel, aventurieri amerikan i “ngecur” në Ksamil për shkak të koronavirusit

Prej dy javësh tashmë, Shqipëria është prekur nga virusi Covid-19. Për të ulur përhapjen e virusit Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash, ndër to edhe mbylljen e kufijve dhe mos lejimin e qarkullimit brenda vendit.

Për Daniel, 29 vjecarin nga Los Angelos, mbyllja e qarkullimit dhe karantinimi i banorëve brenda shtëpive të tyre, do të thotë të “ngecësh” në Shqipëri, e pikërisht në Ksamil.
Ai po viziton Shqipërinë duke udhëtuar me autostop “hitchhiking”, me dëshirën e madhe për të njohur kulturën, mënyrën e jetesës dhe traditat e vendit.

“Hitchhiking” ose Autostop: Është formë e udhëtimit ku një person zgjedh të qëndrojë në anë të rrugës duke pritur për të tjerë udhëtarë ta marrin në makinë e tyre deri në një pjesë të rrugës.

“Hitchhiking” për të do të thotë larg kostove të mëdha financiare dhe më afër njerëzve, për ta shijuar vendin si një banor lokal dhe jo vetëm si një turist.

Tashmë ai është duke qëndruar në një familje që i ka hapur dyert e saj në Ksamil, deri në qetësimin e situatës dhe lëvizjen e lirë.

“Nuk dua të ngec kudo, por Ksamili është një vend i mirë nëse duhet të ngecem diku”,-shprehet Daniel.

Në një intervistë për Citizens Channel, Daniel rrëfen sfidat e udhëtimit, eksperiencat dhe mënyrën se si e kanë pritur banorët vendas, komunikimi me ta përmes google translate, por pa harruar edhe ushqimet dhe gatimet e nënave shqiptare.

Daniel, na trego pak për veten dhe eksperiencat e tua.

Unë jam 29 vjeç dhe kam lindur dhe jam rritur në Los Angeles, por u transferova në Izrael në 2010 dhe qëndrova atje deri në vitin 2019. Kam studiuar shkenca politike dhe jam diplomuar në vitin 2017. Kam punuar për disa vjet duke shitur panele diellore pas diplomimit. Në vitin 2013, u bëra vullnetar në një fermë dhe një person me të cilin punoja kishte shëtitur të gjithë Evropën përmes “hitchhiking”. Ne punuam së bashku çdo ditë për tre javë dhe ai më tregoi gjithçka për udhëtimet si “hitchhiker” dhe përvojat që kishte. Pas atyre tre javëve, unë u frymëzova ta provoja vetë. Kam kursyer para dhe kam nisur udhëtimin tim të parë nga Praga në Madrid më pas.

Si nisi dëshira jote për të udhëtuar nëpër botë si “hitchhiker”?

Në retrospektivë, dëshira ime për të udhëtuar filloi përpara se të largohesha nga Shtetet e Bashkuara. Unë gjithonë kam qenë i magjepsur nga kultura, gjuhët, traditat dhe mënyrat alternative të jetës dhe kam dashur të njoh njerëz nga vendet e tjera . Ky interes thjesht manifestohet në “hitchhiking”. Si fëmijë duke u rritur në një qytet shumë-kulturor siç ishte Los Angeles, unë vazhdimisht u ekspozova me njerëz nga e gjithë bota, të cilët patën një ndikim të thellë në dëshirën time për të udhëtuar botën.

Cilat janë vendet e para që ke vizituar?

Që nga udhëtimi im i parë që përfundoi në Madrid, unë kam udhëtuar çdo vit për një muaj. Unë e dua aventurën dhe kjo është e vetmja mënyrë se si unë mund ta përballoj financiarisht të udhëtuarin. Kam para për të udhëtuar nëse fle në çadrën time dhe bëj autostop, sepse më duhet vetëm të blej ushqim. Sidoqoftë, nuk do të mund ta përballoja nëse flija në hotele, merrja autobusë dhe ushqim. Unë kam ecur dhjetëra mijëra kilometra me mijëra shoferë në disa kontinente. Më pëlqen shumë “hitchhiking”, sepse më lejon të takoj shumë njerëz. Ndërsa eci në këmbë, jam zhytur plotësisht në kulturën lokale dhe jam në gjendje ta jetoj vendin si një banor i zonës. Shumë njerëz më kanë ftuar në shtëpitë e tyre, kemi bërë biseda interesante për gjëra personale për veten dhe jetën e tyre dhe më kanë treguar vende që vetëm vendasit i dijnë. Ekziston një lidhje speciale e mbajtur midis personit që ecën në këmbë dhe atij që e merr në autostradë me makinë. Është një nga pak herët në jetë ku dy të panjohur ulen pranë njëri-tjetrit dhe nuk përdorin telefonat e tyre, gjë që i bën ata të flasin. E thënë thjesht, “hitchhiking” më ka dhënë përvoja që nuk do të kisha pasur kurrë nëse do të udhëtoja në një mënyrë konvencionale.

Dëshira për të bërë këtë udhëtim të madh në të cilin jam tani, erdhi si rezultat i udhëtimit tim në Vietnam për pesë javë midis 2018-2019. “Hitchhiking” mund të jetë e vështirë dhe sfiduese kudo, por bëhet më e vështirë kur e kombinoni atë me pamundësinë për të komunikuar me shumicën e vendasve dhe me pak ngjashmëri kulturore. “Hitchhiking” në Vietnam ishte ndryshe nga çdo udhëtim tjetër që kam ndërmarrë ndonjëherë edhe në mënyra të tjera. Ishte hera ime e parë që udhëtoja në një vend jo-perëndimor, ku anglishtja nuk flitej zakonisht dhe ishte hera ime e parë që udhëtoja në një vend kryesisht duke hipur në motoçikleta, pasi shumica e njerëzve nuk posedojnë vetura. Prandaj, kam pasur shumë përvoja të vështira, qesharake dhe interesante. Sado e vështirë të jetë nganjëherë, “hitchhiking” në Vietnam ishte shumë i këndshëm dhe ishte motivimi që më duhej për të bërë udhëtimin që jam tani dhe për të filluar kanalin tim në Youtube. Para fillimit të këtij kanali në Youtube, nuk pata përvojë në fotografi, videografi ose ndonjë përvojë të mediave sociale. Sidoqoftë, kam pasur një rritje të konsiderueshme në mediat sociale dhe kanalin tim në Youtube dhe jam i lumtur që njerëzit janë frymëzuar nga ajo që po bëj.

A ndiqni një hartë specifike të vendeve që do të vizitoni, apo janë zgjedhje të rastit?

Zakonisht kam një rrugë të përgjithshme, por shumë herë bëj atë që më pëlqen ta quaj “hitchhiking i verbër”. Kjo është kur rruga që unë marr vendoset nga cilido drejtim do të vijë shoferi. Kjo ka funksionuar mirë në të kaluarën pasi e kam gjetur veten në vende që nuk do të kisha shkuar kurrë në jetën time nëse një vendas nuk do të mi tregonte.

Si erdhi kontakti juaj me Shqipërinë? Cfarë dinit për këtë vend përpara se të vinit këtu?

Para se të vija në Shqipëri, kalova disa javë duke udhëtuar në Kosovë dhe takova shumë shqiptarë atje me të cilët u gjenda shumë mirë. Megjithëse nuk kisha qenë kurrë në Shqipëri, shqiptarët që takova atje më lanë një përshtypje të mirë se si do të jetë vendi. Disa prej tyre më dhanë numrat e tyre të telefonit dhe më thanë t’i kontaktoja kur të jem këtu. Kam takuar edhe udhëtarë të tjerë në Kosovë të cilët kishin vizituar Shqipërinë dhe ata më thanë shumë gjëra të mira për vendin. Kam ditur shumë pak për Shqipërinë para se të mbërrija. Në Kosovë, banorët e zonës më thanë që lëvizja në këmbë përmes “hitchhiking” do të ishte më e lehtë nëse do të bëja shenjën e shqiponjës me dorë që përfaqëson Shqipërinë. E vetmja lidhje që kisha me një person shqiptar përpara se të mbërrija këtu ishte një shok që kisha në shkollën fillore, mamaja e të cilit na bënte fasule kur shkoja në shtëpinë e tij.

Përshtypja e parë pas mbërritjes në Shqipëri?

Dita e parë që pata në Shqipëri ishte e mahnitshme dhe e paharrueshme. Personi i parë që më mori në makinë ditën e parë ishte një djalë i ri që ishte një punonjës social dhe planifikonte të udhëtonte në Amerikë në javët e ardhshme. Ai më shëtiti me makinë një orë në perëndim të kufirit dhe ne ndamë një bisedë të këndshme ndërsa biseduam për vendet e tjera. Personi tjetër që takova në Shqipëri ishte një plak që më mori me makinë dhe gjithashtu më çoi për drekë. Unë po kërkoja për kuletën time kur erdhi fatura dhe ai më tha që do të më thyente dorën nëse paguaja. Ishte edhe më e çuditshme sepse ai më tha këtë duke përdorur gjuhën e shenjave pasi nuk fliste asnjë anglisht. Pas kësaj, një burrë i sjellshëm më çoi direkt në hostelin tim në Tiranë dhe insistoi të paguante për hotelin. Unë as nuk u përpoqa të paguaj sepse e mësova mësimin tim nga plaku.

Sa qytete keni vizituar deri më tani në Shqipëri? Çfarë karakteristikash ke vënë re në këto qytete?

Kam vizituar Tiranën, Durrësin, Vlorën, Himarën dhe Ksamilin. I kam shijuar shumë këto qytete, por të preferuarat e mia janë Himara dhe Ksamil. Më pëlqeu Himara sepse kishte një pyll të vogël në plazh pranë qendrës së qytetit. Është bukur të kesh dy peizazhe krejtësisht të ndryshme aq afër njëra-tjetrës. Kam takuar disa amerikanë në Himarë të cilët ishin vullnetarë në një hotel atje. Ishte interesante të bisedosh me ta dhe të krahasosh përvojat. Kam mësuar për kanunin dhe besën. Doja të bëja një video në lidhje me kanunin, por kjo krizë e ka bërë atë të pamundur qysh tani sepse nuk mund të udhëtoj në Veri. Besa është gjithashtu shumë interesante për mua pasi ilustron një pjesë të madhe të kulturës shqiptare.

A keni ndonjë plan specifik për sa kohë qëndroni?

Unë kam një plan të vogël. Sidoqoftë, tani po bëj video në youtube dhe jam aktiv çdo ditë në mediat sociale, kështu që përpiqem të sigurohem se jam në një vend ku mund të kem WiFi të përherhme. Sasia e kohës që kaloj në një qytet varet nga sa më pëlqen qyteti dhe nëse jam duke bërë një video në lidhje me atë qytet ose diçka në të. Ka raste kur takoj një person interesant dhe kënaqem duke kaluar kohë me ta, pavarësisht se në cilin qytet ndodhet.

Kam vërejtur nga postimet e tua në Instagram se ndodhesh prej disa ditësh në Ksamil dhe ke mbetur atje për shkak të situatës së koronavirusit. Si u ndjetë kur mësuat se nuk mund të lëviznit prej andej për ca kohë?

Është e vështirë të jesh jashtë vendit në këtë situatë. Unë nuk flas gjuhën dhe nuk njoh askënd këtu. Unë jam i shqetësuar dhe ndonjëherë i frikësuar, por vendasit e kanë bërë përvojën time shumë më të mirë. Deri tani, unë njoh shumë prej tyre dhe ndjehem ndonjëherë sikur të kisha jetuar këtu tërë jetën time. Disa prej tyre kanë insistuar gjithashtu të më mësojnë disa fjalë  në gjuhën shqipe.

Si ju duken masat e marra nga qeveria shqiptare për të kufizuar lëvizjen e njerëzve dhe thirrjet e vazhdueshme për higjienë personale?

Qeveria ka qenë proaktive këtu në ndërmarrjen e hapave për të shmangur përhapjen e virusit. Vetë-izolimi është i vështirë pavarësisht se ku jeni në botë, por më jep siguri fakti se po bëhen shumë kufizime. Kjo është situatë e vështirë për të gjithë dhe veçanërisht për mua pasi unë jam i huaj këtu. Sidoqoftë, e shoh se vendasit janë të vetëdijshëm për këtë dhe më kanë bërë të ndjehem rehat. Është mirë që kam plazhin kaq afër dhe mund të  shkoj atje.

Si po shkon qëndrimi juaj në Ksamil? Cilat janë disa tipare që vlerësoni më shumë?

Qëndrimi im në Ksamil po shkon mirë. Nuk dua të ngec kudo, por Ksamil është një vend i mirë nëse duhet të ngecem diku. Është shumë bukur dhe ndjehem sikur jam në një ishull tropikal në oqeanin Paqësor. Është për të ardhur keq që gjithçka është mbyllur për shkak të virusit, por kjo do të thotë se do të më duhet të kthehem një ditë. Uji ka qenë shumë i pastër bukuria natyrore është e mahnitshme. Jam i sigurt se është një vend i mrekullueshëm për t’u çlodhur gjatë verës. Ndihem gjithashtu shumë i sigurt këtu dhe që mund të eci lirshëm pa pasur nevojë të shqetësohem për sigurinë time. Vendet e tjera nuk janë aq të sigurta, kështu që unë jam i lumtur që është këtu.

Ku po qëndroni aktualisht? Si ju pritën banorët atje?

Tani po qëndroj me një banor të zonës , të cilin e takova në një kafene. Unë kisha qenë atje çdo ditë duke punuar në kompjuterin tim dhe gjithmonë do të përshëndetnim njëri-tjetrin. Një ditë ai më pyeti ku fle dhe unë i thashë në çadrën time në plazh. Është një përvojë e jashtëzakonshme duke qëndruar këtu me të dhe nënën e tij që jeton në derën ngjitur. Cdo ditë, dëgjoj muzikë shqiptare, ha ushqim shqiptar dhe rri me njerëzit shqiptarë. Ajo bën ushqim të shijshëm shqiptar çdo ditë dhe unë kam vërejtur ndonjëherë që ajo bën shumë më tepër sesa hane normalisht dy njerëz. Në fillim, nuk e kuptoja pse ajo do të bënte kaq ushqim me bollëk, por djali i saj më shpjegoi se është e zakonshme që nënat shqiptare ta bëjnë atë. Ajo nuk flet asnjë fjalë anglisht, por mua më ka pëlqyer vërtet takimi dhe biseda me të përmes google translate. Mund të them që ajo vërtet interesohet për mua. Ndihem sikur ajo ngushëllohet duke e ditur që kam një çati mbi kokë.

Si është dita juaj e zakonshme në këtë situatë të pazakontë në Ksamil? Si filloni, me cilat aktivitete?

Ditët e mia ndonjëherë janë sfiduese tani, pasi jam në shtëpinë  pothuajse gjatë gjithë kohës, por po e shfrytëzoj më së shumti. Unë bëj shumë punë në kompjuterin tim pasi po përpiqem të rris kanalin tim në youtube dhe praninë në mediat sociale. Gjithashtu, na duhet shumë kohë që të kemi biseda me mikun tim të ri pasi zakonisht mbështetemi në përkthimin e google.

Sapo të mbarojë kjo situatë dhe gjërat të përmirësohen dhe ju mund të ecni përpara, cilat janë planet e tjera? Cilat qytete ose vende do të vizitoni?

Unë po mendoj të kthehem në Amerikë derisa të mbarojë kjo krizë. Nëse qëndroj në Shqipëri, atëherë do të vazhdoj në Vietnam pasi të ketë mbaruar kjo. Plani im është të udhëtoj përmes “hitchhike” nga Franca në Vietnam. Unë do të dokumentoj përvojat e mia , por gjithashtu do të bëj video në lidhje me kulturën, mënyrën e jetës, bestytnitë, traditat dhe çdo gjë tjetër që më duket interesante. Sidoqoftë, kam në plan të vizitoj shumë vende të tjera në Shqipëri pasi kam shumë më tepër për të parë këtu. Dua të vizitoj Korçën, Beratin, Pogradecin dhe shumë vende të tjera. Unë gjithashtu dua të eksploroj bukurinë natyrore të Kosovës si malet në Veri dhe liqenet. Do të vizitoj Greqinë, Turqinë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin, Rusinë, Kazakistanin, Kinën, Birmaninë, Tajlandën, Laos dhe Vietnamin. Sidoqoftë, kjo varet nga fakti nëse jam plotësisht i sigurt nga virusi. Është e vështirë ta thuash që tani. Nuk jam i sigurt për të gjitha vendet specifike që do t’i vizitoj.

Mund të njheni më shumë me udhëtimet e Daniel, përmes kanalit të tij në Youtube 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *