Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Covid-19 “shpëton” lumenjtë e Kosovës, pezullohet ndërtimi i hidrocentraleve dhe nis rivlerësimi

Qeveria e Kosovës ka pezulluar të gjitha ndërtimet dhe punimet në hidrocentrale gjatë pandemisë. Ky urdhër është lëshuar nga Ministri i Ekonomisë pasi një qytetar i zones së Bitisë së Poshtme, pjesë e komunës së Shtërpcës në Kosovë, është ankuar se në lumin Lepenc vazhdonin punimet, kundrejt faktit se Qeveria ka kufizuar lëvizjen.

Kësaj kërkese i janë bashkuar edhe disa organizata të shoqërisë civile, pjesë e koalicionit “Pro Open”, ku është theksuar, përmes një komunikate, se punimet po dëmtojnë degën e Lepencit dhe po rrezikojnë banorët.

Zëvëndës Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Avni Zogiani, gjatë një interviste për Citizens Channel, pohoi se lejet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve janë dhënë pa u kushtuar rëndësi çështjeve mjedisore.

Trazirat politike në Kosovë si dhe konfirmimi i rasteve të para me Covid-19, ka bërë që Qeveria të mos ketë kapacitetin e plotë për të monitoruar punimet në hidrocentrale, e për këtë arsye është urdhëruar pezullimi i tyre, tregon Zogiani.

Ky vendim është mirëpritur nga aktivistët mjedisorë.

Për momentin asht vendimi i duhur, por jo më i miri sepse Qeveria duhet të rishikojë komplet strategjinë e përdorimit të resurseve ujore për prodhimin e energjisë së ripërtërishme. Duhet bërë analizë e të shihet sa janë dëmet që i shkaktohen natyrës në raport me energjinë e prodhuar nga hidrocentralet e vogla”, u shpreh për Citizens Channel Ardian Nrecaj, aktivist në Kosovë.

Nrecaj thekson se shumë prej këtyre hidrocentraleve në fakt nuk sjellin përfitime as për shtetin, e as për komunitetin.

Sektori i energjitikës tërë kohën tentojnë që të na e shesin si zhvillim ekonomik ndërtimin e hidrocentraleve, që është një gënjeshtër e pastër.

Ardian Nrecaj, aktivist mjedisor

Nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla nuk përfiton as shteti as komuniteti, por vetëm një kompani dhe një pronar. Le që demtohet lumi, por edhe me para të taksapaguesve atë rrymë që e prodhojnë shteti asht i obliguar t’ua blejë”, përfundon ai.

 

Lejet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë në shkelje të plotë të ligjit

Zëvëndës Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, bën më dije se vendimi për pezullimin e përkohshëm të punimeve është i qëllimtë dhe kjo periudhë do të shërbejë për të rivlerësuar lejet e dhëna, pasi janë evidentuar një serë shkeljesh.

Zogiani pohon se ka një përmbysje hierarkike në shfrytëzimin e burimeve ujore.

Me të gjitha ligjet në fuqi, Kosova ka këto prioritete në shfrytëzimin e burimeve ujore: 1) uji i pishëm; 2) agrokultura; 3) industria; 4) energjia. Në Kosovë këto prioritete janë përmbysur. Pra, prioritetet në qeverisjet e kaluara kanë kapur vektorin nga 4 drejt 1, por me një theks të veçantë në pikën 4”, shpjegon ai për Citizens Channel, teksa thekson se janë anashkaluar projektet që synojnë mundësimin e ujit të pijshëm dhe agrokulturën.

Miratimi i lejeve mjedisore ka anashkaluar mendimin e komunitetit, sqaron Zogiani.

Në përgjithësi, këto projekte kanë injoruar kërkesën ligjore për konsultim të publikut, sepse publiku nuk është ftuar në takimet e organizuara. Ka një tendencë të plotësimit formal të kërkesave themelore, sic është konsultimi i publikut, por ato janë bërë pa e pasur publikun si dëshmitar. Ne kemi gjetur se asnjë pjestar i komuniteteve që ndikohen me këto projekte nuk ka qenë i pranishëm në këto konsultime”.

Avni Zogiani, Zëvëndës Ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Kosovë

Projektet e miratuara kanë për bazë studimet ujore të vitit 1983, tregon në vijim Zogiani, duke mos pasur studime aktuale, të cilat janë të domosdoshme edhe si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Një tjetër shkelje serioze është vazhdimi i projekteve pa pasur një studim për ujërat. VNM-të (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis) për këto projekte kanë për bazë një Master Plan të vitit 1983, por Ministria e Ambientit nuk ka bërë asgjë që të ketë një studim të gjendjes aktuale të ujërave”.

Lexo intervistën e plotë: Pezullimi i HEC-eve në Kosovë, si hap i parë për të rivlerësuar domosdoshmërinë e tyre, pohon Avni Zogiani

Shqipëria dhe raporti i saj me hidrocentralet

Sipas një analize të kryer nga Porta Vendore, në Shqipëri janë miratuar 714 leje për ndërtim të hidrocentraleve. 259 prej këtyre kontratave  janë përfundimtare dhe 132 janë marrëveshje paraprake, të cilat janë nënshkruar 20 vitet e fundit.

Citizens Channel ka raportuar në vazhdimësi protestat e organizuara nga qytetarë dhe ambientalistë kundër HEC-eve në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Prej disa muajsh në Mirditë, qytetarët janë bashkuar dhe kanë penguar procesin e punës. Kundrejt tentativave nga ana e kompanisë, kontraktuesit nuk kanë mundur të rifillojnë punimet në lumenjtë e fshatrave  Shpërdhazë, Kaçinar, Arrëz dhe Simon.

Jo vetëm Mirdita, edhe Mati është organizuar në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë. Prej muajit tetor, 2019, matjanët kanë ngritur çadrën e rezistencës në Zall-Gjoçaj.

Duke pohuar se banorët rezidentë nuk janë përfshirë në konsultime dhe se punimet po kryhen në Park Kombëtar, matjanët tashmë po e ndjekin penalisht çështjen pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Dy herë radhazi janë djegur makineritë e punimeve por nuk dihet autori.

Olsi Nika, përfaqësues i organizatës EcoAlbania, tregon se vendimi i Qeverisë së Kosovës është pozitiv, por ai vendos theksin në veprimet e marra pasi pandemia të ketë kaluar.

Duke iu kthyer situatës në Shqipëri, ku punimet në ndërtimin e hidrocentraleve të miratuara kanë vijuar, Olsi Nika pohon se një procedurë e tillë është e zakonshme, pasi kontratat parashikojnë afate.

Vlerësimi i Ndikimet në Mjedis (VNM) në Shqipëri, shton Nika, është një proces i cili duhet bërë në vazhdimësi.

Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania

Unë besoj që mund të shërbente kjo periudha e pandemisë për një reflektim po edhe nuk është se ishte e domosdoshme një periudhë pandemie për të reflektuar, për të parë që të këtilla lloj ndërtimesh, ose të tilla lloj iniciativash dhe politikash, në fakt nuk janë edhe aq të leverdisshme për ekonominë në përgjithësi”.

Sipas një studimi të kryer nga EcoAlbania, i cili nuk është publikuar ende, rezulton se hidrocentralet nuk sjellin përfitime ekonomike për shtetin.

Këto lloj skemash, pra hidocentralet, sidomos të vegjlit, në fakt më tepër marrin nga buxheti i shtetit sesa japin. Nuk po i hyj fare pjesës së analizës që bëhet për tokat e bukës që zënë, për ujin si element thelbësor që i duhet sektoreve të tjera të ekonomisë, siç është bujqësia, turizmi. Vetëm me një analizë ekonomike, financiare, këto hidrocentrale nuk sjellin ndonjë gjë”, përmbyll Olsi Nika.

Kosovë: Shfrytëzimi i pabalancuar i burimeve ujore kufizon jetën cilësore të banorëve

Krahas dëmit që hidrocentralet e dhëna në paligjshmëri shkaktojnë, futja e ujit në tuba përkeqëson jetën e banorëve, shton Zv. Ministri Zogiani.

Sa më shumë që burimet ujore shfrytëzohen në mënyrë të pabalancuar për energji, aq më shumë kufizohet mundësia që banorët që jetojnë përreth këtyre pellgjeve të kenë një jetë cilësore. Uji është jetë, dhe ne mund të nxerim qindra arsye pse ai duhet të ruhet, por janë mijëra arsye që ai të mos shftrytëzohet pa pasur përgjegjësi për natyrën dhe për kërkesat e komuniteteve që jetojnë nga ai ujë”.

Ky shqetësim është artikuluar prej banorëve që preken nga këto ndërtime në Shqipëri.

81-vjeçarja Shkurte Lala u shpreh për Citizens Channel në protestën e organizuar para Bashkisë Mat, në fillim të muajit mars, se marrja e ujit nënkupton ndërprerjen e vazhdimësisë së jetës.

Ne na shqetëson se na marrin pasurinë krejt. Si të na marrin qat ujë na kanë marrë shpirtin. Shtatë faqe qatje kemi jetu, e me fëmijë e me krejt. Është vend turistik si Tropoja, si Zvicra. Këto vijnë e na e marrin pronën. Si të na marrin ujin, ka mbaru gjaja, s’ka jetë. Ka mbaru toka, ka mbaru nëntoka, lulja, pjella, egërsirat – ene mbet fishek”, përfundoi ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *