Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fani i Madh, lumi që ndan rrjedhën me mbetjet industriale

Lumi Fan i Madh, në Fushë-Arrëz, rrethi Pukë është ndotur nga ujërat industriale të shkarkuara nga fabrika e pasurimit të bakrit “Beralb Sha”. Për këtë arsye, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit e ka gjobitur këtë kompani me vlerën 2 milion lekë për krimin mjedisor të kryer.

Kjo ngjarje ngjalli zemërimin e banorëve të cilët lajmëruan një protestë në datët 6 qershor. Protesta u quajt “Mos na i vrisni fëmijët” dhe pjesëmarrës do të ishin banorë nga nëntë fshatra.

Protesta e lajmëruar

Pavarësisht lajmërimit, pjesa më e madhe e banorëve u tërhoqën, duke pohuar për Citizens Channel, se u frikësuan nga ndëshkimi i policisë për shkak të ndalimit të tubimeve gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore shkaktuar nga virusi COVID-19.

Të tjerë qytetarë që ishin nisur nga Tirana për të qenë pjesë e organizimit, nuk u tërhoqën.

Aktivistët bënë një marshim nga Bashkia Fushë-Arrëz drejt një degëzimi të këtij lumi dhe vazhdimisht ftuan kalimtarë që t’iu bashkohen.

Disa banorë të zonës kanë ba një thirrje si rezultat i ndotjes së lumit. Këtu jemi para Bashkisë Fushë- Arrëz, ato pak banorë të zonës që kishin ba thirrjen, ata djem e vajza, si duket mafia i frikësoi“, u shpreh Arben Kola, protestues nga Tirana, i cili ishte i pranishëm për të mbështetur qytetarët e Fushë-Arrëzit në organizimin.

Arben Kola fajësoi fabrikën dhe institucionet që kanë heshtur para ndotjes së përsëritur të lumit.

I bëj thirrje asaj fabrikës e cila përpunon. Edhe në kohë të partisë së punës, asht përdor filtra e jo më një shekullin 21. Në 2020-tën nuk përdor filtra, ky është një krim kundër jetës, krim kundër të ardhmes edhe krim mjedisor.

Arben Kola, aktivist

Bashkia e Fushë-Arrëzit që hesht, do vijë një ditë që do të japë përgjegjësi para ligjit. Turp të keni që nuk zbatoni ligjin.

Aktivisti Arben Kola i bëri thirrje Ministrit të Turizmit të zbatojë ligjet për mbrojtjen e mjedisit.

“Thirrja tjetër shkon për Sandër Lleshaj, i cili para një jave deklaroi se do merrte një aksion për gjithë kriminelët që bëjnë krim mjedisor. Çfarë krimi më të madh do se ky lum i ndotur?”, shton ai.

Ndalesa u shoqërua me fjalime të pjesëmarrësve, ku u shpreh shqetësimi i tjetërsimit të natyrës nga veprimtaria e kompanive private, të cilët kanë dëmtuar natyrën përmes hidrocentraleve apo punimeve të tjera.

Në gjithë Shqipërinë, diku shembet një pjesë e memories së kombit, siç u shemb teatri në Tiranë. Në Zall-Gjoçaj shuhet një pjesë e mushkërive të kombit shqiptar, Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj. Po ashtu në Lurë, Kaçinar. Jemi këtu për të thënë indinjatën tonë për masakrën që i bëhet truallit dhe lumenjve të Shqipërisë“, tha gjatë fjalës së tij Dhimitër Koleci, i cili është i angazhuar në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë, në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Gjatë kthimit, protestuesit varën një banderolë në qendër të Fushë-Arrëzit. Në fund të organizimit, disa qytetarë të zonës i janë bashkuar protestës.

Luan Lleshi nga Fushë-Arrëzi tregon për Citizens Channel se tashmë ai nuk do mund ta përdorë ujin për të vaditur tokat bujqësore, prodhime të cilat janë burimi kryesor i jetesës.

Unë për vete nuk mund të jetoj me 5000 lekë ndihmë ekonomike që më jep. Ne me ato toka, rrush, ça të prodhojmë, misrin, groshë, s’kemi tjetër rrugë“.

Ai i bën thirrje qytetarëve të asaj zone të bashkohen në protestë, pasi ndotja e lumit i prek të gjithë.

Në vitin 2020, se do ndodhë kjo katastrofë nuk e imagjinoja. Kjo asht katastrofë. Le të vinë e të më fusin në burg, të bajnë si të duan. I bëj thirrje Kryeministrit të vijë të japë llogari para popullit të Fushë-Arrëzit e të gjithë kësaj lugine. Ne po na vriten shpresat. U vranë shpresat“, përfundon Luan Lleshi.

Luan Lleshi, banor në Fushë-Arrëz

Kjo nuk është hera e parë që kompania shkarkon ujëra industrialë në lum. Sipas raportimeve mediatike, banorët kanë ngritur të njëjtin shqetësimin vite më parë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *