Në 2 korrik, 1990 Ylli Bodinaku mori kamionin e tij dhe çau murin e ambasadës gjermane në Tiranë.
Ky veprim ishte fillimi i një mësymjeje të shqiptarëve në ambasadat e huaja, shumë prej tyre të dhunuar nga policia e regjimit që ishte ende në fuqi.
3172 shqiptarë hynë në ambasadën gjermane, 809 hynë në atë italiane, 547 në atë franceze dhe gjashtë në ambasadën jugosllave.
Pas disa ditësh qëndrimi në ambasada, me ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara, mijëra shqiptarë u dërguan në portin e Durrësit dhe u përcollën të sigurtë, fillimisht në Itali. Në muajin dhjetor të 1990-ës, Shqipëria u përfshi nga protestat e mëdha të dhjetorit dhe regjimi diktatorial ra.
Post-diktatura dhe fillimi i një rrugëtimi që ende vazhdon
Migrimi në Shqipëri është një fenomen që vazhdon prej tre dekadash tashmë. Pas hapjes së kufijve dhe rënies së sistemit monist, valë të mëdha eksodesh kanë përshkuar Shqipërinë, duke ndikuar në tkurrjen e popullsisë.
Në vitet e para të demokracisë, Shqipëria kishte standarde shumë më ulëta se ato të vendeve të tjera të Evropës Lindore.
Sipas studimit të kryer nga King dhe Vullnetari, shqiptarët të cilët ishin privuar nga ekspozimi ndaj shteteve fqinje dhe po ashtu i kishin të kufizuara edhe lëvizjet e tyre të brendshme, filluan të iknin nga varfëria, prapambetja dhe kaosi në rritje endemike në vend. Destinacionet kryesore ishin shtetet fqinje si Italia dhe Greqia, të cilën e njihnin përmes televizionit dhe radio transmetimeve, shkruhet në raport.
Gjatë viteve 1990, shqiptarët ishin aplikantët kryesorë për azil në Itali, edhe pse ata pak herë e kanë marrë statusin e refugjatit.
Lulëzimi i skemave piramidale thellon varfërinë dhe migrimin
Në vitin 1996-1997 qytetarët shqiptarë investuan në skema piramidale të cilat lulëzuan gjatë asaj periudhë. Investitorët ishin të ftuar të investonin dhe të merrnin mbrapsht fitime të shumëfishta. Shumë prej skemave piramidave rritën vlerën e interesit duke joshur më shumë investues.
Fondi Ndërkombëtar Monetar në studimin “Ngritja dhe Rënia e Skemave Piramidale të Shqipërisë” tregon se si shqiptarët u përfshinë në skemat piramidale që thelluan varfërinë e tyre dhe çoi vendin në luftë civile.
Në janar të 1996-tës, kompanitë kryesore në Shqipëri si “Sudja”, “Kamberi” rritën normën e interesit me 6% për investuesit.
Pasiguria e krijuar nga zgjedhjet që po afroheshin nxiti kompanitë të rrisin normën e interesit, këtë herë më 8% në muaj. Skema të reja piramidale hynë në treg gjatë asaj kohe. Në atë periudhe u krijuan dy skema të reja piramidale – “Xhaferri” dhe “Populli”, duke ofruar norma të reja interesi që arrinin 12-19% në muaj.
Skema ekzistuese piramidale si “Sudja” apo “Kamberi” bënë të njëjtën gjë, duke tërhequr më shumë investitorë. Qytetarët shitën shtëpiat e tyre, fermerët shitën kafshët shtëpiake, para të cilat i depozituan në skemat piramidale me shpresën se investimi do u shumëfishohej.
Pas shpalljes së falimentit dhe varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve, filloi lufta civile në 1997, ku u hapën depot e armëve dhe shteti kaloi në kaos. Njëkohësisht, shpëtimi i vetëm ishte emigrimi masiv kryesisht në shtete fqinje, nëpërmjet rrugëve shumë të rrezikshme.
Vala e tretë e migrimit, “e padukshme”
Emigracioni shqiptar drejt BE-së është përshkruar si i karakterizuar kryesisht nga dy rrjedha të mëdha, që datojnë që nga fillimi i vitit 1991 dhe i dyti në vitin 1997, të shoqëruara me një fluks të qëndrueshëm përgjatë viteve.
Në vend të kësaj, Organizatës Ndërkombëtare për Migrimit argumenton se ekziston një valë e tretë që nuk pasqyronte dimensionet e dy të parave, por që jepte mesazhin e rëndësishëm se Shqipëria ishte ende e paqëndrueshme dhe ekonomikisht e pasigurte dhe flukset e migracionit do të vazhdonin nëse nuk menaxhoheshin siç duhet. Sipas kësaj organizate, kriza në Kosovës gjatë vitet 1998-1999 udhëhoqi rreth 100,000 shqiptarë që largoheshin nga vendi.
Duke u paraqitur si shtetas të Kosovës, shqiptarët kërkuan azil në disa vende anëtare të BE-së. Kjo situatë u bë më e lehtë nga mungesa e dokumenteve të identifikimit për kosovarët e zhvendosur dhe nga gjuha e tyre e përbashkët, thekson Organizata Ndërkombëtare për Migrim.
30 vjet pas rënies së komunizmit, ku jemi sot?
Sipas një parashikim të kryer nga Pew Research, rezulton se Shqipëria në vitin 2100 do të jetë populli me moshën mesatare më të lartë në botë, 61 vjeç.
Edhe studimet e reja tregojnë një tendencë migrimi, çka vihet re veçanërisht tek grupmoshat e reja, të cilët kanë edhe nivelin më të lartë të arsimimit. “The Gallup World Poll”, në studimin e kryer pergjatë viteve 2015-2017 e rënditi Shqiprinë në vendin e tretë përsa i përket dëshirës për të migruar.
Fondacioni Friedrich Ebert Stifung në Shqipëri dhe Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale gjatë periudhës prill – shtator 2018 kanë kryer një studim mbi trendet e emigrimit potencial në Shqipëri.
Rezultatet tregojnë se 52% e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria dhe krahasuar me vitin 2007 ky numër njeh një rritje prej 7%.
Një tjetër i studim i realizuar nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale po në vitin 2018, ka shqyrtuar arsyet pse shqiptarët duan të emigrojnë, duke i krahasuar ato me të dhënat e vitit 2007.
Bazuar në anketat me 1423 familje, u vu re renie e shkaqeve ekonomike dhe ato familjare në vendimin për të migruar, ndërkaq edukimi dhe mosparja e një të ardhmjeje në Shqipëri janë rritur si faktorë në largimin nga Shqipëria.