Citizens.al

“Shkaqet me rëndësi” në Kodin e Familjes i hapin rrugë martesës së vajzave të mitura

Neni shtatë i Kodit të Familjes përcakton se dy individë të gjinisë së kundërt mund të martohen pasi të kenë mbushur moshën 18 vjeç.

Ky Kod, në raste specifike, i jep fuqi gjykatës së zonës, që për shkaqe me rëndësi, të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe, por nuk përcakton një moshë minimale.

Neni 7, Kodi i Familjes

Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe“.

Duke iu referuar publikimit të fundit të INSTAT,  në vitin  2019 janë martuar 20 vajza nën moshën 18 vjeç, ndërkohë që nuk rezulton asnjë djalë i mitur i martuar përgjatë këtij viti.

Dokumenti bën me dije numri i martesave të vajzave nën moshë ka pësuar rënie, pasi në vitin 2018 janë regjistruar 24 të mitura që kanë lidhur ligjërisht martesë. Po ashtu, janë regjistruar 3382 martesa të vajzave në moshën 18 deri në 19 vjeç, krahas 153 djemve të po të njëjtës moshë.

Në vitin 2018-2019, sipas INSTAT, janë kryer 178 aborte nga vajzat e moshës 15-18 vjeç ndërkohë që ka pasur 1549 lindje nga vajzat e së njëjtës moshë.

Numri i aborteve dhe lindjeve sipas moshës së gruas/ INSTAT

Martesa e të vajzave të mitura në Shqipëri përgjatë viteve 2011-2017

Raporti “Martesë në gjykatë? Të drejtat e fëmijëve, martesat nën moshë dhe roli i gjykatave”, kryer nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve, realizuar përgjatë viteve 2011-2017, ka marrë në studim të gjitha rastet e kërkesave për martesa në moshë të mitur në shtatë qarqe të Shqipërisë.

Kërkesat për lejim të martesës para moshës 18 vjeç janë bërë vetëm për vajzat e mitura.

Në të gjitha vendimet gjyqësore (në 100% të tyre) është kërkuar lejimi i lidhjes së martesës nën moshë për bashkëshorten e ardhshme dhe në asnjë rast për bashkëshortin e ardhshëm“, shkruhet në dokument.

Në këtë raport është përfshirë Shkodra, Kukësi, Tropoja, Lezha, Puka, Fieri dhe Kavaja, ku janë evidentuar dhe analizuar vendimet gjyqësore të këtyre rretheve rreth martesave në moshë të miturve. Fieri është qyteti që ka kërkesat më të lartë për martesë të vajzave të mitura, 18 kërkesa nga 68 në total.

Gjatë viteve 2011-2017 janë pranuar 82% e kërkesave (56 kërkesa) për “Lejim lidhjeje të martesës nën moshë”, 16.5% e kërkesave janë pushuar (11 kërkesa) dhe 1.5% e tyre janë rrëzuar (1 kërkesë).

Nga këto 68 kërkesa, në 6 raste të miturat kanë qenë nën moshën 16 vjeç, në disa vendime kërkesa është miratuar për të mitura që sapo kanë mbushur 16 dhe disa raste të tjera nuk përmbajnë të dhëna lidhur me moshën e vajzave të mitura që iu është lejuar martesa.

Në qarkun e Kukësit një e mitur e moshës 14 vjeç e 2 muaj ka paraqitur kërkesën për të lidhur martesë por është refuzuar pasi nuk është paraqitur pala kërkuese.

Sipas të intervistuarave, ndër arsyet kryesore të lidhjes së martesës para të 18-ave është shtatzënia, rënia në dashuri, varfëria dhe zakonet kulturore. Një rast në Kavajë ka përmendur përdhunimin si shkak i martesës së saj.

Në shumicën e rasteve të paraqitura në këtë raport, vajzat e mitura janë individët që kanë paraqitur kërkesën për lidhjen e martesës, pasuar nga prindërit dhe pretendentët për të qenë bashkëshortë të ardhshëm.

Martesat e vajzave të mitura janë kryer me persona të rritur, të cilët kanë diferencë në vite.

(12%) e rasteve kanë 2-6 vite diferencë moshore, (32%) e rasteve kanë 7-10 vite diferencë, (15%) kanë 11-15 vite, (4%) e rasteve kanë 16-19 vite diferencë dhe (37%) e rasteve nuk kanë të dhëna.

Diferenca moshore në lidhjen e martesës

Të dhënat e këtij raporti bëjnë me dije se në 68 vendime, vetëm në 6 raste është bërë një vlerësim psikologjik i të miturave dhe në 26 vendime të tjera është e qartë se nuk ka pasur të përfshirë psikolog në proces.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW