Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrëfime: Të vetme përballë tabuve mbi edukimin seksual; Adoleshenca e vajzave në zonat rurale

25 korriku i vitit 2014, ishte dita e fundit e kampit veror, kur Fatjona tinazi u shkëput nga grupi i miqve për të kuptuar se çfarë nuk po shkonte me trupin e saj. Ajo po përjetonte ndryshime hormonale, që u shoqëruan me ardhjen e menstruacioneve. Fatjona kishte informacion të përciptë mbi atë që po i ndodhte, ndaj zgjodhi ta kalonte ditën e fundit të kampit e mbyllur në dhomë.

Fatjona- Ilustrim Grafik – Blush Design – Përshtatur nga Citizens Channel

Më herët kishte dëgjuar për periodat dhe ndryshimet që ndodhin në adoleshencë nga kushërirat e saj, pak vite më të mëdha teksa mblidheshin te shkallët e lagjes dhe flisnin fshehurazi për tema tabu në familjet e tyre. Edhe pse është vajza e dytë në familje, me një motër më të madhe në vite, ajo asnjëherë nuk e ka gjetur veten në diskutime të tilla me familjen e saj.

Dëgjoja shpesh kushërirat më të mëdha që thonin filania është me “shoqet”, dhe nuk përmendej as emri, pra nuk thonin që është me menstruacionet, por është me shoqet. Nga kushërirat e dija që edhe unë kur të rritesha edhe pak do të isha me shoqet, por nuk e dija se çfarë ishin realisht. Dita e parë kur më kanë ardhur menstruacionet kam qenë në një kamp veror dhe nuk e kam pritur mirë, ka qenë një shok për mua”, -rrëfen Fatjona.

Eglantina – Ilustrim Grafik – Blush Design – Përshtatur nga Citizens Channel

Eglantina, jetonte në një fshat të Fierit, përpara se të vinte në Tiranë për të vazhduar Universitetin. Ajo rrëfen se njohjen me ndryshimet në trupin e saj gjatë periudhës së adoleshencës e ka përjetuar me ankth, duke pasur frikën se shëndeti i saj po rrezikohej. I vetmi person të cilit ajo mundi t’i shprehë shqetësimin ishte tezja, që kishte moshë pak më të madhe.

“Njeriu që kam pasur afër gjatë periudhës së adoleshencës ka qenë tezja që kam pasur një diferencë moshe të vogël me të dhe ishim si shoqe thuajse. Mbaj mend që në fillim ka qenë një periudhe shumë e sikletshme“,-rrëfen e ndrojtur Eglantina.

Sonila- Ilustrim Grafik – Blush Design – Përshtatur nga Citizens Channel

Ndërsa për Sonilën, e cila sapo ka përfunduar gjimnazin dhe pret të vijojë shkollën e lartë informacionin e parë për ndryshimet hormonale e ka marrë përmes internetit, dhe nuk ka qenë aspak e lehtë.

Në klasën e shtatë pata ardhjen e periodave për herë të parë dhe meqë në atë kohë sapo kisha marrë si dhuratë një telefon, informacionin për to e mora nga interneti. Nuk ishte aspak e lehtë, nuk kisha kërkuar informacionin e duhur dhe u përballa me imazhe aspak të këndshme. Kam qarë gjithë ditën se mendoja se nga ai moment e tutje çdo ditë e imja do ishte e tillë. Tani që e kujtoj më vjen edhe të qesh, por bëra mirë që iu shpreha më pas një shoqes sime që kishte motër më të madhe dhe më ka qetësuar dhe mbështetur në vazhdim“, – rrëfen Sonila.

“Do doja të kishte qenë mami, por nuk ka qenë ajo…”

“Nuk ka qenë mamaja, do e kisha preferuar shumë që të ishte ajo, sepse edhe pse kanë kaluar më shumë se 8 vite që nga hera e parë që më kanë ardhur menstruacionet, akoma e kam atë ngurtësinë për të folur me mamin”.

Ilustrim Grafik – Blush Design – Përshtatur nga Citizens Channel

Fatjona teksa kthehet disa vite pas në kujtime rrëfen me keqardhje se marrëdhënia me mamanë e saj kur bëhet fjalë për edukimin seksual ka qenë e ngurtë, hermetike, marrëdhënie për të cilën nuk është aspak krenare.

“Në fillim ka qenë kushërira, goca e xhaxhait, më e madhe se unë që e pyesja për çdo ndryshim që ndodhte në trupin tim dhe unë nuk e dija. Kam qenë shumë pak e informuar. Motra dhe mami kanë kuptuar që më kishin ardhur menstruacionet shumë vonë, dhe vetëm motra më pyeti më pas për këtë, mami nuk më tha gjë fare. Ka qenë po ashtu kushërira, e cila më ka treguar edhe për marrëdhëniet seksuale dhe aty kam kuptuar se si ne nuk vinim nga lejleku“,-tregon tanimë pa ndrojtje Fatjona.

Adelina është mamaja e tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze. Përpos marrëdhënies së afërt që është përpjekur të ndërtojë me fëmijët e saj, sërish ajo rrëfen se e ka pasur jo të lehtë për të krijuar komoditetin e duhur për të diskutuar mbi këto çështje.

Vajza është më e vogël se djemtë dhe deri në momentin që erdhi periudha e adoleshencës për të, nuk isha e shqetësuar për këtë pjesë. Me djemtë nuk kam mundur të flas për edukatën seksuale. Më vjen keq se edhe babi i tyre nuk e ka bërë këtë gjë, pasi ka qenë gjithë kohës në emigrim. Edhe nëse do të ishte në shtëpi nuk e di nëse do ishte i gatshëm të fliste. Ndërsa për vajzën e mendoja si përgjegjësi timen, por kur erdhi koha për të folur nuk arrita dot. Të paktën nuk e lashë me aq, kisha një libër që fliste për fazën e adoleshencës dhe shpjegonte çdo gjë. Ia dhashë ta lexojë”,- rrëfen Adelina me një lloj lehtësimi nga përgjegjësia.

Fatjona përpiqet që të gjithë heshtjen mes nënës dhe të bijës, fajin ta adresojë tek mungesa e kulturës së komunikimit ndër breza.

“… Duke qenë se asaj nuk ja kishte mësuar mamaja e vet, ajo kishte ndrojtje që të fliste me mua dhe vazhdon ta ketë akoma dhe kur e pyes unë për diçka më tepër , mami është prapë e stepur”,-rrëfen ajo, ndërsa zëri fillon t’i marrë më shumë plotësi.

Një sfidë bashkëkohore – “Të blesh peceta higjenike në dyqanin e lagjes”

“Kushërirat e mia ishin më të rritura dhe dyqani i lagjes ishte diku tek 25 minuta larg shtëpisë sonë, kur shkonin te ai dyqan nëse e shihnim nga larg që ishte shitësi dhe jo gruaja e tij që shiste atëherë kushërirat më çonin mua, si më e vogla”, – tregon Fatjona teksa ndan njohjen e parë me pecetat higjenike.

Ilustrim Grafik – Blush Design – Përshtatur nga Citizens Channel

Në momentin që erdhi koha për të blerë për vete peceta higjenike dhe jo më për kushërirat, Fatjona rrëfen se nuk e kishte më siklet, pasi ishte mësuar më herët me këtë gjë. Megjithatë, qasja ndaj blerjes së tyre si një person në rritje tashmë e vendoste përpara një tjetër etiketimi.

Blerjen e pecetave higjenike e bëja në një market që ishte afër një lokali të fshatit ku rrinin vetëm burra. Ndjehesha realisht në siklet sepse shikonin se çfarë ke blerë, çfarë ke në qese dhe mundohesha që të mos shkoja në dyqan vetëm për të blerë pecetat higjenike që më duheshin mua, por  i detyroja të shtëpisë se çfarë ju duhet ndonjë gjë tjetër. Vitet e fundit kur ikja te ky marketi afër lokalit të fshatit, shitësi gjithmonë ma mblidhte me një gazetë dhe pastaj ma fuste në qese pecetën higjenike”,-shpjegon ajo duke shtuar gjestet e duarve.

Foto-skicim i dyqaneve të lagjeve

Për Sonilën, vështirësia qëndronte diku tjetër: “Dyqani në lagjen time nuk ka formën e një marketi, ku ti hyn dhe blen ëtë duash e më pas shkon e paguan për ato ça ke blerë. Zakonisht ushqimet dhe produktet qëndrojnë pas kurrizit të shitësit dhe të duhet ti kërkosh atij se cfarë do të blesh. Kur shitësi është burrë thjesht i drejtoj gishtin pecetës higjenike dhe i them “një si ajo”. Ka raste që bën sikur nuk kupton dhe më pyet disa herë se kë dua“,-tregon Sonila ndërsa fytyra e merr një skuqje të lehtë.

Foto-skicim i dyqaneve të lagjeve

Vizitat te gjinekologu, vetëm kur je shtatzënë

Kujtim Albrahimi prej 29 vitesh ushtron profesionin e gjinekologut në spitalin e qytetit të Librazhdit. Ai rrëfen për Citizens Channel se vizitat më të shpeshta të vajzave dhe grave janë për raste të shtatzanisë.

Kujtim Albrahimi, mjek gjinekolog

Në përgjithësi vijnë për vizitë kur kanë probleme të urgjencës gjinekologjike. Për shtatzaninë kryejnë vizita më të rregullta”,-sqaron doktor Albrahimi.

Fatjona nuk ka shkuar asnjëherë te gjinekologu. Ajo rrëfen se nuk ka pasur asnjë problem për të zhvilluar një vizitë, teksa vë në dukje sikletin që do ta shoqëronte gjatë këtij procesi.

Nuk është se e kam për turp, por në siklet jam. Nuk është se kam pasur ndonjë problem që të shkoj, por edhe nuk e kam menduar që të shkoj pa pasur një problem. Shpresoj të mos më ndodhë gjë që të shkoj atje. Nuk e kam pasur të nevojshme që të shkoj, nuk kam bërë asnjë kontroll rutinë, siç duhet të bëhet, dhe nuk e kam mundësinë që të shkoj gjithmonë të bëj vizita shpesh dhe të kujdesem aq shumë për shëndetin“,-vazhdon të tregojë Fatjona.

Komunikimi i mjekut me pacientin është një nga proceset e rëndësishme që ndikojnë në fazën e vizitës. Për mjekun Albrahimi vajzat dhe gratë që shkojnë për të kryer një vizitë shpesh shfaqin sjellje të ndrojtura.

“Ka nga të gjitha shtresat. Po me aq sa arrij të kuptoj nga vizita duhet të bësh shumë punë bindëse me to që të kuptosh sa informacion kanë për problemet e tyre. Vajzat kryesisht vijnë te shoqëruara nga nënat e tyre. Po janë ca të ngurta. Dihet momenti i parë te puna jonë është i vështirë”-shprehet doktor Kujtimi.

Mjeku Albrahimi përpos bashkisë Librazhd, duke përfshirë këtu qytetin dhe fshatrat dhe rrethinat, e cila ka një popullsi prej 32 mijë banorësh, mbulon edhe bashkinë Përrenjas prej 33 mijë banorësh. Të dy bashkitë së bashku përbëjnë një numër të konsiderueshëm për tu mbuluar vetëm nga një mjek gjinekolog.

E megjithatë mjeku gjinekolog rrëfen se numri i vizitave është i ulët. Gjinekologu nuk thotë një numër konkret të vizitave mesatare, ndërsa sqaron se rënia e vizitave ka të bëjë edhe me emigrimin.

Po në përgjithësi ka rënë numri i vizitave. Ka shumë arsye. Brezi i ri ka emigruar, një pjesë kryejnë vizita dhe në klinika private në qytetin e Elbasanit dhe të Tiranës“,-përfundon mjeku.

A duhet të flasim më shumë në shkollë për edukatën seksuale? 

Ilustrim Grafik – Blush Design – Përshtatur nga Citizens Channel

Mbaj mend që edhe kur zysha shpjegonte para klasës jo të gjithë librin, por ndonjë fjalë, ose dy tre fjali që përmblidhte të gjithë mësimin, ajo nuk hynte në detaje të temave, vetëm informacion sipërfaqësor. Këto mësime kishim “fatin” që mos t’i kishim as në provim. Nga tre kapituj zysha nxirrte një mësim me një faqe se çfarë duhet të mësonim, ku gjërat rreth seksit dhe gjërave të tjera ishin turp të përmendeshin. Edhe zyshën e mbaj mend që skuqej kur i prekte këto tema dhe kuptohej që ishte në siklet“,-kujton Fatjona.

Natasha Belba është mësuese e lëndës së biologjisë dhe kimisë në shkollën 9-vjeçare “Qybra Sokoli”, Përrenjas. Ajo rrëfen për Citizens Channel se orët mësimore që trajtojnë zhvillimin hormonal dhe seksual të njeriut janë përkatësisht 18-20 orë në biologjinë e klasës së tetë dhe 20-25 orë në klasën e nëntë, të lidhura edhe me trashëgiminë.

Natasha Belba, mësuese e lëndës së biologjisë

Teksa kthehemi pas në bisedë dhe prekim gjithë vijimin shkollor, Eglantina kujton se zhvillimi i orës së biologjisë në shkollën e saj ka qenë po aq i sikletshëm sa të gjitha situatat e tjera.

As shkolla as mesuesja e biologjise nuk ka pasur interesin më të vogël për informimin. Madje mësuesja e biologjisë në lidhje me këto tema fliste gjithmone me nerva, me inat sikur të jepte përshtypje sikur ishte diçka që do ta vuanim shume. Mësuesja kujdestare na ka folur shumë pak, po jo shumë specifikisht. Djemtë i nxirrte nga klasa dhe ishim vetëm ne vajzat. Prapë ishte e sikletshme sepse djemtë rrinin dëgjonin pas derës dhe gjithë rrugës na ngacmonin”,-tregon ajo.

Për mësuese Natashën zhvillimi i këtyre temave nuk e ka shtyrë të ndajë djemtë dhe vajzat veç. Megjithatë i është dashur të vendosë disa rregulla gjatë mësimit.

Personalisht kam zgjedhur të bashkëbisedoj me të gjithë nxënësit bashkë pa ndarje. Jam ndjerë shumë komode sepse në orën e parë mësimore kam lidhur një pakt me nxënësit për disa specifika të orës mësimore si: serioziteti, mos përdorimi i fjalëve banale më pas të cilat lidhen me etikën e profesionit apo shkollës. Për mua ka funksionuar 100% zhvillimi i orës djem dhe vajza bashkë dhe mendoj se zhvillimi i orëve të ndara në vajza dhe djem është problem menaxhimi apo mentaliteti si në kohën e kanunit“,-rrëfen mësuese Natasha.

Për doktor Kujtim Albrahimi informacioni nuk mungon në shkolla, por duhet trajtuar me seriozitet.

Ka mjaftueshëm informacion. Thjesht duhet bërë tamam ora e mësimit mendoj unë. Të bëhet me seriozitetin e duhur. Të mos konsiderohet si orë pushimi“,-përfundon mjeku Albrahimi.

Përpos informacionin të dhënë përmes biologjisë mësuese Natasha thekson se mundësia për më shumë sensibilizim për këto tema mund të bëhet vetëm përmes një ndërhyrjeje në kurrikulën shkollore.

Duhet ndërhyrje në kurrikulat shkollore dhe jo vetëm kaq, por duhet një plan i veçantë edukimi nga mësuesit e biologjisë dhe qytetarisë ku të bëhen takime sensibilizuese dhe jo vetëm. Dikur ne kemi pasur një lëndë të quajtur edukatë shëndetësore me anën e të cilës nxënësit merrnin njohuritë e domosdoshme në lidhje me shëndetin dhe seksualitetin, kurse sot preferohen vetëm rrjetet sociale dhe shpesh na ndodh që prindër të veçantë ta ndjejnë fyerje dhënien e informacionit për seksualitetin në shkollë’,-sqaron Belba.

Foto-skicim i shkollës 9-vjeçare “Qybra Sokoli”, Përrenjas

Mësuesja e biologjisë sqaron më tej se rol të rëndësishëm në këtë proces informimi kanë edhe prindërit, të cilët jo rrallë herë nuk e kanë këtë informacion.

Mendoj se faktori bazë është mungesa e informacionit të saktë nga prindërit për kulturën seksuale, shëndetësore dhe psiko-emocionale, por pa lënë pas dore mentalitetin e prindërve, të cilët nisen nga ç’kanë bërë vetë në kohën e tyre dhe nga opinionet e të tjerëve, të cilat për mua personalisht janë bërë zero”.

E pyetur se çfarë do të ndryshonte në sjelljen me fëmijët e saj në të ardhmen, në moshën e adoleshencës Fatjona shprehet se do të ndryshonte mënyrën se si kishte komunikuar mamaja e saj.

Mamasë sime i mungonte komunikimi i plotë në lidhje me këto informacione dhe nuk dua që unë me fëmijët e mi të kem këtë lloj komunikimi. Edhe nëse është djalë dua që për të sqaruar këto tema dhe bashkëshorti im të ishte pjesë e komunikimit dhe t’ja përcjellnim një informacion sa më të mirë fëmijëve tanë dhe të mos kishte tabu në familjen tonë“,-rrëfen ajo.

Ndërsa për Eglantinën kjo bisedë informuese duhet të nisë edhe më herët.

Do të ndryshoja ndoshta kohën kur do të flisja me fëmijën tim. Meqë zhvillimi i fëmijëve tashmë po ndodh shumë shpejt do kisha dëshirë që të flisja me të në moshën 9 ose 10 vjeçare“.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *