Citizens.al

Elbasan: “Institucione në ri-organizim”, askush nuk është përgjegjës për ndotjen mjedisore

Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel | Elbasan

Elbasani përballet me sfida të mëdha sa i përket ndotjes së mjedisit. Ndotja nga industria e rëndë vazhdon të jetë shqetësim sidomos për banorët përreth ish-kombinatit metalurgjik, por pasojat sigurisht që bien mbi të gjithë banorët e bashkisë Elbasan. Ndërkohë nuk mungojnë raste të ndotjes së ujërave, të tokës dhe të shkatërrimit të mjedisit që kërkojnë vëmendje të strukturave shtetërore të krijuara me qëllim monitorimin e situatës dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit.

Kështu në zonën e Labinot Fushë në muajin Maj 2020 banorë të zonës akuzuan kompaninë “Rozafa Fish City” për ndotje të ujërave të lumit Shkumbin. Ata publikuan video se si mbetjet nga mjetet e kësaj kompanie hidheshin në lumë nëpërmjet fuçive që derdheshin në ujë. A. Bica banor i zonës thotë se kompania vazhdon të hedhë mbetje në lumë ndërkohë që era e keqe e bën këtë zonë të pa jetueshme.

“Ne banorët e zonës nuk kemi asnjë problem me biznesin por nëse ndot mjedisin, nëse na zapton pronat sigurisht që do të reagojmë. Nuk mund të kërcënosh dhe të sillesh si padron i gjithçkaje dhe më pas të vazhdosh normalisht”.

Video: Derdhja e mbetjeve në lumin Shkumbin

Kryesisht bizneset pranë kësaj kompanie, ankohen për erën e keq të shkaktuar nga përpunimi i produkteve të detit. Nisur nga këto ankesa “Rozafa Fish City” ka lajmëruar ndërtimin e një strukture përpunimi të karkalecit buzë lumit Shkumbin. Por kompania e hodhi poshtë akuzën e ndotjes duke theksuar se mbetjet nuk janë të dëmshme pasi janë mbetje karkalecash, me të cilat ushqehen edhe peshqit.

E megjithatë era e keqe që shkaktojnë këto mbetje bëjnë që të mbash frymën ndërsa kalon përgjatë rrugës Labinot-Librazhd dhe uji i lumit Shkumbin i pakësuar ndjeshëm për shkak të thatësirës qelbet erë duke u kthyer në burim infeksionesh.

Foto: Protesta e banorëve të zonës Labinot Fushë – Maj 2020

IRM, IKMT apo AKM? Asnjë penalizim 5 muajt e fundit, institucionet i hedhin topin njëri-tjetrit

Ne iu drejtuam Inspektoratit Rajonal të Mjedisit për një reagim nëse kishte pasur verifikime apo kontrolle për këtë rast dhe përgjigja që morëm ishte fakti se ky institucion ishte shkrirë dhe përgjegjësia i ka kaluar tashmë Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit në varësi të ministrisë së Brendshme.

Duke vazhduar gjurmimin e këtij institucioni tashmë të shkrirë, iu drejtuam Agjencisë Kombëtare të Mjedisit me një kërkesë për informacion mbi punën e inspektoratit mjedisor në Elbasan të paktën dy vitet e fundit. Kërkuam procesverbale dhe vendime të masave administrative për ndotje mjedisi të vendosura nga ky institucion në dy vitet e fundit të funksionimit të tij.

2 javë pas dërgimit të kërkesës për informacion, përgjigjja që morëm nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit ishte se të dhënat e kërkesës janë të pamjaftueshme për identifikimin e materialit administrativ procedural.

Foto: Përgjigja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit

“Referuar ndryshimeve ligjore të ligjit 52/2020 për disa ndryshime në ligjin nr. 10448 datë 14.07.2011 për lejet e mjedisit të ndryshuar, ligji 20433 datë 16.06.2019 për krijimin, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit” duke qenë se Agjencia Kombëtare e mjedisit është në proces organizimi, ku po asiston me rregulla të reja për ndarjen, organizimin e punës, statusin e punonjësve si dhe për marrëdhëniet e saj me institucionet e tjera, sa më lart të dhënat e referuara janë të pamjaftueshme për të bërë identifikimin e materialit administrative procedurial. Lutemi në mundësimin e gjeneraliteteve ligjore të sakta të rasteve objekt kërkese”.

Nëpërmjet kësaj përgjigje për saktësim, që duhet të ishte kthyer tre ditë pas dërgimit të kërkesës*,  konfirmohet gjendja e institucioneve mjedisore në këtë fazë të reformimit duke lënë zbuluar të paktën 6 muaj të këtij viti pa inspektorë dhe kontrolle për shkeljet mjedisore, si dhe duke konfirmuar mungesën e përgjegjësisë për dokumentacionin e institucionit mjedisor në Elbasan 2 vitet e fundit.

*LIGJI Nr. 119/2014
PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT
Neni 12
Saktësimi dhe trajtimi i kërkesës për informim
Në rastet kur autoriteti publik, të cilit i drejtohet kërkesa për informim, është i paqartë në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e kërkesës, ai kontakton menjëherë, por gjithnjë jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës, me kërkuesin për të bërë sqarimet e nevojshme. Në çdo rast, autoriteti publik ndihmon kërkuesin në saktësimin e kërkesës

Po kështu me anë të një shkrese zyrtare kontaktuam Drejtorisë së Policisë Elbasan, në varësi të së cilës janë tashmë inspektorët mjedisorë. Drejtoria e Policisë Elbasan deklaroi se ky institucion është ende në reformim pa dokumentacion kontrolli.

“IKMT Elbasan është një institucion në rikonstruksion e sipër, Kompetencat për të ushtruar kontrolle në mjedis nuk kanë filluar të ushtrohen pasi ky institucion është duke formësuar strukturat e saj e për pasojë ende nuk disponohen akte”.

Foto: Përgjigja e Drejtorisë së Policisë Elbasan

Gjithashtu në përgjigjen e policisë konfirmohet se nga muaji mars ky institucion ka kaluar në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Kështu drejtoria e policisë Elbasan konfirmon se për tre muaj institucioni nuk ka kryer asnjë kontroll dhe nuk ka marrë asnjë masë pasi është në riorganizim.

Qytetarët, të painformuar për ndryshimet e bëra vazhdojnë t’i drejtohen institucioneve mjedisore. Kështu shumë ankesa nëpërmjet postës janë kthyer mbrapsht për shkak të shkrirjes së Inspektoratit Mjedisor në adresën e njohur zyrtarisht.

Të pyetur nga Citizens Channel, institucionet vendore të qarkut të Elbasanit heshtën përballë faktit të mungesës së kontrollit mjedisor nga ana e Inspektoriatit të mjedisit.

Gramsh; Institucionet heshtin përpara ndotjes mjedisore

Bashkia Gramsh përballet me një sfidë të rëndësishme të mjedisit. Ajo është duke punuar për të fuqizuar turizmin natyror por ndërkohë përdor një fushë natyrore pranë lumit dhe aspak të përshtatshme për hedhjen e mbetjeve urbane. Vetëm pak kohë më parë kjo fushë u përfshi nga zjarri dhe u deshëm shumë kohë dhe forca zjarrfikëse për të izoluar zjarrin.

Foto: Zjarri në fushën e depozitimit të mbetjeve në Gramsh

Në rast të ekzistencës së inspektoratit, ky institucion do të përballej me masë administrative për ndotjen e krijuar për shkak të mbetjeve. Kryetari i bashkisë Klodian Taçe nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të Citizens Channel mbi një zgjidhje të mundshme të situatës, që është bërë tepër problematike sidomos gjatë verës për shkak të djegies së mbetjeve.

Banorët përreth ish-metalurgjikut ankohen se gjatë natës dhe sidomos në fundjavë situata është e padurueshme nga tymi dhe era e keqe. “Mundohemi të largohemi në fundjavë kush mundet, kush jo rri në shtëpi dhe duron pasi nuk kemi zgjidhje tjetër”, thotë Ardi  Fraholli ndërsa tregon se situata është e njëjtë.

Operatorët e mëdhenj duhet të kontrollohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit si dhe institucionet vendore por deri tani nuk ka asnjë lajmërim për ndonjë masë të vënë ndaj këtyre operatorëve edhe pse banorët thonë se situata është e rëndë.

A. Balla, banor i Katundit të Ri, thotë se ata si banorë i kanë humbur shpresat tek institucionet. “Ne nuk besojmë më se diçka do të bëhet për familjet tona. Po mendojmë të ikim. Çdo ditë shohim familje që largohen, kryesisht në emigracion. Këtu do të mbeten vetëm të pashpresët pasi jeta e fëmijëve tanë është në rrezik”. Balla punon në një nga bizneset e ngritura në ish-kombinatin metalurgjik dhe nga frika e penalizimit nuk dëshiron të identifikohet.

Sfidat mjedisore janë të shumta në të gjithë qarkun Elbasanit, por ndërkohë në mungesë të institucioneve të kontrollit, abuzuesit shtohen ndërsa masa nuk ka.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW