Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Valias: Ultimatumi për shembjen e pallateve vjen 9 muaj pas tërmetit, mungon projekti i rindërtimit

Banorët pranë minierës së qymyrgurit në Valias, pjesë e Bashkisë së Kamzës, prej ditësh jetojnë mes pasigurisë, mungesës së informacionit dhe frikës se ku do mund të gjejnë një strehim, pasi blloku i pallateve në atë zonë do të shembet.

Me arsyetimin se banesat e ndërtuara në vitet 60′ janë dëmtuar tërësisht nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, qytetarëve të Valiasit iu është dhënë ultimatum të lëvizin nga shtëpitë deri në fund të muajit gusht.

Një vendim i qeverisë i cili mban datën 10 qershor 2020, e shpall Valiasin zonë të re për zhvillim, si edhe cakton Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese e këtij vendimi. Por ndërkohë që kanë kaluar nëntë muaj nga tërmeti që trondit Shqipërinë dhe më shumë se dy muaj nga ky vendim, banorët ende nuk janë prezantuar me asnjë projekt për rindërtimin e zonës së prekur. Një pjesë e tyre pohojnë se nuk u është bërë vlerësimi i gjendjes së banesave.

Frikë, pasiguri dhe mungesë informacioni, banorët e Valiasit drejt ikjes

Në mes të rrëmujës dhe zhvendosjes se materialeve në Bathore, Katrina* rrëfen se me mundime arriti të gjejë një shtëpi pak ditë para se të vijnë fadromat për ta shembur banesën.

Problemet ekonomike dhe frika se nuk do mund të marrë mbrapsht mundin e viteve investuar në hapësirën ku ajo bashkë me bashkëshortin kanë rritur tre fëmijë, e kanë trazuar veçanërisht atë.

Kam gjet shpi me qira, 15.000 lekë, pa drita e pa ujë, në Bathore. E fundit kam gjet shpi. Nga si kam ra, në Tiranë janë me 30.000 lekë. Ku kemi mundësi ne?”, shprehet ajo, teksa nuk pranon të identifikohet.

Katrina pohon se nuk ka ardhur asnjë përfaqësues i institucioneve për të zhvilluar dëgjesa me banorët dhe është vënë në dijeni të projektit pasi i kanë telefonuar për të marrë bonusin e qirasë prej 15.000 lekësh në muaj.

Nuk ka ardh asnjë njeri deri më sot. Duhet të kishin ardh ma përpara, duhet të kishin mbledh popullin. Jo me dalë si bleta, vu“, vijon më tej ajo, teksa tregon se dhoma që ka në pronësi nuk ka asnjë dëmtim.

Këtë dhomë unë e kam me letra, 25 metra katrorë. E kam suvatu vetë, i kam lanë robt pa bukë. Një ditë ha, një ditë mos ha. Unë këtë dhomë kam. Nuk ka asnjë plasaritje. Ai kur më ka dhënë sinjalet mblidh plaçkat e ik, ky është i shembur“.

Luljeta*, një tjetër banore e Valiasit është zhvendosur në atë zonë kur ishte fëmije dhe gëzon një lidhje të veçantë me atë vend.

Këtu kam ardh në 80-tën, fëmijë. Unë jam rritur këtu, as Tiranën nuk e ndërroj me këtu. Jam rritur këtu, kam vite. Unë dua këtu ku jam, nuk dua vend tjetër“, pohon Luljeta, e shqetësuar se bonusi i qirasë prej 11.000 lekësh nuk do i mjaftojë për të gjetur një banesë të përkohshme, ndërsa thotë se shtëpia aktuale nuk ka dëmtim.

Shtëpia nuk më ka dëmtim. Ku do të shkoj unë me 11.000 lekë? Kam dalë, kam pyetur, jam interesuar. 1+1 shkon 18.000 lekë, dy dhoma dhe një kuzhinë shkon 20.000-25.000 lekë“.

Në të njëjtën vështirësi ndodhet dhe Fidarie Arapi, e cila jeton e vetme e si pasojë përfiton vetëm 11.000 lekë bonus qiraje.

Unë jam pensioniste, jetoj vetëm, krah tjetër nuk kam, më thotë 11.000 lekë bonusi i qirasë. Tashi, me atë bonus unë, me 11.000 lekë, kush më jep shtëpi? Unë me atë bonus nuk marr dot as edhe një dhomë”, ngre pyetjen ajo, teksa rrëfen se bonusi i pamjaftueshëm do e detyrojë të gjejë një hapësirë ku të mund ta ndajë me të vëllanë.

Tani jam e detyruar, kam një vëlla këtu, i kam thënë po more ndonjë shtëpi të madhe ta ndajmë përgjysmë. Ai ka dalë, po kërkon po akoma nuk ka gjet. Jemi as në qiell, e as në tokë“.

Fidarie Arapi, banore në Valias

Sikurse banorët e tjerë, Arapi ngre shqetësimin e mungesës së transparencës dhe konsultimit me banorët e Valiasit.

Ju lutem shumë atyre njerëzve që kanë në dorë këtë punë, pushtetarë të Bashkisë, të vinë ta mbledhin popullin, ta sqarojnë se asnjë nuk është i sqaruar. Duhet të na lajmërojnë, të vinë të na bëjnë një kontratë shtëpie. Unë po të jap një shtëpi. Të vinë me një noter dhe të vërtetojë që do fillojë ndërtimi me këtë datë, do ta mbaroj me këtë datë dhe ti do marrësh shtëpinë këtu“, përmbyll për Citizens Channel Fidarie Arapi.

Institucinet pa një plan rindërtimi, delegojnë përgjegjësinë

“Nyje”, gazeta elektronike e Kamzës, i është drejtuar Bashkisë me anë të një kerkesë për informacion rreth projektit të rindërtimit, por përgjegjësitë janë deleguar nga njëri institucion te tjetri, pa marrë përgjigje.

Bashkia Kamëz fillimisht u shpreh se është Ministria e Rindërtimit institucioni që mbart një informacion të tillë. Me anë të një shkrese të dytë, Bashkia bën me dije se plani urbanistik nuk mund të bëhte publik deri në momentin që do të jetë i detajuar.

Përgjigja e institucionit u ankimuar sërish te Komisionieri për të Drejtën e Informimit.

Elvis Gjika, Drejtori i Përgjithshëm i Projekteve, Investimeve dhe Shërbimeve Publike pranë bashkisë Kamëz, shkruan Nyje, sërish i ka kaluar përgjegjësinë një tjetër institucioni, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke u shprehur se Bashkia Kamëz nuk ka asnjë informacion.

Sërish, Fondi Shqiptar i Zhvillimit u përgjigj në rrugë zyrtare për Nyje-n se nuk zotëron një plan vendor për rindërtimin e pallateve të shpallura të pabanueshme.

*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *