Biznesmeni Mirel Mërtiri ka ngritur një padi ndaj BIRN Albania pas publikimit të një investigimi mbi lidhjet e tij me koncesionet e inceneratorëve.
Mertiri pretendon se artikulli që hedh dritë mbi lidhjet e biznesmenit me ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe me dy pronarët zyrtarë të koncesioneve të inceneratorëve në Shqipëri, i ka shkaktuar atij dëm moral dhe ekzistencial, ndaj kërkon fshirjen e artikullit, përgënjeshtrimin e lajmit dhe dëmshpërblim monetar.
Përmes një deklaratë, BIRN pohon se i qëndron tërësisht fakteve të publikuara dhe e konsideron padinë si një mjet për të intimiduar dhe cenuar fjalën e lirë. Njëkohësisht, përfaqësuesit e rrjetit investigativ shprehen se janë të gatshëm të përballen në gjykatë me palën paditëse.
Kristina Voko, drejtuese ekzekutive e BIRN Albania, u shpreh për Citizens Channel se këto padi janë mekanizma që përdoren si formë për të penguar gazetarët në raportime të kauzave publike.
“Padia është dukshëm e pabazë dhe dukshëm ka për qëllim të frikësojë gazetarët përmes proceseve të kushtueshme dhe të gjata ligjore në mënyrë që të ngurrojnë para se të raportojnë”.
Voko pohon se këto praktika njihen gjerësisht dhe shërbejnë edhe si një lloj paralajmërimi për gazetarët e tjerë.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë ka prej dekadash studime të shumta që tregojnë se si paditë ndaj gazetarëve ngrihen nga koorporata të pasura apo zyrtarë, me synimin për të detyruar gazetarët të shpenzojnë kohë dhe para në procese gjyqësore dhe rrjedhimisht, për të paralajmëruar gazetarë të tjerë të mos raportojnë mbi çështje të interesit publik, siç janë kontratat e koncesioneve apo të partneritetit publik privat”.
Biznesmenit Mërtiri, tregon drejtoresha ekzekutive e BIRN, i është dhënë mundësia të shprehet rreth gjetjeve të artikullit por ai nuk është prononcuar, ndërkohë që thekson se presioni ndaj gazetarëve në Shqipëri është rritur.
“Padia në fjalë duhet parë në kontekstin aktual të Shqipërisë, ku presioni ndaj gazetarëve, qoftë ai verbal përmes kërcënimeve, qoftë ai real përmes padive gjyqësore, është në rritje. Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se ai dëshiron të miratojë një ligj për të mbrojtur biznesmenët nga media ndërsa ka dhënë shembullin i pari duke sulmuar median në vijimësi si mjet shmangie ndaj përgjegjësisë apo pikëpyetjeve për korrupsion”.
Qendra Evropianë për Lirinë e Shtypit: Padia ndaj BIRN Albania, e pabazë
Sipas Flutura Kusarit, këshilltare ligjore ne Qendrën Evropianë për Lirinë e Shtypit dhe te Medias ne Leipzig, kjo padi ndaj gazetarëve rezulton të jetë e pabazë.
“Ne shprehim shqetësimin tonë në lidhje me padinë e ushtruar nga ana e zotit Mirel Mertiri kundër Reporter.al, për shkrimin që ka të bëjë me menaxhimin e plehrave në Shqipëri. Sipas padisë ky shkrim është i pabazuar, por në fakt nga analizat që ne ja kemi bërë padisë del që vetë padia është e pabazuar”, – deklaroi Kusari për Citizens Channel.
Çfarë është SLAPP?
SLAPP-të janë padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Këto padi të dëmshme cenojnë fjalën e lirë dhe debatin e shëndetshëm duke targetuar individët që shprehen mbi çështje të interesit publik.
Kusari pohon se do ta regjistrojë në platforma ndërkombëtare padinë e kryer ndaj BIRN në Shqipëri.
“Do të sigurohemi që gazetarët do të jenë të përfaqësuar mirë në gjykatë si dhe do të regjistrojmë këtë padi në platformat ndërkombëtare dukë përfshirë platformën e Këshillit të Evropës për siguri të gazetarëve dhe platformën e Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit me Mapping Media Freedom”.
Padi të tjera ndaj gazetarëve
Kjo është padia e dytë ndaj gazetarëve në pak ditë. Belioza Çoku, Shefja e Kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes, paditi të martën gazetaren Juli Ristani dhe mediat Gazeta Shqip dhe Bold News, pas publikimit të një artikulli investigues ku denoncohej procedura e akordimit të bursave të ofruar nga NATO.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) e quajti padinë e bërë nga përfaqësuesja e Ministrisë së Mbrojtjes një akt intimidues dhe presion mbi raportimin e lirë të gazetarëve.
“UGSH e denoncon këtë padi si një akt të pastër presioni ndaj raportimit të lirë, ndaj pengesave dhe vështirësive për respektimin e ligjit për të drejtën për informim dhe cungimit të transparencës publike prej administratës publike, përfshi edhe atë të Mbrojtjes”, u shprehën ata në një deklaratë për shtyp.
Kristina Voko tregon se kjo nuk është hera e parë që BIRN Albania paditët në gjykatë.
“BIRN Albania është hedhur në gjyq një herë më parë, nga ish-gjyqtari Gjin Gjoni, i cili pretendoi se kishte pësuar vuajtje shpirtërore. Procesi gjyqësor zgjati gati 12 muaj gjatë së cilave u thirrën 11 seanca, disa prej të cilave nuk u zhvilluan për shkak të mungesës së palës paditëse. Në fund, gjykata vendosi pushimin e çështjes pasi i konsideroi mungesat e palës paditëse të pajustifikueshme”, – përfundon Voko.
2 responses