Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Jeta pranë rrjedhës së lumit Ishëm, mes përmbytjeve dhe ndotjes nga mijëra kilogram mbetje

Agron Canameti banon në lagjen Likmetaj, njësia administrative Ishëm në Durrës. Shirat e njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit kanë bërë që lumi Ishëm të dalë nga shtrati dhe të përmbysë tokat bujqësore.

Shqetësimi i Canametit lidhet me fatin e 120 bagëtive të imëta që ai ka në zotërim e që janë burimi kryesor i jetesës. Dalja e lumit nga shtrati nga sasia e lartë e shiut mund t’ia vrasë atij bagëtinë.

Unë kam 120 kokë dhi për momentin sot. Qumështin e shes, edhe kecat po ashtu”, -thotë ai për Citizens Channel teksa pohon se problemi i daljes së ujit nga shtrati është i vazhdueshëm.

Produktet që Canameti merr prej tyre i sigurojnë shkollimin e fëmijëve dhe jetesën në atë zonë.

Lumi Ishëm, lumi më i ndotur në Evropë

Ka 20 e sa vjet që lumi këtu është duke na mbyt fare. I ke fushat komplet me gurë, pisllëqe, me shishe, me gastare, me shiringa”, tregon më tej ai, duke pohuar se përmbytjen shoqërohen me transportimin e mbeturinave që vijnë nga bashkimi i ujërave të lumit të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atij të Gjolës.

Ishmi është përcaktuar si lumi më i ndotur në Evropë. Ai përshkon Shqipërinë Qendrore dhe çdo vit derdh në detin Adriatik 733.000 kilogram mbetje, duke e kthyer këtë rrjedhë në një shqetësim ndërkombëtar.

https://www.facebook.com/citizenschannel/posts/2491455701158177

Gjatësia e shtratit të tij është 79.2 km dhe derdhet në gjirin e Rodonit. Përgjatë basenit të Ishmit jetojnë rreth 30% e shqiptarëve.

Problemet që lidhen me ndotjen dhe daljen e lumit nga shtrati i kanë sjellë kosto të mëdha Agronit.

Du të flas për lumin e Ishmit. Po na mbyt edhe bagëtinë, gjënë e gjallë. Mu para dy-tre vjetësh m’i ka mbyt, më ka mbyt 108 kokë dhi. Me dy dhjetor m’i ka mbyt dhe nuk jam shpërbly kurrkund nga shteti. Nuk asht interesu shteti fare fare për ketë gja, kurrkush nuk vjen me na shiku si mund të veprojmë, si mund të bajmë”.

Canameti shpjegon në vijim se gjatë gjithë jetës së tij është marrë vetëm me ruajtjen dhe kujdesin e bagëtive dhe përsëritja e një situate të tillë do ta fundoste atë.

Vetëm me gjënë e gjallë merrem. Kam nejt mbramë gjithë natën e natës tek gjaja këtu. Kanë fillu dhe pjelljet tani, mirë se dhive po ua hap derën edhe po i çoj diku, po kecat e vegjël ku do t’i çoj? Lus të madhin zot, se për shtet që kena nuk na vë dorë”.

Ai shpreson vetëm në pushimin e shirave, si garanci e vetme se nuk do të përsëritet e njëjta situatë lidhur me kecat dhe dhitë e tij.

E kam ndalu djalin prej shkolle sot, se s’kisha ça me ba, thashë po më del lumi, të paktën të shpëtoj kecat e vegjël, t’i var nëpër pemë, me i fut nëpër thes. Por shpresoj ishalla hap koha dhe ulet uji. Se për nder, mu dhitë me kanë marrë fund. S’kam ku me marrë as ushqim jo, se jam i rrethum nga lumenj”, -përfundon Agron Canameti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *