Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kurora e tymtë” e Elbasanit

Lavdie Lekrama banon prej 6 dekadash në fshatin Bradashesh pranë qytetit të Elbasanit. Pavarësisht se jeton në fshat, ajo sheh të njëjtën pamje çdo zbardhje dite para shtëpisë së saj: oxhaqe në ngjyrë të kuqërremtë që flakërojnë tymin e dendur në ajër.

Këtu del në mëngjes ngrohesh, ka raste që në darkë, sidomos dhe në verë se tani në dimër mbyll dritare, mund të jetë ditë gushti apo korriku, këtu nuk hap dot dritaret, nuk merr frymë, nuk del jashtë se të bllokon një erë e tmerrshme”, -rrëfen Lekrama për Citizens Channel.

Lavdie Lekrama, banore e Bradasheshit, Elbasan

Ish-metalurgjiku edhe pse jo në intensitetin e punës të periudhës së komunizmit, vijon sërish të jetë burim ndotjeje për qytetin e Elbasanit dhe fshatrat përreth tij. Dy kompanitë e mëdha Kurum dhe Albchrome dhe të tjera më të vogla ushtrojnë biznesin e prodhimit të kromit, hekurit, gizës dhe çelikut dhe shkrirjen e substancave minerare.

Për Lavdie Lekramën, mëngjesi i çdo ditë tanimë është një rutinë e diktuar.

“Dritaret tona përditë t’i pastrosh ka katër gisht pluhur. Nuk flas pastaj për bagëti se nuk është ndonjë fshat që ka toka e bagëti se tokat i kishim këtu te ish-kombinati metalurgjik, por është i tmerrshëm ambienti, tymi, është një tym i tmerrshëm”,-thotë Lavdia.

Edhe për të moshuarën Bukurie Xhija, banore e Bradasheshit, tymi dhe ajri i rëndë është shqetësim i vazhdueshëm.

Ka erë, tym se nga vjen , a nga Kurumi vjen , a se vjen nga ato fabrikat e tjera, nuk e di nëna me thënë të drejtën, por kur hapim derën në mëngjes, tym i madh shumë, edhe ka një grahmë të keqe shumë. Po ca bëjmë ne të shkretët, hiç asgjë, në bark na hyn tymi ne”,-rrëfen Bukurie Xhija.

Bukurie Xhija, banore e Bradasheshit, Elbasan

Të jetuarit prej brezash nën të njëjtën re tymi i ka bërë banorët shpresëpak se diçka do ndryshojë për mirë.

“Ça do bëjmë ne mi non, ne po mbajmë këto maskat tani sebet kësaj kështu, po ky tym ka kohë, nuk është puna që ka filluar sot. Ky ka vite”,-rrëfen Bukurie Xhija teksa zbret dalëngadalë të përpjetën e rrugës së fshatit.

Ndotja e shkaktuar nga veprimtaria e ish-metalurgjikut ka cënuar edhe shëndetin e banorëve.

“Aha, bërnut…nga tymrat…”, -përgjigjet Ramazan Dardha për mushkëritë teksa e pyesim për gjendjen shëndetësore.

Ramazani, po ashtu banor i Bradasheshit, tregon se pensioni i tij mujor shpenzohet vetëm për ilaçe.

“Vallaj, 50 mijë, 60 mijë, 70 mijë ilaçe cdo muaj. Po ku dilet pensioni shkretë, ato ikin vetëm për ilaçe, vetëm për ilaçe…”,-tregon Ramazani.

Ramazan Dardha, banor i Bradasheshit, Elbasan

Nga takimet me banorët e fshatrave përreth ish-metalurgjikut është shumë e vështirë të gjesh dikë që nuk ka vuajtur nga sëmundjet e frymëmarrjes apo të mos ketë pasur të afërm që ka vuajtur nga sëmundjet kancerogjene.

“Ky është një problem i tmerrshëm. Mua më ka vdek im atë nga sëmundjet kanceroze, ime më me sëmundje kronike zemre, nuk flasim dhe vetë për problemet që kemi, apo familjarë apo im shoq me tymrat. Këtu nuk rrihet, është e tmerrshme. Ka raste në mëngjes, nuk flas ditën apo natën, orar pa orar. Vjen një mjegull e tmerrshme, një erë squfuri, nuk e di a nga Kurumi apo se nga vjen….”,-tregon me shqetësim Lavdie Lekrama.

Instituti i Shëndetit Publik refuzoi t’i përgjigjej kërkesës për informacion të Citizens Channel në lidhje me numrin e personave të prekur nga sëmundje kronike dhe kancerogjene në qytetin e Elbasanit dhe numrin e vdekjeve të shkaktuar nga këto sëmundje.

Kerkesa per informacion drejtuar Institutit të Shëndetit Publik

Kjo situatë e njohur tanimë prej vitesh ka sjellë te banorët pasiguri për të ardhmen e familjeve dhe fëmijëve të tyre.

“Për kalamajtë më shumë, por për ne mo, ec iku e jona, mosha e jonë, po për kalamajtë është shumë vështirë që të rrinë me këtë tym të madh, me këtë ambient. Është shumë keq, shumë situatë e vështirë është“,-tregon Bukurie Xhija

Pamundësia për t’u larguar për shkak se kanë investuar kursimet e jetës në banesa, e bën edhe më shqetësuese mungesën e një zgjidhje konkrete për ndotjen nga institucionet vendore.

Po si të largohem, unë kam dëshirë të largohem, unë doja t’u largoja që në ’90, por s’kemi pas mundësi ekonomike të largohemi. Me viza, si të largohemi, tani s’po më largohen fëmijët, mua më vjen keq, unë kam ngrit shtëpiat, si kam rregulluar mirë, por s’kam ca bëj. Gjithë jetën time aty investova, me emigrim burri. Po si duhet të shkojmë, ku duhet të shkojmë? Ka ndonjë vend më të mirë?”,-ngre pyetje e shqetësuar Lavdie Lekrama.

Ekspertët e mjedisit: Ndotja, shumëfish më e lartë se e zakonshmja

Më 18 tetor 2017, pas ankesave të përhershme të banorëve të Elbasanit, Këshilli Bashkiak shpalli emergjencën mjedisore në qytet. Nga Bashkia Elbasan u kërkua ndërhyrja e Ministrisë së Mjedisit për të kontrolluar funksionimin e kompanive që operonin në atë zonë, kryesisht kompania Albchrome dhe R.B.H Belinë.

Megjithë masat e Ministrisë dhe e pushtetit vendor për shtimin e monitorimeve, sërish ndotja në periudha të caktuara kohe arrin në nivele të larta.

Ahmet Mehmeti, kryetar i Klubit Ekologjik Elbasan, njëheraz edhe ekspert mjedisi, tregon se ndotja gjatë orëve të darkës rritet nga dyfish në pesëfish mbi normat e lejuara.

“Brenda ditës ndotja rritet dyfish ose trefish, ndonjëherë edhe pesëfish në raste të veçanta, por po i marrim aksidentale këto. Norma dyfish e trefish është e zakonshme. Kjo tregon se ne jemi në një nivel ndotjeje shumë të madhe dhe kjo është një problematikë që shkakton sëmundje, vuajtje të jetës njerëzore, që shkakton kosto të jetës ekonomike. Shkelen në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Kjo është gjatë gjithë periudhës së vitit“,-sqaron për Citizens Channel Mehmeti.

Ahmet Mehmeti, Klubi Ekologjik Elbasan

Referuar një studimi “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona“, të kryer nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan“, për vitin 2020, problematikat mjedisore për qytetin e Elbasanit vijojnë të jenë të njëjta dhe shqetësuese. Shoqëruar kjo edhe me numër të lartë të sëmundjeve kancerogjene dhe të mushëkrive.

Sipas studimit nga 47 pika të matura, vetëm 4 prej tyre ishin brenda normave të BE-së, sa i përket përqëndrimit të NO2 në ajër.

“Specifikisht nga 40μg/m3 që është standardi i BE-së ne pikat e tjera të dhënat variojnë nga 50 μg/m3 deri ne 100 μg/m3 për NO2”,-sqarohet në raport.

Burimi: Co Plan

Me përmbajtje të lartë paraqiten edhe grimcat e PM 2.5 dhe VOC, si grimca përbërëse të ajrit. Bashkia Elbasan ka aktualisht në përdorim katër sensorë që bëjnë të mundur matjen e ndotjes së ajëit në 24 orët e fundit.

Pasqyrimi i sensorëve në hartë

Megjithëse sensorët duhet të kryejnë një proces monitorimi të përditshëm, ekperti Mehmeti tregon se këto paisje shpesh nuk funksionojnë.

“Ato nga një herë funksionojnë, nganjëherë nuk funksionojnë fare. Ne kemi vendosur një pikë, që masim këto edhe grimcat, ndotjen nga grimcat PM2.5 dhe gazin karbonik, masim edhe me aparate të veçanta deri në 8 elemente të ndotjes industriale dhe të ndotjes në përgjithësi. Kur shikojmë se Bashkia punon shumë mirë dhe i ka ato, i kemi edhe ne, por kur ne shikojmë edhe konstatojmë përditë që është dyfish, trefish ndotja, ç’rëndësi ka kjo?”,-argumenton eksperti mjedisor Mehmeti.

Filtrat dhe procesi i monitorimit, Bashkia Elbasan: “Çlirimi i gazrave ndodh kur në furrë ka një defekt” 

Një ndër shqetësimet kryesore që ngrejnë ekspertët e mjedisit është mos vendosja në funksion e filtrave nga ana e kompanive që ushtrojnë aktivietetin e tyre në ish zonën e metalurgjikut. Kjo gjë reflektohet më pas në nivelin e lartë të ndotjes, kryesisht në orët e pasdites, kur qytetarët hyjnë në banesat e tyre.

Matjet e ndotjes në Elbasan, 19 dhjetor 2020

“Filtrat edhe në qoftë se janë nuk vihen në kohë, ose vihen gjatë natës dhe unë e shikoj që në darkë, vete ora gjashtë, ne shikojmë dyfishin tre fishin e ndotjes. Këtu diçka nuk shkon. Dhe këtu për këtë duhet të përgjigjen institucionet. Kjo është problematika që shqetëson publikun, shqetëson shëndetin  e njerëzve. Janë kosto edhe ekonomike, kosto shëndetësore, kosto mjedisore. Ku po shkojmë kështu?”,-u shpreh eksperti Mehmeti.

Citizens Channel kontaktoi Bashkinë Elbasan për të mësuar më shumë se si funksionon procesi i monitorimit nga ky organ vendor. Drejtuesi i zyrës mjedisore pranë Bashkisë Elbasan u shpreh se monitorimet janë konstante.

“Monitorimet bëhen mujore. Bëhen nga vetë kompania, bëhen edhe nga ana jonë, që bejmë kontrollin e tyre, monitorimeve. Gjatë monitorimeve ne kemi konstatuar që ka një përmirësim të dukshëm. Unë qeshë sot, nga mëngjesi vij nga metalurgjia, sepse atje duke qenë dhe burimi kryesor i ndotjeve dhe bëjmë monitorimin herët në mëngjes se sa është ndotja dhe mund të them që sot që kthehem nga andej parametrat e ndotjes atje janë deri diku të kontrolluara“-sqaroi Xhevahir Kapllani.

Xhevahir Kapllani, Bashkia Elbasan

Rastet e vetme kur ka çlirim gazrash në natyrë janë kur ka defekte në furrë, sipas Kapllanit.

“Ne kemi bërë monitorime edhe natën pa dijeninë e firmës me aparaturat tona, kemi bërë kontrollet dhe kemi konstatuar që e gjithë kryesisht clirimi i tymrave apo i gazrave është në moment kur në furrë ka një defekt. Pra në këto momente që ka nj defekt që ndërpriten,ndalohen, stakohen filtrat, stakohet furra, do riparohet ky defekt, ajo vazhdon çliron atë djegien e saj”,-sqaroi Kapllani, përfaqësuesi i Bashkisë Elbasan.

Megjithatë eksperti Ahmet Mehmeti këmbëngul se fikja e filtrave ndodh për shkak se u sjell fitime kompanive.

“Këtu sikur ka një marrëveshje nga këta të gjithë që o burra në garë më njëri tjetrin si të ndotim sa më shumë, sepse, sepse ata që ndotin, ata kursejnë para, pra për të vendosur në punë filtrat, kjo është kursim në kurriz të publikut”.

Sipas Mehmetit, vetë-monitorimi i kryer nga kompanitë lë vend për abuzim.

“Këtu te ne një nga operatorët merr një person fizik juridik që bën monitorimin. Ai sjell një raport dhe ai e thërret kur do ai, atëherë kur e ka jashtë pune objektin. Pra uzina, fabrika nuk punon fare, ai merr bën monitorimin e ajrit, atëherë kuptohet zero është ajo,”-shton ndër të tjera Mehmeti.

Sipas Xhevahir Kapllanit, kjo gjë nuk ndodh pasi vetë kompanitë janë ndërgjegjësuar.

Me kalimin e kohës edhe vetë fimra nuk ka interes të krijojë shqetësime sepse aty herë pas here i gjithë gishti për ndotje drejtohet tek ata. Kështu që edhe ata vetë janë ndërgjegjësuar që shiko këtu nuk mundet. Pra nëse deri dje, para disa vitesh ata edhe mund të abuzonin, tani nuk mund të abuzojnë sepse ne këtu kemi të bëjmë me jetën e të gjithë banorëve. Dhe për shkak të kësaj ndotjeje, për shkak të këtij fluksit tymrash edhe qyteti ka pasur goditje shumë të mëdhaja nga ana shëndetësore“,-u shpreh Kapllani.

Citizens Channel iu drejtua kompanive Albchrome dhe Kurum për të mësuar më shumë mbi procesin e vetë-monitorimit, vendosjen e filtrave si dhe vënien në dispozicion të raporteve mbi shifrat e ndotjes së shkaktuar nga vetë ato.

Asnjë prej kompanive nuk ktheu një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *