Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gërmimet pranë Mozaikut të Tiranës u kryen pa sondim paraprak, ndërpriten pas denoncimit

Dy javë më parë, Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rehabilitimin e hapësirës publike pranë zonës së Mozaikut të Tiranës. Projekti me vlerë 28 milion lekë zë vend pranë sitit arkeologjik të shekullit III që mban statusin Monument Kulture Kategoria I, ku aktualisht janë kryer gërmime në thellësi dhe derdhje betoni.

Çështja duket se mori një tjetër drejtim pas denoncimit që aktivistët bënë në rrjetet sociale ku u hodhën dyshime se projekti po cenonte një zonë që konsiderohet me vlera arkeologjike.

Olsi Plasa, drejtues i Mozaikut të Tiranës, pohon për Citizens Channel se punimet kanë rreth dy javë që kanë nisur por gërmimi në këtë zonë me vlerë arkeologjike është ndërprerë vetëm sot.

Projekti duket se ka ngjallur habinë edhe të banorëve të zonës, të cilët deklarojnë se edhe më parë projekte të tilla janë ndërprerë për shkak të zbulimit të gjetjeve arkeologjike.

Genc Andoni, banor i vjetër i zonës

“Po habitem që kanë nisur punimet prapë, se për të njëjtën arsye u ndërprenë punimet dhe në vitin ’72 për shkak të prezencës së materialeve me vlerë historike”, – u shpreh Genc Andoni, një nga banorët e vjetër e zonës.

Vlerësimi i zonës arkeologjike pas nisjes së betonizimit

Drejtori i Mozaikut të Tiranës, Olsi Plasa u shpreh për Citizens Channel se zona ku po punohet aktualisht nga punonjësit e Bashkisë për realizimin e një pedonaleje, nuk është pjesë e Mozaikut.

Plasa pohon se aktualisht punimet janë ndërprerë, si vendim nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, fakt i konfirmuar pak minuta më parë edhe nga drejtuesja e IKTK Arta Dollani.

“Gërmimi u pezullua, jo se kemi gjetur gjë, por mendojmë se ka diçka në pjesën perëndimore, në pjesën lindore, do bëhet një sondazh arkeologjik dhe pastaj do vazhdohet. Po doli gjë do ndërpritet projekti, po s’doli gjë do vazhdohet, do punohet” , – deklaron Plasa për Citizens Channel.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore

Ajo që bie në sy është se pavarësisht ndërprerjes së sotme, punimet duket të kenë filluar pa kryer sondime paraprake të territorit, kriter i cili është i mirëpërcaktuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Sipas legjislacionit, ligji nr. 27, neni 134 dhe 136:

  • Kur zona përmban vlera të rëndësishme arkeologjike, etnografike ose gjurmë të arkitekturës antike ose tradicionale investitori duhet të ndryshojë projektin.
  • Tre hapat që licensojnë kryerjen e veprimtarive arkeologjike janë: vëzhgimi arkeologjik, sondazhe arkeologjike dhe gërmim arkeologjik

Arkeologu Neritan Ceka shprehet për Citizens Channel se pjesa ku po punohet aktualisht për implementimin e projektit të Bashkisë së Tiranës është pjesë përbërëse e monumentit edhe pse ndahet nga Mozaiku vetëm nga një gardh.

Neritan Ceka, arkeolog

“Projekti ishte një betonizim i panevojshëm  në një zonë me potencial të tillë arkeologjik”, – shprehet Ceka.

Sipas Cekës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në këtë rast duhet të kishe realizuar fillimisht sondazhe arkeologjike, duhej realizuar gërmimi i plotë i gjithë monumentit në prezencën e arkeologut dhe pasi të vlerësohej e gjithë zona të përcaktohej nëse aty mund të nisnin punime apo jo.

“Nuk është ndjekur procedura, bashkia duhet të paguajë për zbulimin dhe vlerësimin e gjithë monumentit dhe në bazë të saj të përcaktohet vazhdimësia”, – përfundon ai.

Citizens Channel i ka dërguar një kërkesë për informacion IKTK së dhe do ta ndjekë në vazhdimësi zhvillimin e çështjes.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *