Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vullnetarët mbledhin qindra thasë mbetje nga liqeni i Komanit në Shkodër

Dhjetëra aktivistë nga Kosova dhe Shqipëria u angazhuan dje në një aksion vullnetar për të pastruar liqenin e Komanit. Qindra kilogramë plastikë dhe mbetje të tjera, të hedhura ndër vite, lundrojnë mbi sipërfaqen e ujit, të mbledhura nga rrjedha e degëve të lumit Drin, në Koman.

Ky aksion u ndërmor nga aktivistë dhe organizata mjedisore të Kosovës, të cilëve iu bashkuan dhe grupime nga Shqipëria, me qëllim që sezoni turistik ta gjejë Komanin më të pastër për vizitorët gjatë verës.

Iniciativa ka qenë që thjesht të bëjmë një aktivitet të përbashkët, të përmirësojmë pamjen e liqenit të Komanit sepse është shumë i vizituar, sidomos vitin e fundit nga turistët nga Kosova dhe Shqipëria ndërsa gjendja nuk ishte aq e mirë”, – u shpreh për Citizens Channel Adelina Hajzeraj, nismëtarja e këtij organizimi.

Të tjerë aktivistë pohuan se ky aksion kishte në vetvete qëllim ndërgjegjësues, pasi pushuesit lënë pas shumë plastikë gjatë vizitave në lumin e Shalës, Valbonës, Thethit apo mjediset përreth.

Adelina Hajzeraj, aktiviste nga Kosova

Sot Komani ishte tmerrësisht i mbushur me plehra. Unë kam qenë para disa vitesh dhe nuk ka qenë e njëjta situatë, shikoj që është përkeqësuar. Ky përkeqësim nuk është se ka ardhur prej banorëve të zonës. Plehrat i sjellin më shumë kam përshtypjen pjesa e turistëve. Kjo situata është e njëjtë edhe në zona të tjera, që janë zona të mbrojtura, që janë zona që tërheqin shumë vëmendjen e turistëve”, – tha Zenepe Dafku, pjesëmarrëse në këtë aksion.

Mbi 400 thasë u mbushën kryesisht me shishe plastike, të cilat u dërguan në landfillin e Bushatit.

Edvin Pacara, pjesëmarrës në pastrimin e Komanit, tregon se mënyra e vetme si mund të zgjidhet situata është eliminimi i plotë i përdorimit të plastikës, vendosja e koshave, si dhe marrja e masave ndëshkimore për individët që hedhin mbeturinat.

Edvin Pacara, pjesëmarrë në aksionin për të pastruar Komanin

Plastika nuk tretet asnjëherë, thjesht shpërbëhet në mikroplastikë deri në copëza shumë të vogla dhe mund të futen në organizëm dhe zakonisht zëvendësojnë hormonet, prandaj shkaktojnë probleme në sistemin riprodhues, shkaktojnë probleme në tru apo probleme të shumta shëndetësore”.

Zenepe Dafku, pjesëmarrë në aksionin për të pastruar Komanin

Ne i kemi burimet natyrore, pafund i kemi në Shqipëri, por s’kemi sjelljen, kulturën e mirë për t’i përçuar diçka brezit që do vijë por edhe për ta shijuar vetë”, përmbyll fjalën e saj Dafku.

Shqipëria, ndër ndotësit më të mëdhenj të detit Mesdhe

Një raport i publikuar në vitin 2020 nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) “The Mediterranean: Mare plasticum” nxjerr në pah se Tirana është kryeqyteti i katërt që transporton më shumë mbetje në detin Mesdhe, me 1.123 ton plastikë çdo vit.

Rreth 200.000 ton plastike hidhen çdo vit në Detin Mesdhe, me ndotës kryesor shtetet si Egjipti, Italia dhe Turqia, duke sjellë dëme të mëdha në ekosistem dhe biodiversitet.

“Ndotja plastike mund të shkaktojë dëme afatgjata në ekosistemet tokësore, detare dhe biodiversitetit. Kafshët e detit mund të ngatërrohen ose të gëlltisin mbeturinat plastike dhe të vdesin nga lodhja apo uria”, shkruhet në një material të publikuar nga IUCN.

Një ndër bashkorganizatorët e aksionit për pastrimin e Komanit, Arianit Mula shprehet për Citizens Channel se kjo situatë vjen sepse qeveritë nuk e kanë prioritet ruajtjen e mjedisit.

Gjendja e Komanit nuk ndryshon shumë prej liqeneve të tjera, jo vetëm në Shqipëri por edhe kudo në Ballkan. Ballkani konsiderohet si vend me shumë probleme dhe çështjet si puna e manaxhimit të mbeturinave, ujërave, natyrës dhe mbrojtjes së tyre nuk është në mesin e prioriteteve të axhendave shtetërore“, – përfundon Mula.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *