Citizens.al

Gjuha diskriminuese ndaj PAK, retorikë e politikanëve gjatë fushatës zgjedhore 2021

Postimi i një spoti elektoral në kuadër të zgjedhjeve qendrore nga kryebashkiaku Erion Veliaj në muajin mars, ngjalli pakënaqësi në radhët e komentuesve. E përpos komenteve që distancoheshin nga mesazhi i përcjellë përmes spotit dhe thirrjes për ta hequr, spoti vijon të jetë në faqen zyrtare të Facebook të Veliaj.

Spoti pasqyron mos rifreskimin e kandidatëve të Partisë Demokratike, duke qenë në listat e zgjedhjeve të 2021 sërish ish-kryeministri Sali Berisha. Por zgjedh të përdorë sëmundjen e alzheimer, gjë që nga aktivistët dhe përfaqësuesit e organizatave të personave me aftësi të kufizuar konsiderohet gjuhë diskriminuese ndaj personave që vuajnë nga sëmundja e alzheimerit.

Ky nuk është rasti i vetëm kur përfaqësues politikë dhe drejtues të institucioneve përdorin krahasime duke iu referuar një grupi të caktuar shoqëror me aftësi të kufizuar.

Në fillim të muajit prill edhe Kryeministri Rama në një takim me kandidatët e PS-së në Shirokë iu drejtua mbështetësve të Partisë Demokratike duke i konsideruar si “qorra dhe shurdhë”. Kjo për shkak të mënyrës se si po zhvillohej fushata nga Partia Demokratike duke mos pasur parasysh mbajtjen e distancës për të shmangur infektimin nga COVID-19.

Për këtë rast ka reaguar edhe shoqata e të verbërve të Shqipërisë duke e konsideruar si terminologji fyese dhe diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për tensionin e lartë që përftohet nga një fushatë elektorale e tillë, por kurrë sesi nuk mund të pajtohemi dhe nuk mund të jetë justifikim përdorimi i një terminologjie të tillë fyese dhe diskriminuese nga Kryeministri i një vendi i cili synon të jetë pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar”,-shkruhet në deklaratën e shoqatës së të verbërve të Shqipërisë.

Më tej, nxirret në pah fakti se nuk është hera e parë që Kryeministri Rama përdor një gjuhë të tillë komunikimi që përmban terma pexhorativë ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar.

Organizatat në mbështetje të PAK: Letër autoriteteve ndërkombëtare për gjuhën diskriminuese nga politikanët shqiptarë

Përmes një letre të hapur, një grup organizatash të të drejtave të njeriut dhe mbështetëse të personave me aftësi të kufizuar, iniciuar nga Down Sindrome Albania kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare të kërkojnë llogari nga politikanët shqiptarë për gjuhën diskriminuese të përdorur ndaj komunitetit të PAK.

“Gjuha fyese dhe diskriminuese me diagnoza të paaftësisë për arsye politike ndaj kundërshtarëve të tyre politikë dhe mbështetësve të pozicioneve është bërë një çështje shqetësuese në vitet e fundit dhe veçanërisht në javët e fundit të fushatës elektorale para zgjedhjeve parlamentare shqiptare që do të mbahen më 25 Prill 2021”,- thuhet në letrën drejtuar Dunja Mjatovic, Komisioneres së të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Evropës, Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara Michelle Bachelet dhe Komisionit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

Sipas letrës, kjo po shkakton gjuhë urrejtjeje, po përforcon stereotipet në një vend që ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Disa javë më parë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj postoi në faqen e tij publike në Facebook një video elektorale duke reklamuar sëmundjen Alzheimer për të sulmuar politikanin, Z. Sali Berisha, një politikan nga partia e opozitës. Videoja ishte diskriminuese për moshën dhe aftësinë e kufizuar dhe përkundër reagimit të fortë publik, kryetari i bashkisë as nuk kërkoi falje, as e hoqi videon”,-thuhet në letër.

Letra dërguar institucioneve ndërkombëtare

Emanuela Zaimi, drejtuese e Down Syndrome Albania rrëfen për Citizens Channel se letra nuk përmban vetëm rastet e ditëve të fundit, por sjellje edhe më të hershme të këtij lloji nga politikanët shqitparë.

Ditët e fundit janë bërë problematike sepse janë të përsëritura dhe janë edhe niveli më i lartë i mundshëm te Kryeministri. Ndërkohë që ne më përpara kemi pasur problematika me deputetin Murrizi, për të cilin kemi bërë edhe protestë në atë kohë edhe me Alket Hysenin për të cilin kemi dërguar edhe shkresa. Mirëpo nuk u morëm fare me komisionerin, sepse nuk shikojmë efektshmëri te këta”,-tha Emanuela Zaimi.

Emanuela Zaimi, Down Syndrome Albania

Ajo sqaron se përdorimi i alzhaimer në një spot fushate është i papranueshëm nga një bashki që ka në zotërim shtëpitë e të moshuarve.

“A ka kuptim që një kryetar bashkie që ka shtëpi të të moshuarve në rradhë të parë, janë në varësi të Bashkisë, me siguri edhe aty ke me alzhaimer. Përveç alzhaimerit që mund të ketë prekur familjarë të ndryshëm tanët, vetë sindroma down në moshën 40 vjecare ëhtë e prekur 30% nga alzhaimer. Në moshën 50 vjecare 50% nga alzhaimer. Alzhaimer është një nga shqetësimet më të mëdha të komunitetit edhe në Shqipëri nuk ke kokrrën e shërbimit, familjarët përballen vetë me të”,-u shpreh Zaimi.

Sipas Zaimit, problemi qëndron përtej Komisionerit për Mbrojtjen nga diskriminimi.

Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi nuk ka çbën përtej kësaj. Ne këtë herë menduam ta çojmë lart te këto instancat më të larta të çështjeve të diskriminimit dhe të aftësisë së kufizuar me shpresën që ata do reagojnë. Ne zgjidhje nuk marrim asnjëherë për këto, domethënë zgjidhje të kënaqshme nuk marrim asnjëherë. Ne do të ishim të kënaqur nëse vërtet bëjnë dalje publike, deklaratë për shtyp, siç bëjnë për cdo gjë të bëjnë deklarata të tilla”.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”, tregon se përdorimi i termave ofendues për personat me aftësi të kufizuar në vitin 2021 është i paranueshëm.

“Është e papranueshme që në 2021 ende ata shahen me njëri tjetrin duke përdorur terma të cilët fyejnë edhe stigmatizojnë personat me aftësi të kufizuar. Kjo lloj gjuhe është e papranueshme sepse këtë lloj etiketimi që ata përdorin ndaj njeri tjetrit, nuk dua të përmend emra pasi duket sikur i përforcoj ato, në një farë mënyrë duket sikur thonë që nuk është ok të jesh i ndryshëm dhe madje është fyese, është një formë sharjeje të jesh me sindormën down apo të kesh probleme të shëndetit mendor apo të kesh probleme në shikim, në dëgjim”,-u shpreh Lala.

Suela Lala, Fondacioni “Së Bashku”

Sipas saj, dërgimi i letrës në institucionet ndërkombëtar vjen pasi nuk shikohet një reagim dhe veprim bindës nga insitucionet në Shqipëri.

“Ne dhe Down Sindrome Albania vecanërsisht ka ngritur rastin e zotit Murrizi për shembull, e ka adresuar atë te Komisioneri per Mbrotjen nga diskriminimi, por madje ka dërguar letër të gjitha institucioneve, Kuvendit, e ka ngritur ne media dhe masat që janë marrë le të themi nuk kanë qenë bindëse edhe nuk kanë qenë të mjaftueshme përderisa ne vërejmë që kjo gjuhë vazhdon të përdoret gjerësisht edhe pa kërkuar ndjesë edhe nga drejtuesit e tjerë të rëndësishëm politik në vend, nga përfaqësues të institucioneve në vend”,-përfundon Suela Lala.

Politika sipas Suela Lalës duhet te ketë një komunikim etik dhe mbi të gjitha duhet të respektojë larmishmërinë e grupeve shoqërore dhe jo ti stigmatizojë dhe ti bullizojë ato.

Këto raste nuk janë të vetmet në retorikën politike. Në vitin 2019, zëvendës kryetari i Kuvendit Myslim Murrizi, në përgjigje të një komentuesi në Facebook përdori fjalën down si një ofendim, duke shtuar se i vjen për të vjellë që një individ me këtë sindromë i komenton në postimin e tij.

Screenshot nga biseda në Facebook e Myslim Murrizi

Njëjtë edhe deputeti Alket Hyseni në një status kundër ish-kryeministrit Berisha, përdori disa herë fjalën “autik” si ofendim ndaj ish-kryeministrit. Pas reagimeve nga organizatat dhe kolegëve të tij, ai e ndryshoi atë, duke zëvendësuar fjalën “autik” me “i çartur”, por nuk bëri asnjë deklaratë për të kërkuar ndjesë publike apo për t’ju përgjigjur  kërkesave për dorëheqje.

Komisioneri për Mbojtjen nga Diskriminimi: Janë raste të sinjalizuara

I pyetur në lidhje me dy rastet e fundit përgjatë fushatës zgjedhore 2021, spoti i publikuar nga Erion Veliaj dhe etiketimi i përdoru nga Kryeministri Rama si “qorr dhe shurdh”, kominioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Robert Gajda u shpreh për Citizens Channel se janë raste të sinjalizuara.

Gajda

Për rastin e personave të verber, ne jemi për dijeni në një shkrese që ka ardhur nga Shoqata e të verbërve të Shqipërisë. Jemi duke e vlerësuar si mundësi. Nuk ka ardhur në forme ankese, ka ardhur në formë sinjalizimi, por jemi duke e shqyrtuar si mundësi nëse eksistojne premisa dhe nese shikojme që perdorimi i gjuhës është në formën e gjuhës denigruese apo perçmuese kundrejt personave me aftësi të kufizuar që nuk shikojnë“,-u shpreh Robert Gajda.

Robert Gajda, komisioner për mbrojtjen ndaj diskriminimit

Ndërsa sa i përket spotit të publikuar në rrjetin social Facebook të Kryebashkiakut Veliaj ai citon se nuk ka pasur ankesa adresuar insitutcionit të komisionerit për këtë rast.

“Ne nuk kemi ndonjë hetim të thelluar. Kryesisht ne veprojmë nëpërmjet ankesave, kur shikojmë që ka një komunitet të gjerë dhe ka organizata që shqetësohen dhe na tregojnë se ka një shqetësim të madh në lidhje me këtë gjë. Ndërkohë që nuk na ka ardhur ndonjë gjë në lidhje me këtë ose kur shikojmë që në pamje të parë përdorimi i gjuhës krijon dyshime dhe premisa për përdorim gjuhë urrejtjeje ne e ndjekim kryesisisht, por në rastin konkret në të dyja rastet nuk kemi parë diçka që në pamje të parë të na krijojë përshtypje për të nisur dicka”,-përfundoi komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW